Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Turqisë

Marrëveshja u nënshkrua në përmbyllje të takimit të dytë të akademive të vendeve të rajonit, organizuar sot në Stamboll, në mjediset e bibliotekës historike “Suleymaniye”.
Një tryezë bashkëbisedimi parapriu ceremoninë e nënshkrimit nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH; dhe akad. Muzaffer Seker, kryetar i Akademisë së Shkencave të Turqisë.
Dy kryetarët theksuan traditat e bashkëpunimit shkencor-akademik, tradita të cilat kanë prirje të zgjerohen përtej fushave të historisë, gjuhës, trashëgimisë; duke përfshirë së fundmi sizmologjinë, nanoshkencën, bioteknologjinë etj.
Marrëveshja përmban drejtimet kryesore të bashkëpunimit të ndërsjellë, prioritetet, mënyrat e mbështetjes buxhetore, kalendarin e realizimit etj. Përveç shkëmbimit të informacionit, botimeve dhe specialistëve, parashihet organizimi i veprimtarive të përbashkëta.