• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
Resolving Issues

Veprimtaria

GJUHËSIA

Studimet në fushën e gjuhësisë, së pari janë lidhur me ato për gramatikën, duke u marrë kryesisht me strukturën fonetike, morfologjike e sintaksore të shqipes dhe janë sintetizuar në shumë monografi e në veprën përgjithësuese në tre vëllime “Fonetika dhe Gramatika e gjuhës së sotme shqipe”, e cila u ribotua në dy vëllime me titull “Gramatika e gjuhës shqipe”, ku janë përfshirë morfologjia dhe sintaksa. Janë botuar gjithashtu studime e monografi për kategori e çështje të veçanta të gramatikës së shqipes, të mbështetura në një lëndë të pasur gjuhësore.

ZHVILLIMI DHE STANDARTIZIMI

Problemet e kulturës së gjuhës, të historisë së zhvillimit të shqipes letrare si dhe procesi i standardizimit e i kodifikimit të saj janë bërë objekt studimesh të veçanta dhe i veprimtarive shkencore të rëndësishme si “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, (1972) Konferenca Shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (2002), Konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit” (Durrës 2010) etj. Rezultatet në këto fusha kanë gjetur pasqyrim në veprat normative të karakterit të përgjithshëm, por dhe të veçantë si “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” dhe “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”.

DIALEKTET

Studimi i dialekteve të shqipes ka formuar një nga drejtimet e kërkimit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë që nga themelimi i tij. Janë kryer kërkime dialektologjike në 300 pika në Republikën e Shqipërisë dhe në shumë pika në trojet e shqipes në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në ngulimet e arbëreshëve të Italisë. Rezultatet e kësaj pune janë kurorëzuar me krijimin e kartotekës dhe fonotekës së dialektologjisë shqipe, me hartimin e një numri të madh skicash dialektologjike dhe me përgatitjen dhe botimin e “Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe” (dalë nga shtypi në Napoli, nën kujdesin e Institutit Oriental të Napolit).

HISTORIA E SHQIPES

Studime të rëndësishme janë kryer edhe në fushën e historisë së shqipes të raporteve të saj me gjuhë të tjera sidomos me gjuhët e Ballkanit dhe në fushë të etimologjisë së saj. Arritja kryesore në këtë fushë është vepra në shtatë vëllime e E. Çabejt “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Akademiku Kolec Topalli ka përgatitur “Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe” (me tri vëllime) që është në proces botimi.

LEKSIKOLOGJIA DHE LEKSIKOGRAFIA
Rezultate të shënuara janë arritur në fushë të leksikologjisë e leksikografisë. Puna institucionale në këto fusha ka synuar të nxjerrë në dritë pasuritë leksikore, frazeologjike e semantike të shqipes. Ajo është përqëndruar në studimin e strukturës kuptimore të fjalëve, në sistemin fjalëformues të shqipes dhe në hartimin e fjalorëve shpjegues e terminologjikë, si “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984/2002), “Fjalori i gjuhës shqipe” (2006), “Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe” (2004), “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” (1999/2010) dhe një numër fjalorësh terminologjikë të fushave të ndryshme, të realizuara me grupe specialistësh të këtyre fushave.
STUDIMET MBI LETËRSINË SHQIPE
Pjesë të rëndësishme të kërkimit shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë kanë qenë dhe mbeten studimet mbi historinë e letërsisë shqipe. Studimet në këtë fushë kanë synuar të hedhin dritë në procesin e formimit të letërsisë kombëtare të shqiptarëve, në veçoritë e këtij procesi vështruar edhe në rrafsh krahasimtar, si dhe në njohjen dhe analizimin e krijimtarisë së shkrimtarëve shqiptarë të gjithë periudhave letrare.