Ka lindur me 10 mars 1954 në fshatin Grevë të Peshkopisë. Ka kryer studimet e larta në Universitetin “L. Gurakuqi” të Shkodrës në vitet 1973-1977.
Ka punuar për 5.5 vjet në arsim në zonën e Lurës, fillimisht si Mësues i Historisë dhe Gjeografisë në shkollën 8 vjeçare Arrën-Mallë (1976-1979) dhe pastaj si Drejtor në shkollën 8 vjeçare Gur-Lurë (1979-1981). Në fund të vitit 1981, bazuar në rezultatet e shkëlqyera të studimeve universitare, përzgjidhet për të vazhduar studimet pasuniversitare për arkeologji në Tiranë.
Gjatë vitit 1982 kryen me rezultate të shkëlqyera kursin e specializimit pasuniversitar të arkeologjisë pranë Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike (më vonë Instituti i Arkeologjisë) të Akademisë së Shkencave Tiranë. Që nga viti 1983 punon si arkeolog në Departamentin e Prehistorisë të Institutit Arkeologjik, në vitet 1982-2003 në Bërthamën Arkeologjike të Peshkopisë, ndërsa nga viti 2004 e në vazhdim në Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë. Në vitet 1984-1986 mbron shkëlqyeshëm të gjitha provimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, përfshirë edhe atë të gjuhës angleze.
Në vitet 1987-1989 kryen gërmimet e para arkeologjike në vendbanimin prehistorik të Topojanit (Dibër) që shërbyen si bazë e përgatitjes së disertacionit të fazës së parë të kualifikimit pasuniversitar.
Në vitin 1991 ka mbrojtur në Departamentin e Prehistorisë të Institutit të Arkeologjisë disertacionin me temë “Neoliti dhe Eneoliti në luginën e mesme të Drinit të Zi” për gradën “kandidat i shkencave”. Në vitin 1996 fiton me vlerësimin maksimal titullin “Doktor i shkencave”, në vitin 2000 ka fituar titullin “Prof. assoc. dr.” ose “Mjeshtër kërkimesh” dhe në vitin 2011 ka fituar titullin “Profesor” ose “Drejtues Kërkimesh”.
Ka drejtuar gërmimet arkeologjike në fushën e arkeologjisë prehistorike në rajonin e Dibrës (1986-2011), ku ka kryer disa fushata gërmimesh sistematike në rajonin e Dibrës, si në vendbanimet prehistorike të Topojanit (1987-1989), të Pesjakës (1991), të Manasdrenit (2002-2003), të Blliçes (2005), të kalasë së Peshkopisë (2006) dhe të Burimit (2007), si dhe disa gërmime shpëtimi në qendra arkeologjike të këtij rajoni, si në kalanë e Grazhdanit (1983, 2009), kapelën e Pesjakës (1986), varret monumental të Zall-Sinës.
(1986) dhe të Kurtbegut (1987), në varrezën e dystë të Sofraçanit (2008) etj. Ka drejtuar sektorë të veçantë të gërmimeve prehistorike në vendbanime prehistorike në rajone të ndryshme të Shqipërisë, si në Podgorie (Korçë 1982), Benjë (Përmet 1983), Zagorë (Shkodër 1987), Konispol (Sarandë 1993), Sovjan (Korçë 1996, 2000, 2001), Grazhdan (1983, 2009) si dhe në nekropolet tumulare të Bujanit (Tropojë 1984, 1986), Myç-Hasit (Kukës 1988). Gjithashtu ka drejtuar gërmimet në vendbanimin palafitik të Maliqit (2017) etj.Është bashkëdrejtues i projektit europian mbi dendrokronologjinë e Ballkanit dhe të Egjeut (2018-2022), bashkëdrejtues i projektit kërkimor arkeologjik shqiptaro-grek të Maligradit, Prespë e Madhe (2018-2022) dhe drejtues i Projektit bilateral mbi metalurgjinë prehistorike me CNR (Romë) (2019-2022) etj.
Ka drejtuar kërkimet prehistorike në Kosovë gjatë projektit të përbashkët “Kërkime Arkeologjike në Kosovë”(2000-2006), dhe ka bashkëdrejtuar me Dr. Shafi GASHI (Instituti Arkeologjik i Kosovës) gërmimet në vendbanimet prehistorike në Kosovë (2002-2020) si në Hisar (2003-2004, 2007), Vlashnje (2002, 2006-2008, 2010), Korishë (2002, 2006) dhe Reshtan (2010-2011).
Gjithashtu ka qenë konsulent shkencor në disa nga gërmimet arkeologjike më të rëndësishme të kryera në Kosovë (2012-2020), si në nekropolet tumulare të Volujakut dhe të Perçevës së Klinës (2012-2013), të Lubozhdës së Istogut (2013, 2015), në gradinat e Budrigës (2015) dhe Cernicës (2016-2017) së Gjilanit, si dhe në projektin restaurues dhe konservues të kalasë së Prizrenit (2012-2020) etj.
Drejtuesit ndër vite:
- 1990 – 1993: Prof. dr. Neritan Ceka
- 1993 – 1997: Prof. dr. Namik Bodinaku
- 1997 – 2008: Akademik Muzafer Korkuti
- 2008 – 2013: Prof. dr. Shpresa Gjongecaj
- 2013 – 2021: Prof. dr. Luan Përzhita
- 2021 – 2023: Prof. asoc. dr. Belisa Muka
- 2024 e në vazhdim: Akademik Adem Bunguri