Valter Memisha ka mbaruar studimet e universitare në degën gjuhë shqipe dhe letërsi në Universitetin e Tiranës në vitin 1979 me rezultate shumë të larta. Në vitin akademik 1984-1985, ndoqi studimet e thelluara pasuniversitare në kursin e gjuhës shqipe, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, të cilat i mbaroi shkëlqyeshëm.
Ka punuar disa vjet si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë në rrethin e Tepelenës. Ndërkohë u mor me mbledhjen e pasurisë dialektore, sidomos të asaj leksikore e frazeologjike në zonën e Labërisë (Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë). Vendos lidhje të drejtpërdrejta me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke qenë bashkëpunëtor i tij i jashtëm.
Nga viti 1988 deri në vitin 2000 punon si pedagog në Universitetin “E. Çabej”, Gjirokastër. Në vitin 2001 fillon punën pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, sot Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ku vazhdon të punojë edhe tani. Puna tij, që nga ky çast u drejtua te fjala shqipe dhe për fjalën shqipe. Ka marrë pjesë në 15 ekspedita në terren (në Shqipëri dhe në Kosovë) për grumbullimin e pasurisë së shqipe.
Ka qenë në organet drejtuese në Universitetin e Gjirokastrës (përgjegjës i Departamenti të gjuhës shqipe e të letërsisë, dekan i FSHS, anëtar i Senatit), si dhe në IGJL (ka qenë përgjegjës i departamentit të Leksikologjisë dhe të terminologjisë)
Ka mbrojtur doktoratën në gjuhësi në vitin 1997 dhe ka fituar titujt akademik profesor i asociuar (2002) dhe profesor (2011). Ka bërë specializime shkencore për gjuhësi në universitete të njohura në Greqi dhe në Itali.
Ka dhënë dhe jep mësim në disa universitete të vendit, si në UT, UGJ, UE, UV, në nivel bachelor, master e doktoraturë. Gjatë veprimtarisë universitare, akademiko-mësimdhënëse ka qenë titullar për disa lëndë mësimore si Leksikologjia e gjuhës shqipe, Semantika e gjuhës shqipe etj., si dhe ka qenë bashkëpunëtor në hartimin e përmirësimin e kurrikulave universitare për degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë.
Ka marrë pjesë në projektet kombëtare leksikografike të shqipes standarde: është bashkautor në Fjalorin e gjuhës shqipe, 2006 dhe ka qenë drejtues i punës për versionin elektronik të tij (2012), është bashkautor në Fjalorin e vogël të gjuhës shqipe (vepër në proces botimi); është bashkautor në Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, (vëllimi parë në proces hartimi). Ka botuar dy monografi, dy përmbledhje me artikuj studimorë, një fjalor me pasuri leksikore nga Labëria (me një studim hyrës) si dhe një fjalor (me bashkautorësi) për emërtimet e shkurtuara në shqipe (që paraprihet nga një studim i plotë teorik). Ka marrë pjesë me kumtesa në mbi 120 veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ka organizuar rreth 10 konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht po punon në disa projekte kombëtare, më i rëndësishmi prej të cilëve, krijimi i korpusit (database-it) të shqipes.
Ka udhëhequr rreth 40 studentë në master shkencor dhe 18 doktorantë, me punime nga fusha e leksikologjisë, e semantikës dhe e leksikografisë, që janë dhe fushat e tij kryesore të kërkimit shkencor.
Drejtuesit ndër vite
1972 – 1990: Akad. Androkli Kostallari
1990 – 1993: Prof. dr. Jorgo Bulo
1993 – 1997: Prof. dr. Bahri Beci
1997 – 2008: Prof. dr. Jorgo Bulo
2008 – 2012: Prof. dr. Enver Muhametaj
2012 – 2017: Prof. dr. Valter Memisha
2017 – 2023: Prof. dr. Artur Lamaj
2024 – në vazhdim: Prof. dr. Valter Memisha