• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
In business since 1995

Veprimtaria

Projektet madhore të QBEA-së

Akademia e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe institucione të tjera shkencore vendase e më gjerë, kanë ndërmarrë iniciativën shkencore për hartimin dhe botimin e disa veprave madhore në fushën e albanologjisë, projekte të cilat do të mbështeten financiarisht nga qeveritë respektive. Në këtë kuadër, më 07.04.2021, Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë miratoi hartimin dhe botimin e tri veprave madhore shkencore: Historia e Shqiptarëve, Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe dhe Enciklopedinë Shqiptare. Realizimi i kësaj ndërmarrjeje të madhe gjithëpërfshirëse, multidisiplinare dhe thellësisht shkencore, ka vlera dhe rëndësi sa për prurjet më të fundit shkencore dhe novatore që ato do të sjellin për herë të parë, aq edhe për faktin se ato do të jenë një pasuri në përdorim për botën akademike dhe për publikun shqiptar. Veprat do të jenë një sintezë e tërë arritjeve më të spikatura shkencore të fushave që tri veprat madhore do të trajtojnë në mënyrë specifike. Në to do të pasqyrohet gjithë trashëgimia më e spikatur dhe e konfirmuar shkencërisht dhe bashkë me të gjithë prurjet dhe gjetjet e reja në fushat respektive.

Projekti “Historia e Shqiptarëve”
Puna për hartimin e konceptit, përgatitjen, propozimin dhe miratimin e platformave shkencore dhe preventivit për realizimin e projektit madhor të “Historisë së Shqiptarëve” ka filluar gjatë vitit 2021. Me vendimin nr. 54. datë 16.09.2021 të Kryesisë së ASH-së u caktuan përfundimisht drejtuesit e projektit, u identifikua grupi i autorëve, u caktuan drejtuesit e periudhave historike si edhe grupi i redaktorëve. U identifikuan nevojat në bazë materiale e forca ndihmëse, për të siguruar qasje në arkivat e bibliotekat e specializuara. U përcaktuan kriteret shkencore e teknike, metodologjia, modelet e unifikuara të terminologjisë, gjuhës, të stilit, të paraqitjes së tekstit e të aparatit shkencor. Po ashtu, u përcaktuan fazat e ritmet e procesit të realizimit e diskutimit të tekstit. Secili autor paraqiti në QBAE-së prospektin e lëndës që ka për të trajtuar si dhe vëllimin e parashikuar të punës së vet. Në dhjetor 2021 autorët paraqitën një listë të detajuar të punëve përgatitore (përcaktim i tematikave, burimeve, i literaturës së nevojshme) dhe dorëzuan në QBAE pjesë të hartuara të tekstit, që përgjithësisht përfaqësojnë ¼ ose 1/5 e vëllimit të përgjithshëm të punës që duhet të përballojë gjithsecili. Po ashtu, janë nënshkruar kontratat përkatëse me autorët pjesëmarrës në projekt.

Vepra është parashikuar të jetë në tri vëllime. Vëllimi I do të trajtojë Lashtësinë dhe Mesjetën. Vëllimi II do t’i kushtohet periudhës së sundimit osman, Rilindjes e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Vëllimi III do të trajtojë periudhat historike prej Pavarësisë dhe shtetit shqiptar 1912–1939, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar (1939–1944), periudhën e  komunizimit në vitet 1944–1990 si edhe shqiptarët në epokën e ndryshimeve të mëdha sociale e politike (1990–1999). Kosova, ashtu si dhe viset e tjera shqiptare që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar, deri në vitin 1913 do trajtohet si pjesë integrale e historisë së Shqipërisë. Paskëtaj do evidentohen aspektet e ndryshme të shtypjes e të represionit të shqiptarëve të Kosovës nën mbretërinë serbo-kroato-sllovene e më tej nën regjimin e Tito-Milosheviçit. Një vend të rëndësishëm do të zënë format e ndryshme të rezistencës së shqiptarëve nën ato regjime, që kulmuan me vitin 1981 dhe u kurorëzuan me vitin e madhërishëm 1999 të Çlirimit të Kosovës, me të cilin do mbyllet teksti i historisë.

Në pikëpamje të qasjes metodologjike, teksti nuk do jetë një histori e fokusuar thjesht në ngjarjet politike e ushtarake, por do të jetë edhe një histori e ideve, e kulturës, e ekonomisë, e religjioneve, e institucioneve të popullit shqiptar. Kjo Histori e Shqiptarëve do të jetë e destinuar edhe për publikun e huaj. Ajo do të përkthehet edhe në anglisht. Për të mbështetur pohimet e idetë e shprehura në tekst, ndryshe nga sa është vepruar me tekstet e tjera akademike të Historisë së Popullit Shqiptar, ky do të jetë i pajisur edhe me fusnota, me foto, me faksimile dokumentesh etj., pra me gjithë elementet e nevojshme shkencore për një botim të këtij karakteri. 

Struktura e Projektit:

Numri i përgjithshëm i autorëve që marrin pjesë në projekt:

Nr.Titulli akademik
1Akademikë7
2Prof./ Prof. asoc22
3Doktor shkencash1
                                                                                                     Shuma30

Projekti “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”

(me rreth 110. 000 fjalë dhe 10.000 njësi frazeologjike)

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe do të hartohet sipas parimeve të përgjithshme e kritereve leksikografike të tipit njëvëllimësh. Ai do të jetë vepër madhore leksikografike, i domosdoshëm për të pasqyruar, për të ruajtur dhe për të hedhur në përdorim pasurinë më të madhe leksikore, frazeologjike e semantike të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe është ndër të rrallat që nuk ka një fjalor të tillë. Fjalori, që do të jetë një vepër normative, do të jetë burim këshillimi, studimi e hartimi për fjalorë të tjerë të tipave të ndryshëm. Fjalori do të jetë vepër edhe me rrezatim të gjerë përdorimi, për të gjithë ata që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, por edhe të folur, me krijime letrare e me përkthime etj. Pra, ai do të jetë i nevojshëm për shkrimtarët e për publicistët, për përkthyesit e për leksikografët, për pedagogët e për studentët, për studiuesit e për këdo që merret me përdorimin e kultivimin e gjuhës amtare.

Edhe për projektin madhor të albanologjisë “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” puna ka filluar në vitin 2021. Me vendimin nr. 8, datë 02.02.2021 “Për përbërjen e grupit të punës për projektin ndërakademik të ‘Fjalorit të madh të gjuhës shqipe’” u hodhën bazat për kalimin në fazën realizuese të projektit tjetër madhor të ASH-së, “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”. Puna për zhvillimin e këtij projekti madhor albanologjik ka qenë një proces i vazhdueshëm, i kushtëzuar nga parashikimi dhe rikonceptimet e parimeve të hartimit, të bazës lëndore ku do të mbështetet hartimi i veprës, parashikimet ligjore për të drejtën e autorit etj., rikonceptimi përfundimtar i redaksisë e i grupit të hartuesve, ngritja e nëngrupeve të punës etj. Më tej, gjatë vitit 2021 u bë rikonceptimi e konstituimi përfundimtar i redaksisë, i grupit të hartuesve, i bashkëpunëtorëve, i nëngrupeve të punës, i specialistëve konsulentë, i bashkëpunëtorëve dhe i forcave ndihmëse, në marrëveshje me QBAE / ASH.

Po ashtu, një nga detyrat kryesore të ngarkuara dhe të realizuara për vitin 2021 ishte ngritja e kartotekës së posaçme të Fjalorit. Për këtë në fillim u bë organizimi i punës në 11 nëngrupe sipas fushave, duke përfshirë në to drejtuesit e projektit, redaktorët shkencorë, hartuesit, bashkëpunëtorët, si dhe forcat ndihmëse.

Duke qenë se ky Fjalor do të jetë i aksesueshëm online, pa pagesë, janë marrë të gjitha masat për publikimin online të fjalorit, duke përfshirë ngritjen e sektorit përkatës, si edhe përgatitjen e programit dhe infrastrukturës së nevojshme.

Projekti “Enciklopedia shqiptare”

Më 20 qershor 2022 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia Shqiptare”, e cila u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë me ligjin nr. 80/2022 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e projektit madhor në Albanologji “Enciklopedia Shqiptare”

Bazuar në Marrëveshjen Ndërqeveritare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës hartuan rregulloren “Për mënyrën e ngritjes dhe të funksionimit të redaksisë qendrore, të redaksive vendore dhe të redaksive të fushave të Enciklopedisë Shqiptare”, me qëllim përcaktimin e statusit të redaksisë qendrore, të redaksive vendore dhe të atyre të fushave; raportet midis tyre; kompetencat që ushtrojnë dhe ndarjen e detyrave dhe rregullat e përbashkëta për drejtimin dhe organizimin e punës për zbatimin e Projektit.

Në vazhdim, më 12.12.2023, dy Akademitë e Shkencave shpallën anëtarët e Redaksisë Qendrore të “Enciklopedisë Shqiptare” dhe më 16.01.2023 u mbajt mbledhja e parë e Redaksisë Qendrore, në të cilën u zgjodh Kryeredaktori dhe zëvendëskryeredaktori i Redaksisë Qendrore.

Më 01.03.2023 Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës miratuan edhe Protokollin e përbashkët për administrimin e fondeve të vëna në dispozicion për projektin madhor në albanologji “Enciklopedia Shqiptare”, ku u shprehën në terma administrativë dhe në kushte ekzekutivë për financimin e projektit. 

Menjëherë Redaksia Qendrore filloi punën për hartimin e akteve themelore për organizimin e punës dhe në tre mbledhjet e së saj të radhës hartoi dhe miratoi rregulloret bazë të punës dhe nxori udhëzimet përkatëse si:

  • Rregullore “Për organizimin e Redaksisë Qendrore të Enciklopedisë Shqiptare”;
  • Rregullore “Për caktimin e kritereve-bazë për ndarjen e punës midis dy redaksive vendore, si dhe të fushës së veprimit të tyre”;
  • Vendim i Redaksisë qendrore të ESH “Për miratimin e listës dhe emërtimet e redaksive të fushave;
  • Përshkrimi i objektit të punës të redaksive të fushave miratuar nga redaksia qendrore (rekomandime);
  • Kriteret shkencore për t’u zbatuar nga redaksitë dhe autorët në procesin e hartimit të Enciklopedisë shqiptare;
  • Udhëzues praktik për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare dhe modelet e tyre (ESH);

Në vazhdim të organizimit të punës u ngritën redaksitë vendore dhe redaksitë e fushave.

Me vendimin nr. 5, datë 19.01.2023 “Për caktimin e fushave kryesore të redaksisë vendore të Enciklopedisë shqiptare, anëtarëve të redaksisë vendore dhe drejtuesin e redaksisë”, u formua redaksia vendore (Tiranë), e cila përbëhet nga nëntë anëtarë. Në vazhdim të misionit të saj, redaksia vendore me vendimin nr. 1, datë 07.09.2023 Për përbërjen dhe redaktorët përgjegjës të redaksive të fushave (për pjesën  e Akademisë s ë Shkencave të Shqipërisë) vendosi ngritjen e 28 redaksive të fushave, me 111 anëtarë. Ndër këto redaksi është edhe Redaksia e Posaçme e Maqedonisë së Veriut.

Pas konfirmimit të redaksive të fushave nga Kryeredaktori i Enciklopedisë Shqiptare, redaksitë e fushave kanë filluar funksionimin e tyre. Konkretisht, deri në 31 dhjetor 2023, redaksitë e fushave duhet të përgatisin listën paraprake të zërave enciklopedikë për fushën e tyre, të bëjnë propozime për autorët e mundshëm të artikujve enciklopedikë të fushës së tyre si edhe të propozojnë madhësinë e artikujve të fushës së tyre.

Aktualisht, të gjitha redaksitë janë duke u paguar sipas akteve ligjorë e vendime të dala nga Kryesia e Akademisë dhe Redaksia Qendrore e ESH.

2024:

Veprimtaria kryesore e QBEA-së për vitin 2024 do të jetë përsëri e përqendruar në zhvillimin dhe përfundimin e tre projekteve madhore albanologjike Historia e shqiptarëve, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe dhe Enciklopedia shqiptare.

Brenda vitit 2024 do të përgatiten për botim dy vëllimet e para të Historisë së shqiptarëve, në të cilat bazuar mbi kërkimet më të fundme arkeologjike e burime arkivore për periudhën e antikitetit dhe të mesjetës shqiptare prezantohen përfundimet më të fundme shkencore për këto dy periudha të rëndësishme të identitetit shqiptar. Brenda këtij viti, do të mbyllet gjithashtu puna përgatitore për dy vëllimet e tjera të historisë, sundimi osman dhe shteti i ri shqiptar.

Po ashtu, deri në fund të vitit 2024 do të realizohet edhe përgatitja për botim online e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. Paralelisht me procesin e hartimit do të vijojë edhe procesi i redaktimit shkencor dhe hartuesit do të reflektojnë vërejtjet dhe sugjerimet e redaktorit shkencor në punën e tyre. Materiali do të përcillet pastaj në grupin e korrektorëve gjuhësorë. Pas përfundimit të korrektimit gjuhësor të një shkronje, ajo do të dorëzohet pranë QBEA-së dhe do të publikohet në faqen e uebit të hartuesve për përdorim të brendshëm. Kjo do të shërbejë për verifikime dhe unifikime të punës nga hartuesit e tjerë, proces final i domosdoshëm para shtypjes në letër të fjalorit. Sa më sipër, puna ka hyrë në fazën e saj përfundimtare dhe publikimi online i këtij fjalori përbën një risi në botimin e veprave të kësaj natyre nga Akademia e Shkencave.

Nëse dy projektet e para janë drejt përfundimit, puna për hartimin e Enciklopedisë shqiptare ka hyrë në fazën e saj më të vrullshme. Brenda këtij viti do të hartohet fjalësi enciklopedik, duke përfshirë kategorizimin e artikujve enciklopedikë sipas rëndësisë e madhësisë së tyre e duke u përzgjedhur njëherazi edhe autorët e artikujve. Synimi është që puna për hartimin e artikujve enciklopedikë të fillojë brenda vitit 2024. Nisur nga përmasat dhe rëndësia e këtij projekti kombëtar albanologjik, i cili po realizohet në bashkëpunim me ASHAK, mund të thuhet se ai do të jetë edhe angazhimi kryesor i stafit të QBEA-së për këtë vit.