• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
Resolving Issues

Historiku

QSA është një institucion kërkimor shkencor, i përfshirë në strukturën e Akademisë së Shkencave, themeluar në vitin 1986. Qendra ka si objekt studimin e arteve shqiptare: artet figurative, teatrin, kinemanë, muzikën, koreografinë, fushat e bashkëveprimit të arteve. Studimet teorike dhe ato mbi problemet metodologjike ishin parësore përpara vitit 1991. 

Pas vitit 1993 studimet e historisë së arteve në Shqipëri dhe vështrimet kritike e analitike mbi to zunë vendin kryesor, pa përjashtuar edhe studimet në rrafshin teorik e metodologjik, kur ishte e nevojshme. 

QSA i kushtoi vëmendje trashëgimisë dhe traditave në artet shqiptare, duke filluar që nga periudhat e hershme, ajo e mesjetës e deri sot; trajtoi çështje e dukuri që lidheshin me rrjedhat bashkëkohore të arteve në Shqipëri. Ajo funksionoi si njësi unike e organizuar në tre sektorë: ai i Arteve Figurative, ai i Arteve Skenike dhe Kinematografisë dhe ai i Muzikës dhe Koreografisë. 

QSA kishte dhjetë punonjës, prej të cilëve 8 punonjës shkencorë, të cilët kanë botuar libra studimorë, monografi, artikuj e përmbledhje artikujsh shkencorë etj. Bashkëpunonte në projekte me rëndësi kombëtare, si ato të Qendrës Enciklopedike në Akademinë e Shkencave, me Akademinë e Arteve, me institutet albanologjike të Akademisë së Shkencave, me institucionet kulturore artistike kombëtare si dhe institucione kërkimore shkencore në Kosovë e gjerazi në Ballkan, Evropë e gjetkë. 

Libra të tillë si Kumti që vjen nga trashëgimia teatrore, Aktorët, Regjisorët, Poetikë regjisoriale, Dialog me teatrin botëror, Teatri Kombëtar të Josif Papagjonit, Paradokset e satirës dhe humorit, Imazhe, kode, kumte, Rrjedhave të artit paraprofesionist, Poetika e dramaturgjisë dhe mendimi estetik të Jakup Matos, Letërsia dhe filmi, Koha e filmit 1 dhe 2, Filmi në kapërcyell të shekullit të Abdurrahim Myftiut, Artet figurative në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë, Shqipëria nëpërmjet artistëve të Ferdid Hudhrit, Hyrje në estetikë të Stefan Çapalikut, etj. janë mirëpritur nga lexuesi dhe opinioni kritik shkencor. 

Në vitin 2000 QSA ndërmori projektin Enciklopedia e Artit Shqiptar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Kosovë. 

Studiuesit e saj kanë marrë pjesë me projekte dhe kumtesa në veprimtari shkencore e botuese brenda e jashtë vendit. 

QSA boton revistën shkencore “Studime mbi Artin”, numri i parë i së cilës ka dalë në vitin 1995. Drejtorë të saj kanë qenë: prof. as. dr. Çapajev Gjokutaj, prof. as. dr. Abdurrahim Myftiu, prof. dr. Jakup Mato, prof. dr. Ferid Hudhri, prof. dr. Josif Papagjoni, prof. Stefan Çapaliku, sot dr. Jonida Gashi. 

Në shtator 2007 ajo kaloi si institucion pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, e integruar si departament më vete në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit. 

Me reformën shkencore të vitit 2023 e cila rikrijoi institutet albanologjike pranë Akademisë së Shkencave, Qendra e Studimit të Arteve u krijua si njësi shkencore e përhershme pranë ASH.

Qendra e Studimit të Arteve, pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë u ngrit në zbatim të vendimit Nr. 338, datë 31.05.2023 dhe vendimit Nr. 821, datë 28.12.2023, dhe përbëhet nga dy sektorë, i studimeve dhe ai i shërbimeve.

Ka për objekt kërkimi historinë e arteve të kultivuara (joanonime), të shprehura në muzikë, arkitekturë, pikturë, skulpturë, imazhin lëvizës, teatër, kinema, dance si dhe me fushat ndërvepruese. Po kështu, objekte interesimi për këtë qendërt janë edhe estetika dhe historiku i institucioneve artistike shqiptare.