• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
Resolving Issues

Historiku

Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike (QBEA) është themeluar me vendim të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH) në korrik 1998 duke trashëguar bazën e Sektorit të Enciklopedisë të themeluar më 1981.

QBEA është institucion kërkimor-shkencor, që organizon punën për hartimin dhe botimin e veprave të karakterit enciklopedik.

QBEA ka bashkëpunuar me universitetet e vendit dhe me institucione të tjera kërkimore-shkencore, si edhe me specialistë të veçantë. QBEA bashkëpunon gjithashtu me institucione kërkimore-shkencore, me universitete, si edhe me specialistë të veçantë në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi, si edhe në diasporën shqiptare.

Veprimtaria kryesore e QBEA është hartuese, redaktuese, përgatitëse botimesh, plotësuese dhe organizuese. Ajo mbulon të gjitha fushat e shkencës, të ekonomisë, të kulturës, të artit, të teknikës, të sportit etj., që përfshihen në Fjalorin Enciklopedik dhe në Enciklopedinë shqiptare me përqendrim në disiplinat e ndryshme të fushës së albanologjisë.

Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike

(QBEA)

Drejtor: Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi

Krijimi: QBEA është krijuar në zbatim të VKM Nr. 821, datë 28.12.2023 “Për ngritjen dhe organizimin e njësive të përhershme të kërkim studimit në albanologji pranë Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë” dhe VKA nr. 3, datë 10.01.2024 “Për ngritjen e Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike”.

Për hartimin e strukturës së QBEA-së është shfrytëzuar përvoja ekzistuese e ish-qendrës së Enciklopedisë pranë ASH-së deri në vitin 2007 si dhe përvoja e qendrave të ngjashme, të formalizuara nga Vendimi nr. 2 i Kryesisë së ASH-së, datë 09.01.2023 “Për zgjatjen e afatit të funksionimit të Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike (QBAE) pranë Akademisë së Shkencave”, si edhe koncepti paraprak i Kryesisë së ASH-së për ngritjen e kësaj njësie të përhershme, e cila përbëhet nga dy sektorë, një për Leksikografinë dhe një për Enciklopedinë Shqiptare.

Qëllimi: Struktura është konceptuar si një njësi e specializuar në aspektin shkencor dhe teknik dhe mbështet projektet madhore të albanologjisë, Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe dhe Enciklopedinë shqiptare, por do të ketë në fokusin e saj edhe zhvillimin e projekteve të tjera të rëndësishme, sikurse është  krijimi i Korpusit të Gjuhës Shqipe.