• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
We help clients resolve their legal issues

Veprimtaria

FUSHAT E VEPRIMTARISË

 

Objekti i Institutit të Historisë është studimi i historisë së trojeve arbërore/shqiptare nga periudhat më të hershme të dokumentuara deri në ato bashkëkohore.   

Qëllimi i tij është përgatitja dhe botimi i studimeve monografike, veprave kolektive, përmbledhjeve me studime, akteve të konferencave, artikujve studimorë, botimet dokumentare etj., si dhe organizimi i veprimtarive shkencore, si simpoziume, konferenca, tryeza të rrumbullakëta, që hedhin dritë mbi historinë politike, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë dhe shqiptarëve; marrëdhëniet e tyre me rajonin dhe më gjerë; studimeve kulturore dhe gjinore.  

Studiuesit e Institutit të Historisë bashkëpunojnë në projekte të rëndësishme me institucione të ndryshme akademike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata japin mendime të specializuara për çështjet e mësipërme, kur u kërkohet nga institucione të ndryshme dhe janë pjesëmarrës në grupe pune apo komisione në nivel ekspertësh.

Tematikat  kryesore të veprimtarisë shkencore:

Në vitet pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, Instituti i Historisë ka rikonsideruar dhe rivlerësuar veprimtarinë e tij shkencore. Arsyet lidhen me deklasifikimin dhe zotërimin e dokumenteve të shumta arkivore për periudhat historike që ai mbulon, si edhe për shkak të çlirimit të historiografisë nga presionet politike të shtetit komunist:

 

  • Trojet arbërore dhe shtrirja etnike e arbërve në Mesjetën e Hershme;
  • Dyndjet barbare; marrëdhëniet e ilirëve dhe më vonë të arbërve me ta;
  • Arbrit dhe sllavët;
  • Trojet arbërore dhe bota perëndimore (romane etj.);
  • Trojet arbërore në kuadrin e Perandorisë Bizantine;
  • Proceset ekonomike dhe politike ndër arbrit në Mesjetë;
  • Principatat arbërore;
  • Zhvillimi i qyteteve, i qytetërimit dhe i kulturës arbërore në Mesjetë;
  • Problemi fetar dhe diversiteti fetar i arbërve;
  • Tipare sociale, ekonomike, demografike të viseve arbërore gjatë sundimit osman;
  • Integrimi i shqiptarëve në Perandorinë Osmane dhe roli i tyre;
  • Shqiptarët dhe Perëndimi gjatë sundimit osman;
  • Zhvillimi i qyteteve dhe i kulturës shqiptare;
  • Pashallëqet shqiptare;
  • Problemet ekonomiko-shoqërore, politike dhe ushtarake në periudhën e Rilindjes (shek. XIX – deri më 1912);
  • Probleme të fillimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare;
  • Formimi i kombit shqiptar;
  • Shqiptarët dhe lëvizja e Turqve të Rinj;
  • Lëvizja politike e kulturore në Shqipëri në periudhën e regjimit xhonturk (1908-1910);
  • Kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1912;
  • Popullsia e trojeve shqiptare gjatë Rilindjes;
  • Marrëdhëniet e shqiptarëve me popujt e Ballkanit;
  • Tiparet e përbashkëta dhe dallimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me lëvizjet kombëtare të vendeve ballkanike;
  • Çështja shqiptare në politikën e Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ballkanike;
  • Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimi i shtetit të pavarur shqiptar;
  • Zhvillimet ekonomiko-shoqërore përgjatë pavarësisë dhe periudhës mes dy Luftërave         Botërore;
  • Zhvillimet e brendshme politike dhe organizimi i administratës shtetërore përgjatë pavarësisë dhe periudhës mes dy Luftërave Botërore;
  • Marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit shqiptar përgjatë pavarësisë dhe periudhës mes   dy Luftërave Botërore;
  • Zhvillimi i mendimit politik dhe sociokulturor;
  • Minoritetet në Shqipëri dhe marrëdhëniet me shqiptarët përtej kufijve shtetërorë;
  • Aspekte të jetës dhe veprimtarisë së komuniteteve fetare;
  • Studime gjinore në periudhën midis dy Luftërave Botërore;
  • Diaspora dhe emigracioni në periudhën midis dy Luftërave Botërore;
  • Nacionalizmi, kolaboracionizmi, antifashizmi dhe rezistenca e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore;
  • Marrëdhëniet e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe marrëdhëniet me lëvizjet antifashiste të popujve fqinjë dhe Aleatët e Mëdhenj të Koalicionit Antifashist të Kombeve të Bashkuara;
  • Ndërtimi i shtetit njëpartiak në Shqipëri;
  • Marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë në kontekstin e Luftës së Ftohtë;
  • Marrëdhëniet e shtetit shqiptar me komunitetet fetare (1944-1976);
  • Sovjetizimi i ekonomisë shqiptare dhe përpjekjet modernizuese të regjimit komunist;
  • Inxhinierimi i “njeriut të ri” në Shqipëri;
  • Populli dhe “armiku i popullit” në kontekstin e shtetit të diktaturës së proletariatit;
  • Indoktrinimi i shoqërisë shqiptare përmes arsimit, letërsisë, artit dhe kulturës;
  • Shqipëria në vitet e tranzicionit për në demokraci dhe ekonominë e tregut.

Pjesëmarrja në projekte

  1. Instituti i Historisë është koordinator dhe pjesëtar në projektin “Historia e Popullit Shqiptar”, botim akademik në katër vëllime (Tiranë 2002, 2007, 2008).
  2. Koordinator dhe pjesëtar në projektin “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë 2008, 2009).
  3. Hartues e realizues i projektit madhor “Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX” në tre vëllime (në proces botimi).
  4. Organizator i Konferencës Shkencore Ndërkombëtare kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë (viti 2012) dhe bashkëpunëtor në të gjithë veprimtaritë shkencore, kulturore etj., brenda vendit dhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e diasporë, të cilat u zhvilluan me këtë rast.
  5. Organizator dhe pjesëmarrës në projektin “Enciklopedia Shqiptare” (në proces).
  6. Organizator, koordinator dhe pjesëmarrës në dhjetëra veprimtari shkencore, konferenca, simpoziume etj., kombëtare e ndërkombëtare, për probleme të historisë shqiptare e rajonale.
  7. Bashkëpunëtor dhe pjesëmarrës me ekspertë në shumë projekte të institucioneve të ndryshme shkencore e dikastereve të arsimit, shkencës, kulturës, financës etj.
O R G A N I Z I M I

Instituti i Historisë përbëhet nga tri departamente:

Departamenti i Historisë së Mesjetës dhe Rilindjes Kombëtare; Departamenti i Historisë së Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar; Departamenti i Historisë Bashkëkohore. 

Pjesë e Institutit të Historisë është edhe arkivi shkencor, i cili ka një pasuri të vyer dokumentesh historike të sjella nga ekspeditat kërkimore të studiuesve, kryesisht në arkiva të ndryshëm jashtë Shqipërisë, si: dorëshkrime, disertacione, materiale të përkthyera, kumtesa konferencash organizuar nga Instituti i Historisë etj.

  1. BOTIMET KRYESORE KOLEKTIVE
  • Historia e Shqipërisë, vëll. I, vëll. II, botim i vitit 1959 dhe 1965.
  • Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I, II, III, botim i vitit 1984.
  • Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I. Ilirët. Mesjeta. Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI – vitet ’20 të shek. XIX, Tiranë: Botimet Toena, 2002.
  • Historia e Popullit Shqiptar, vëll. II. Rilindja Kombëtare. Vitet ’30 të shek. XIX-1912, Tiranë: Botimet Toena, 2002.
  • Historia e Popullit Shqiptar, vëll. III. Periudha e Pavarësisë, 28 nëntor 1912 -7 prill 1939, Tiranë: Botimet Toena, 2007.
  • Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX, vëll. I. Tiranë: Botimet Albanologjike, 2017.
  • Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX, vëll. II. Tiranë: Botimet Albanologjike, 2019.
  • Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX, vëll. III. Tiranë: Botimet Albanologjike, 2020.
  • Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX, vëll. IV. Tiranë: Botimet Albanologjike, 2021.
  • Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX, vëll. V. Tiranë: Botimet Albanologjike, 2022.

Instituti i Historisë që prej vitit 1964 boton pa ndërprerje revistën “Studime historike”.