Akademia e Shkencave e Shqipërisë promovoi “Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe” në Seminarin e XX Ndërkombëtar të Albanologjisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë mori pjesë në Seminarin XX Ndërkombëtar të Albanologjisë, organizuar nga Universiteti i Tetovës, me promovimin e “Fjalorit të madh të gjuhës Shqipe” (FMGJSH) dhe me pjesëmarrjen në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik.
Para nisjes së seminarit, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, i shoqëruar nga grupi i punës për hartimin e FMGJSH; akad. Valter Memisha, prof. dr. Anila Kananaj dhe prof. dr. Shezai Rrokaj, u prit në një takim nga rektori i Universitetit të Tetovës, prof. dr. Kushtrim Ahmeti. I pranishëm në pritjen zyrtare ishte edhe zëvendësministri i arsimit, z. Driton Sulejmani, dhe drejtori i seminarit prof. dr. Berton Sulejmani, njëherësh edhe dekan i Fakultetit të Filologjisë së këtij universiteti.
Gjatë këtij takimi, akad. Gjinushi falënderoi rektorin për bashkëpunimin në realizimin e projekteve madhore të Akademisë së Shkencave, veçanërisht për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” dhe “Enciklopedinë shqiptare”. Në vijim, e njohu rektorin dhe përfaqësuesit e Universitetit të Tetovës me ecurinë e deritanishme të tri projekteve madhore: “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, “Enciklopedia shqiptare” dhe “Historia e shqiptarëve”. Në kuadër të këtyre marrëdhënieve, kryetari i ASHSH-së e ftoi rektorin e Universitetit të Tetovës për bashkëpunime të mëtejshme në të ardhmen: në projekte kërkimore-shkencore, studime, por edhe në botime të përbashkëta.
Në hapjen e seancës plenare, prof. dr. Kushtrim Mehmeti e vlerësoi mundësinë e promovimit të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, duke theksuar se nuk ka asnjë ngjarje më të rëndësishme për një seminar albanologjie sesa prezantimi i një fjalori të shqipes.

Me këtë rast, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi prezantoi punën e bërë për projektet e mëdha të ASHSH-së, duke e vënë theksin në bashkëpunimin institucional dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi për arritjen e suksesit në hartimin e tri projekteve.
Në vijim të aktivitetit, akad. Valter Memisha, sekretar shkencor i FMGJSH dhe bashkëdrejtues i projektit të hartimit, prezantoi parimet dhe metodat e reja të hartimit të kësaj vepre madhore.
Më tej, zëvendëskryeredaktori i projektit, prof. dr. Shezai Rrokaj, trajtoi funksionin informues dhe dokumentues të leksikut që ka FMGJSH, si edhe funksionin e tij normativ.
Ndërkohë, prof. dr. Anila Kananaj, koordinatore e projektit, paraqiti platformën online të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, funksionet e ndryshme të shfrytëzimit të pasurisë së tij përmes faqes online dhe mënyrën se si publiku, çdo person i interesuar, mund ta përdorë.