Ish-Presidenti i UEAA-së, prof. dr. Ioan Jelev, letër falënderimi për Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Pas përfundimit me sukses të punimeve të Asamblesë së 13-të të Përgjithshme të Unionit të Akademive Evropiane për Shkencat e Aplikuara në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA), të zhvilluar në Shqipëri, ish-Presidenti i Unionit, prof. dr. Ioan Jelev, i ka dërguar një letër falënderimi Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi.

Prof. dr. Jelev shpreh mirënjohjen për organizimin dhe mikpritjen e treguar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë gjatë zhvillimit të Asamblesë, mbledhjes së Komitetit Drejtues dhe simpoziumit shkencor me temën: “Bujqësia e qëndrueshme evropiane dhe menaxhimi i balancuar i burimeve natyrore”. Ai e vlerëson këtë veprimtari si një sukses të rëndësishëm, si për pjesëmarrjen e gjerë të akademive evropiane, ashtu edhe për përfaqësimin dinjitoz institucional dhe akademik të Shqipërisë.

Ish-Presidenti i UEAA-së vlerëson gjithashtu kontributin e akad. Ilia Mikerezit gjatë gjithë veprimtarisë dhe moderimin e shkëlqyer të simpoziumit shkencor, si dhe përkushtimin e akad. Nazim Grudës në organizimin e Asamblesë së Përgjithshme dhe zgjedhjen e tij në detyrën e Presidentit të UEAA-së.

Ai shpreh gjithashtu mirënjohjen për bashkëpunimin ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore “Gheorghe Ionescu-Șișești” të Rumanisë, duke premtuar forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, në kuadër të veprimtarisë dhe bashkëpunimit të përbashkët në UEAA.

Letra e plotë e falënderimit i bashkëlidhet këtij njoftimi.