Akademia Botërore e Kulturës dhe e Arteve nderon akademik Anastas Angjeli me titullin “Doctor Honoris Causa”

Në Kongresin e 45-të Akademia Botërore për kulturën dhe Artet (në sesionin e arteve dhe poezisë), vlerësoi me titullin Doktor Honoris Causa disa personaliteve nga vende të ndryshme të botës; SHBA, Kinë, Indi, Shqipëri, Kosovë, Rumani, Izraeli, Zelanda e Re, etj., të fushave të ndryshme të shkencave, edukimit, kulturës dhe artit.
Kryetari i Komisionit të Përhershëm të Ekonomisë dhe të Zhvillimit të Qëndrueshëm pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Anastas Angjeli, u nderua me titullin prestigjioz “Doctor Honoris Causa” nga Akademia Botërore e Kulturës dhe Arteve, në vlerësim të kontributit të tij akademik, shkencor dhe të edukimit në fushën e shkencave humane-ekonomike, si dhe të veprimtarisë së tij të gjerë në jetën akademike e institucionale.
Ky titull mundëson njëherazi edhe anëtarësimin e akad. Angjelit në Akademinë Boterore të Kulturës dhe Artit. Gjithashtu akad. Angjeli është anëtar i European Academy of Sciences and Arts, me një veprimtari të gjatë në fushën e ekonomisë, shkencës, arsimit dhe jetës publike.
Në fjalën e tij të pranimit të titullit, akad. Angjeli e cilësoi këtë vlerësim jo vetëm si një nder personal, por mbi të gjitha si një nxitje për të vijuar kontributin në shkencë dhe për të mbështetur shkencën, kulturën, arsimin, artin, publicistikën dhe veçanërisht poezinë.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, akademikëve, publicistëve, artistëve dhe poetëve të pranishëm, ai vlerësoi rolin e tyre në ruajtjen e kujtesës, identitetit dhe vlerave njerëzore, duke theksuar veprat e tyre janë pjesë e pandashme e rrugëtimit historik dhe shpirtëror të popujve.
Në këtë kontekst, akad. Angjeli solli në vëmendje vargjet e pavdekshme të Naim Frashërit:
“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar.”
Duke i cilësuar këto vargje si “betimin tonë poetik për identitetin tonë, për historinë tonë dhe për udhëtimin tonë në kohë”, ai nënvizoi rëndësinë e kulturës , edukimit dhe të fjalës poetike në formësimin dhe përcjelljen e identitetit kombëtar ndër breza.
Ceremonia në Prishtinë u shndërrua kështu në një moment të veçantë bashkimi mes shkencës, edukimit, kulturës artit dhe poezisë, duke sjellë në një hapësirë të përbashkët akademikë, poetë, artistë dhe personalitete nga vende të ndryshme.
Shkenca ndriçon të ardhmen, ndërsa kultura, edukimi, arti dhe poezia ruajnë kujtesën, identitetin dhe shpirtin e një populli.