Nisi punimet konferenca e 4-t kombëtare e matematikës, zbatime të matematikës NMC-2026
Veprimtaria dyditore nisi punimet sot më 9 nëntor 2026 e organizuar nga Instituti Kombëtar i Matematikës, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës. Konferenca e 4-të kombëtare e matematikës, zbatime të matematikës NMC-2026 (Fourth national conference in mathematics, mathematical applications) do të vijojë edhe në datë 10 nëntor 2026 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Prof. dr. Fatmir Hoxha, kryetar i Komisionit të Matematikës dhe Informatikës pranë ASHSH, hapi konferencën duke falënderuar ata që kanë dërguar punime, pjesëmarrësit e konferencës si dhe ata që kanë ndihmuar në organizimin e saj.
Ai theksoi se në konferencë do paraqesin punime të ftuar nga Universiteti i Teknologjisë i Graz-it Austri, Universiteti i Katalonjës, Barcelonë Spanjë, Instituti Teknik, Universiteti i Lisbonës Portugali si dhe referues nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Vlorës, i Korçës, Shkodrës, Durrësit, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti Epoka.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, i cili nënvizoi rëndësinë themelore të matematikës në arsim dhe në zhvillimin e shoqërisë bashkëkohore. Ai argumentoi se matematika nuk duhet parë si një disiplinë e izoluar, por si një nga dy shtyllat bazë të formimit shkollor, përkrah gjuhës, e cila strukturon komunikimin dhe identitetin kulturor, ndërsa matematika forcon mendimin racional dhe aftësinë analitike, duke krijuar kompetenca që gjejnë zbatim në të gjitha fushat e dijes.
Duke iu referuar nevojës për specialistë të kualifikuar në matematikën e zbatuar, akad. Gjinushi evidentoi rolin e Institutit Kombëtar të Matematikës, të ngritur pranë Akademisë së Shkencave, si një strukturë që kontribuon në forcimin e kërkimit shkencor dhe në krijimin e mundësive të reja profesionale për të rinjtë. Në këtë kontekst, ai nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së shkollës shqiptare të matematikës në formimin e specialistëve të nivelit të lartë, të aftë për të zbatuar njohuritë matematikore në praktikat dhe teknologjitë moderne.
Kryetari i Akademisë së Shkencave shprehu mirënjohjen për kontributin e organizatorëve të konferencës, duke veçuar kryetarin e Komisionit të Matematikës dhe Informatikës, prof. dr. Fatmir Hoxhën, anëtaren e jashtme të Akademisë, prof. Fioralba Cakoni nga Rutgers University (SHBA), si dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës, për përpjekjet e vazhdueshme në nxitjen e studimeve në fushën e matematikës dhe të shkencave të sakta.
Në vijim, akad. Gjinushi trajtoi edhe sfidat që lidhen me largimin e trurit, duke evidentuar strategjitë e Akademisë së Shkencave për përfshirjen e potencialit shkencor të studiuesve shqiptarë jashtë vendit në zhvillimin e kërkimit shkencor kombëtar.
Në kontekstin e zhvillimeve të sotme teknologjike, akad. Gjinushi argumentoi se inteligjenca artificiale mbështetet në mënyrë thelbësore në disiplinat matematikore, ndërsa kërkesa në rritje për profile si matematikanët e zbatuar dhe analistët e të dhënave po e shndërron matematikën në një nga fushat profesionale me perspektivën më të madhe. Në këtë kuadër, ai solli në vëmendje angazhimin e Akademisë së Shkencave për zhvillimin e matematikës së zbatuar, si një nga bazat kryesore të inovacionit dhe teknologjive të reja.
Në përfundim, ai nënvizoi domosdoshmërinë e mbështetjes së projekteve të përbashkëta kërkimore dhe të krijimit të mekanizmave që u mundësojnë specialistëve shqiptarë të nivelit të lartë të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, përmes forcimit të lidhjeve me institucionet shkencore shqiptare dhe vënies së ekspertizës së tyre në shërbim të kërkimit dhe inovacionit.
Më tej, dekania e Fakultetit të Shkencave të Natyrës (FSHN, UT). prof. dr Eglantina Kalluçi, pasi falënderoi kryesinë e Akademisë së Shkencave për bashkëpunimin dhe organizimin e kësaj konference u ndal në një nga objektivat kryesore të kësaj veprimtarie: nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të pjesëmarrjes së kërkuesve të rinj. Ajo vlerësoi tematikën e pasur të punimeve të kësaj konference, ku trajtohen çështje të rëndësishme si zbatimet bashkëkohore të matematikës në fusha të ndryshme, nga logjistika, energjia dhe telekomunikacioni te mjekësia, turizmi dhe inteligjenca artificiale.
Gjatë konferencës u prezantuan studime dhe rezultate kërkimore mbi zbatimet e matematikës në fusha të ndryshme të shkencës dhe teknologjisë, me fokus në modelimin matematikor të proceseve komplekse, optimizimin e sistemeve të transportit dhe logjistikës, analizën e të dhënave dhe përdorimin e inteligjencës artificiale dhe të të nxënit automatik.
Trajtim të veçantë morën zbatimet e matematikës në mjekësi, biologji, epidemiologji, energjetikë, telekomunikacion dhe turizëm, si dhe përdorimi i metodave kompjuterike në analizën e teksteve shkencore në gjuhën shqipe, parashikimin e fenomeneve natyrore dhe zhvillimin e sistemeve që garantojnë mbrojtjen e privatësisë së të dhënave. Krahas kërkimit të aplikuar, u prezantuan edhe rezultate në matematikën teorike, duke evidentuar lidhjen dhe ndërveprimin ndërmjet kërkimit themelor dhe zbatimeve bashkëkohore të matematikës.
