Konferenca shkencore ndërkombëtare “Vllehtë e Shqipërisë në kontekstin ballkanik”

Sot, më 9 nëntor 2026, kanë nisur në Tiranë punimet e konferencës shkencore ndërkombëtare dyditore me temë “Vllehtë e Shqipërisë në kontekstin ballkanik”, organizuar nga Komisioni i përhershëm i historisë pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Veprimtaria u hap nga kryetari i Komisionit të përhershëm të historisë, prof. dr. Paskal Milo, i cili vuri në dukje se historia e Shqipërisë kuptohet më mirë kur në studimet historike përfshihen të gjitha bashkësitë që kanë kontribuar në jetën e vendit, përfshirë edhe praninë, veprimtarinë dhe trashëgiminë kulturore të vllehve. Ai nënvizoi se marrëdhëniet historike ndërmjet shqiptarëve dhe popullsive të tjera të Ballkanit janë pjesë përbërëse e historisë sonë dhe se përvoja e vllehve duhet shqyrtuar në një kontekst më të gjerë rajonal.

Prof. dr. Milo u ndal te rëndësia e qasjes ndërdisiplinore në studimin e kësaj historie, duke vlerësuar ndërthurjen e burimeve veneciane dhe osmane, dokumentacionit kishtar, arsimor e tregtar me kërkimet gjuhësore, antropologjike, arkeologjike dhe etnomuzikologjike.

Sipas tij një vend të veçantë në konferencë, zë historia e Voskopojës dhe roli i saj në zhvillimet historike e kulturore të Shqipërisë dhe të rajonit. Gjithashtu, ai vlerësoi rëndësinë e studimeve mbi marrëdhëniet shqiptaro-vllahe, bashkëjetesën, shkëmbimet ekonomike dhe kontributin e këtij komuniteti në jetën kombëtare shqiptare. Në përfundim, prof. dr. Milo shprehu dëshirën që konferenca të shërbejë si nxitje për kërkime të përbashkëta, shkëmbim dokumentacioni dhe bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet studiuesve.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, konferencën e përshëndeti kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, akad. Gëzim Hoxha. Ai vlerësoi rëndësinë e studimit të komuniteteve historike si një mënyrë për të kuptuar më thellë zhvillimin e shoqërive dhe ndërveprimet kulturore në hapësirën ballkanike. Ai theksoi se historia dhe trashëgimia e vllehve janë pjesë e pandashme e historisë së Shqipërisë, por njëkohësisht lidhen me procese më të gjera historike, shoqërore dhe kulturore që kanë formësuar Ballkanin ndër shekuj.

Akad. Hoxha nënvizoi se Akademia e Shkencave e konsideron detyrë të saj mbështetjen e studimit objektiv të historisë dhe trashëgimisë kulturore, përmes kërkimit shkencor të mbështetur në burime, debatit të lirë akademik dhe bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërkombëtar. Ai vlerësoi programin e gjerë ndërdisiplinor të konferencës, i cili përfshin trajtimin e burimeve historike, etnonimeve dhe identiteteve, historisë së Voskopojës, arsimit, migrimit dhe trashëgimisë kulturore. Gjatë fjalës së tij, akad. Hoxha u ndal te rëndësia e pjesëmarrjes së studiuesve nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia Rumune, Akademia e Athinës, universitete dhe qendra të rëndësishme kërkimore evropiane, duke theksuar se kjo prani ndërkombëtare i jep konferencës një dimension të veçantë dhe dëshmon përfshirjen e studimeve mbi vllehtë në një dialog më të gjerë shkencor evropian.

Sipas tij, historia e Ballkanit nuk mund të kuptohet e izoluar, por kërkon një vështrim krahasues, respekt për kompleksitetin e proceseve historike dhe dialog të mbështetur në argumente shkencore.

Në vijim të punimeve të konferencës, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Majlinda Toçi, theksoi rëndësinë e studimit të historisë së vllehëve si pjesë e historisë së përbashkët dhe e pasurisë kulturore të shoqërisë shqiptare, duke nënvizuar se historia e një vendi nuk është vetëm historia e shumicës, por edhe e gjuhëve, komuniteteve dhe traditave që kanë bashkëjetuar ndër shekuj.

Ajo vlerësoi bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave për realizimin e ekspozitës bibliografike kushtuar vllehve, për të cilën Biblioteka Kombëtare ka vënë në dispozicion një përzgjedhje të gjerë botimesh, studimesh dhe dokumentesh nga fondet e saj. Sipas znj. Toçi, ekspozita synon të sjellë për publikun një panoramë të historisë, gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore të këtij komuniteti.

Punimet vijuan me sesionin e parë, kushtuar burimeve historike, etnonimeve dhe identiteteve. Prof. dr. Ferit Duka trajtoi praninë e vllehëve në Shqipëri sipas burimeve osmane të shekujve XV-XVI, akad. Pëllumb Xhufi praninë e tyre në viset shqiptare gjatë Mesjetës, ndërsa prof. dr. Dhori Q. Qirjazi figurën e Kostë Xhehanit, nxënës i Kavaliotit dhe “mësues” i Thunmann-it.

Sesioni i dytë, kushtuar Voskopojës, arsimit dhe rrjeteve kulturore ballkanike, përfshiu kumtesat e prof. dr. Nicolae Saramandu mbi identitetin kulturor dhe gjuhësor arumun, të prof. Chariton Karanasios mbi arsimin dhe kulturën greke ndër vllehtë e Shqipërisë, të dr. Andi Rembecit mbi tregtinë dhe rrjetet familjare në Kodikun e Mitropolisë së Korçës, si dhe të prof. dr. Konstantinos Dinas mbi Voskopojën si laborator të shumëgjuhësisë ballkanike.

Në sesionin e tretë, kushtuar arsimit, migrimit dhe filantropisë, prof. dr. Daniela-Carmen Stoica trajtoi shkollat rumune në Shqipëri, dr. Ina Arapi veprimtarinë filantropike të arumunëve voskopojarë në Budapest dhe Vjenë, ndërsa prof. dr. Nevila Nika veprimtarinë tregtare të familjeve vllahe në fillim të shekullit XIX.

Sesioni i katërt dhe i fundit, me temë “Studimet historike dhe kontributet shoqërore”, përfshiu kumtesën e prof. dr. Kaliopi Naska mbi kontributin e vllehëve grabovarë të Myzeqesë në lëvizjet patriotike kombëtare, atë të prof. Jovan Bizhytit mbi trajtimin e vllehëve në studimet vendase dhe të huaja, si dhe kumtesën e prof. dr. Dhimitër Bellos mbi arumunët e Shqipërisë në shekullin XIX, përmes dëshmive të Gustav Vajgandit.

Punimet e ditës së parë evidentuan rëndësinë e trajtimit shumëplanësh të historisë, gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë së vllehëve, duke nënvizuar nevojën për vijimin e kërkimeve shkencore dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.