U zhvillua seminari me temën “Sjellja ndaj zjarrit e fasadave të ventiluara: analiza termofluidike e efektit oxhak dhe roli i barrierave”

Më 5 qershor 2026 u zhvillua seminari me temën “Sjellja ndaj zjarrit e fasadave të ventiluara: analiza termofluidike e efektit oxhak dhe roli i barrierave”, i organizuar nga Komisioni i Inxhinierisë dhe Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike. Veprimtaria synoi të evidentojë rëndësinë e studimit të fasadave të ventiluara dhe të rreziqeve që lidhen me përhapjen e zjarrit në këto struktura.
Seminari u moderua nga akad. Jorgo Kaçani, kryetar i Komisionit të Inxhinierisë. Në fjalën e hapjes, ai u shpreh se organizimi i këtij seminari erdhi pas incidentit të zjarrit në fasadën e një ndërtese banimi, me qëllim analizimin e këtij fenomeni, evidentimin e shkaqeve dhe diskutimin e përgjegjësive të institucioneve dhe aktorëve të përfshirë, duke filluar nga studiot projektuese private dhe kompanitë e ndërtimit. Ai nënvizoi se bëhet fjalë për një problematikë komplekse, që përfshin aspekte të arkitekturës, ventilimit dhe faktorë të tjerë teknikë, të cilët kërkojnë trajtim të kujdesshëm dhe ndërdisiplinor. Gjithashtu, ai theksoi se seminari synon të ofrojë rekomandime dhe kontribute profesionale e shkencore për institucionet ligjvënëse dhe ligjzbatuese të vendit.
Akad. Kaçani falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht kolegët nga Kosova, duke vlerësuar kontributin e Komisionit të Inxhinierisë. Ai theksoi se çështje të tilla lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe sigurinë e qytetarëve, ndaj kërkojnë angazhim të përbashkët nga të gjithë aktorët përgjegjës.


Veprimtarinë e përshëndeti kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, akad. Neki Frashëri, i cili e vlerësoi seminarin si veçanërisht të rëndësishëm, sepse trajton një problematikë me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e ndërtesave moderne. Ai iu referua rasteve të zjarreve të rënda të regjistruara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, si shembuj që nxjerrin në pah nevojën për studime dhe analiza të specializuara në këtë fushë. Më tej, ai trajtoi faktorët kryesorë që ndikojnë në përhapjen e zjarrit dhe rolin e barrierave mbrojtëse në kufizimin e tij.
Në përmbyllje, akad. Frashëri vuri theksin te ndërgjegjësimi dhe përgatitja e profesionistëve të fushës së inxhinierisë dhe arkitekturës për sfidat që lidhen me sigurinë e ndërtesave në kushtet e zhvillimeve urbane bashkëkohore. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Akademisë së Shkencave në promovimin e zbatimit të standardeve, rregullave dhe protokolleve në fushën e inxhinierisë.
Veprimtarinë e përshëndetën gjithashtu përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve, ndër të cilët prof. dr. Mirlind Bruci, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës; prof. dr. Violeta Nushi, dekane e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës; znj. Valbona Dushi, udhëheqëse e Departamentit të Industrisë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit të Kosovës, si dhe përfaqësues nga Bashkia e Tiranës.
Sesioni i parë iu kushtua studimeve mbi fasadat e ventiluara dhe sjelljen e tyre ndaj zjarrit. Dr. Ramadan Alushaj, nga Universiteti Politeknik i Tiranës, prezantoi analizën termofluidike të efektit oxhak dhe rolin e barrierave mbrojtëse, ndërsa znj. Irida Branko dhe znj. Ani Tola, po nga i njëjti universitet, paraqitën një studim arkitektonik mbi ndërtesat me fasada të ventiluara dhe zgjidhjet e propozuara për parandalimin e përhapjes së zjarrit.
Pas prezantimeve, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime të gjera mbi sfidat teknike dhe arkitektonike që lidhen me këto sisteme fasadash, duke nënvizuar rëndësinë e përditësimit të standardeve të sigurisë për ndërtesat moderne.
