Vizita zyrtare e delegacionit të ASHSH-së në Kosovë: Takime institucionale në Prishtinë për forcimin e bashkëpunimit akademik e kulturor

Delegacioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), i udhëhequr nga Kryetari, akad. Skënder Gjinushi, në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, zhvilloi takime institucionale te Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Hajrulla Çeku, si dhe te Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci. Në përbërje të delegacionit ishin akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Anila Hoda, sekretare shkencore, si dhe akad. Anastas Angjeli.

Gjatë këtyre takimeve, delegacioni i ASHSH-së shoqërohej nga drejtuesit më të lartë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), përkatësisht nga Kryetarja, akad. Justina Shiroka-Pula, nënkryetari, akad. Fejzullah Krasniqi, dhe sekretari shkencor, akad. Bardh Rugova.

Takimet u zhvilluan në një frymë të lartë bashkëpunimi institucional dhe akademik, ku fokus i veçantë iu kushtua rëndësisë së forcimit të lidhjeve ndërmjet institucioneve shkencore, arsimore dhe kulturore në të gjithë hapësirën shqiptare.

Gjatë bisedimeve të përbashkëta u ritheksua roli i pazëvendësueshëm që akademitë kanë në zhvillimin e mëtejshëm të dijes, kërkimit shkencor, arsimit të lartë, si dhe në mbrojtjen e kultivimin e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.

Këto vizita shërbyen gjithashtu si një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mendime konkrete mbi bashkëpunimet e ardhshme ndërinstitucionale, veçanërisht në fushën e shkencës, arsimit, kulturës, botimeve akademike dhe promovimit të vlerave të përbashkëta kombëtare.

Në mbyllje, takimet e realizuara u vlerësuan lart si një hap i rëndësishëm në koordinimin dhe forcimin e mëtejshëm të komunikimit ndërmjet institucioneve akademike dhe atyre qeveritare në Kosovë dhe Shqipëri.