U zhvillua workshop-i i 5-të me temën “Nanotech Science Meets Industry: Research, Innovation and Collaboration”

Veprimtaria u zhvillua më 3 qershor 2026 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me synimin për të diskutuar zhvillimet më të fundit në nanoteknologji dhe aplikimet e saj në sektorë me rëndësi strategjike, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet kërkimit shkencor dhe industrisë.
Workshop-i synoi nxitjen e dialogut dhe krijimin e mundësive të reja të rrjetëzimit ndërmjet komunitetit akademik, institucioneve kërkimore, sektorit industrial dhe partnerëve ndërkombëtarë në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit. Veprimtaria u organizua nga qendra kërkimore e nanoteknologjisë NanoAlb/ NanoBallkan pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke mbledhur rreth 75 pjesëmarrës, mes të cilëve akademikë, kërkues shkencorë, përfaqësues të universiteteve, institucioneve kërkimore, industrisë, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Takimi u hap nga akad. Arben Merkoçi, drejtor i NanoAlb dhe profesor kërkimor në ICN2, i cili vlerësoi projektet “NanoAlb Ignite” dhe nënvizoi rolin e tyre në nxitjen e inovacionit, duke theksuar se bashkëpunimi midis shkencës e industrisë është rruga më e mirë për të kthyer në shoqëri investimin e bërë në kërkimin shkencor dhe për të adresuar çështje reale. Akad. Merkoçi e cilësoi workshop-in si një platformë të rëndësishme për avancimin e nanoteknologjisë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e më gjerë.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, veprimtarinë e përshëndeti sekretarja shkencore akad. Anila Hoda, e cila e vlerësoi workshop-in si një hapësirë që bashkon kërkimin shkencor, inovacionin dhe industrinë në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Ajo theksoi se nanoteknologjia dhe nanoshkencat përfaqësojnë ndër fushat më premtuese të shekullit XXI, me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësi, bujqësi, mbrojtjen e mjedisit, inteligjencën artificiale dhe sektorë të tjerë strategjikë.
Akad. Hoda nënvizoi se Akademia e Shkencave ka mbështetur vazhdimisht zhvillimin e fushave të reja kërkimore, duke krijuar struktura dhe iniciativa që nxisin ekselencën shkencore, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, ndërsa NanoAlb-in e cilësoi si një histori suksesi që ka arritur të krijojë një komunitet dinamik studiuesish, të zhvillojë aktorëve të inovacionit. Duke theksuar rolin e Akademisë në mbështetjen e kërkimit të avancuar dhe transferimit të dijes drejt shoqërisë, ajo shprehu bindjen se investimi në shkencë është investim në të ardhmen dhe se nisma të tilla rrisin konkurrueshmërinë e shkencës shqiptare në hapësirën evropiane dhe ndërkombëtare.
Sesioni i parë, i moderuar nga prof. dr. Kledi Xhaxhiu, solli një varg prezantimesh shkencore dhe teknologjike. Dr. Arjan Çiftja paraqiti teknologjitë e reja për furrat e gjeneratës së ardhshme në rritjen e kristaleve të silikonit për energjinë diellore; prof. dr. Flamur Sopaj diskutoi mbi degradimin elektrokimik të herbicideve përmes nanopartikujve të oksidit të grafenit; ndërsa Endri Dhaskali, CEO i InsectIntel, prezantoi një sistem inteligjent për monitorimin e insekteve në bujqësi me përdorim të inteligjencës artificiale.

Prof. dr. Magdalena Cara prezantoi risitë e nanoteknologjisë në diagnostikimin dhe menaxhimin e patogjenëve të bimëve, ndërsa përfaqësuesit e AZ Group, Alban Zusi dhe Hitendra Mehta, sollën perspektivën e sektorit industrial mbi aplikimin e teknologjive inovative dhe bashkëpunimin me institucionet kërkimore.
Në sesionin e dytë u trajtuan tema të tjera me interes shkencor dhe aplikativ. Prof. dr. Majlinda Vasjari paraqiti një punim mbi nanobiosensorët për mbetjet e pesticideve në bujqësi dhe industri ushqimore; Elda Elmazllari prezantoi aktivitetin e laboratorëve mjedisorë. Më tej, përfaqësues nga Merck Group prezantuan sistemet e pastrimit të ujit për kërkimin shkencor, Me interes ishte edhe prezantimi i Duslan Popovic nga Thermo Scientific, i cili paraqiti përdorimet e mikroskopisë elektronike në nanoshkencë.
Workshop-i ofroi një panoramë të gjerë të zhvillimeve bashkëkohore në nanoshkencë dhe nanoteknologji, duke evidentuar potencialin e tyre për adresimin e sfidave në fusha të tilla si shëndetësia, bujqësia, siguria ushqimore, mbrojtja e mjedisit dhe inovacioni industrial. Veprimtaria krijoi gjithashtu mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve, institucioneve kërkimore dhe përfaqësuesve të industrisë.



