U mbajt konferenca shkencore për promovimin e kolanës së botimeve shkencore të akademikut Rexhep Meidani

Më 25 maj 2026, u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare me temë, “Nga gigabota te grimcat elementare, gjithçka lëviz e vetorganizohet: kjo është fizika”, me rastin e promovimit të kolanës së veprës shkencore të akademikut Rexhep Meidani, kushtuar kategorive themelore të fizikës: hapësirës, kohës, materies dhe lëvizjes.
Aktiviteti u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe Institutin Kombëtar të Fizikës, me synimin për të vlerësuar rëndësinë e veçantë të këtyre botimeve në fushën e fizikës dhe të mendimit shkencor bashkëkohor, ku reflektohet përvoja shumëvjeçare akademike, kërkimore dhe intelektuale e autorit.
Akad. Mimoza Hafizi, drejtuese e Institutit Kombëtar të Fizikës dhe moderatore e veprimtarisë, në fjalën e mirëseardhjes theksoi se katër botimet e akad. Meidanit ishin arsyeja kryesore e organizimit të kësaj konference kushtuar fizikës. Ajo nënvizoi se Meidani mbetet thellësisht i lidhur me këtë disiplinë, të cilës i ka kushtuar gjithë jetën akademike dhe që e ka transmetuar me përkushtim te studentët dhe bashkëpunëtorët ndër vite.
Sipas saj, konferenca synoi të ndërthurte promovimin e botimeve me reflektimin mbi zhvillimet dhe sfidat aktuale të kërkimit shkencor në fizikë.
Në hapje të konferencës, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, përshëndeti pjesëmarrësit dhe organizatorët, duke vlerësuar promovimin e figurës akademike të Rexhep Meidanit si pjesë përbërëse të misionit institucional të Akademisë. Ai theksoi se vlerësimi i jetës dhe veprimtarisë së personaliteteve të shquara të shkencës nuk shërben vetëm për të evidentuar kontributet e tyre, por përbën një detyrim institucional dhe moral.

Akad. Gjinushi vuri në dukje rigorozitetin shkencor dhe korrektësinë e akad. Meidanit, duke e cilësuar atë si një personalitet që ka ndikuar jo vetëm në zhvillimin e fizikës, por edhe në jetën politike të vendit. Ai solli në vëmendje rolin e tij si President i Republikës gjatë krizës së vitit 1998, duke vlerësuar aftësinë e tij për të mbështetur zgjidhje institucionale dhe kushtetuese në një moment kritik për vendin.
Kryetari i Akademisë shprehu bindjen se botimet e reja të akad. Meidanit do të shërbejnë për të nxitur interesin e të rinjve për shkencat e natyrës dhe për të frenuar largimin e trurit nga Shqipëria. Ai u ndal veçanërisht te sfidat me të cilat përballen sot shkencat e natyrës, duke evidentuar kontrastin midis zhvillimit të vrullshëm të teknologjive moderne, përfshirë inteligjencën artificiale dhe eksplorimin hapësinor, dhe rënies së interesit të të rinjve për t’iu përkushtuar shkencave fondamentale.
Sipas tij, mjedisi akademik shqiptar ka detyrimin të promovojë modele të spikatura edhe në fushat natyrore dhe inxhinierike, krahas traditës së konsoliduar në shkencat albanologjike.
Veprimtaria e akad. Meidanit pasqyrohet në një numër të gjerë botimesh shkencore, filozofike dhe publicistike, ndër të cilat një vend të veçantë zënë katër titujt e promovuar në këtë konferencë.

Seanca e parë vijoi me fjalën e akad. Floran Vila, i cili e vlerësoi akad. Meidanin si personalitet me dimensione të mëdha akademike dhe kontribute shtetërore. Më pas, akad. Rexhep Meidani prezantoi një përmbledhje të punimeve shkencore me temën “Universi, materia, hapësirë-koha dhe lëvizja fizike”, ku paraqiti një panoramë të zhvillimeve bashkëkohore në fizikën teorike. Ai vuri theksin te disa nga temat themelore të fizikës që trajtohen në kolanën e librave të tij, si përbërja dhe evolucioni i universit, kategoria e materies, si dhe konceptet e hapësirës, kohës dhe lëvizjes. Ai e paraqiti fizikën si një proces vetorganizues, ku fenomenet e universit lidhen në mënyrë të brendshme dhe të vazhdueshme, duke e vendosur kërkimin shqiptar në dialog me zhvillimet ndërkombëtare dhe duke nxjerrë në pah dimensionin konceptual të fizikës përtej aplikimeve teknike.
Seanca e dytë vijoi me referime nga studiuesit prof. Claude Charlot nga Ecole Polytechnique, Francë, prof. Kimet Jusufi nga Universiteti i Tetovës, prof. dr. Margarita Ifti nga Universiteti i Tiranës dhe akad. Mimoza Hafizi. Ata trajtuan çështje të rëndësishme të fizikës moderne, duke u ndalur në zhvillimet e kërkimit mbi bozonin Higgs, problematikat e singulariteteve dhe energjisë së errët, lidhjet mes lëvizjes termike dhe sistemeve komplekse, si dhe panoramën e kërkimit shkencor në Shqipëri nga gigabota te grimcat elementare.
Në kuadër të konferencës u prezantuan gjithashtu edhe referime nga studentë doktorature, të cilët ndanë rezultatet e punës së tyre kërkimore në fusha të ndryshme të fizikës.
Aktiviteti shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve, promovimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.