Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet QSUNT-së dhe Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës pranë ASHSH-së

Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës (QKBGJ), pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me rëndësi për forcimin e kapaciteteve kërkimore-shkencore dhe diagnostikuese në vend, referuar VKM 298, dt 15.5. 2024, pika 4, “Për ngritjen e Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës”.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, si dhe të anëtarëve të Kryesisë së ASHSH-së. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtoresha e Përgjithshme e QSUNT-së, znj. Anxhela Paparizo, Drejtori i QKBGJ-së, akad. Genc Sulçebe, si dhe Kancelari i Akademisë së Shkencave, z. Ruzhdi Kuçi.
Kryetari i ASHSH falenderoi drejtoreshën e QSUNT për frymën e bashkëpunimit dhe i garantoi mbështetjen e ASHSH për aktivitete të përbashkëta mes dy institucioneve. Në fjalën e tij, akad. Skënder Gjinushi theksoi rëndësinë e krijimit dhe konsolidimit të njësive kërkimore, të përhershme dhe të përkohshme, në kuadër të ligjit të ri të Akademisë së Shkencave. Ai vlerësoi aktivitetin e deritanishëm të qendrave kërkimore të përkohshme, duke nënvizuar se Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës është krijuar në periudhën e pandemisë COVID-19.

Gjithashtu, ai u shpreh se fusha e bioteknologjisë dhe gjenetikës ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të rëndësishëm në zhvillimin shkencor, duke nënvizuar se qendrat konceptohen që të jenë pranë Akademisë së Shkencave, si Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës që është një bashkëpunim mes Universitetin të Tiranës, Universitetit të Mjekësisë, QSUNT-në dhe Universitetit Bujqësor. Sipas tij, qendra, e cila prej rreth dy vitesh funksionon si një njësi e përhershme mund të konsiderohet tashmë një institut i vogël kërkimor i bazuar në projekte.
Drejtoresha e QSUNT-së nga ana tjetër shprehu mirënjohjen për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për këtë bashkëpunim të rëndësishëm dhe vizionar. Ajo e vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes me Qendrën Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës si një hap të rëndësishëm për forcimin e kërkimit shkencor dhe zhvillimin e diagnostikës moderne në QSUNT.
Qëllimi i marrëveshjes është rregullimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe përcaktimi i kushteve të bashkëpunimit për përdorimin e infrastrukturës mbështetëse të QSUNT-së nga QKBGJ-ja, si dhe shfrytëzimi i ndërsjellë i kapaciteteve shkencore, laboratorike dhe diagnostikuese në funksion të interesit të përbashkët institucional.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ambientet e ish-Laboratorit Imunologjik pranë QSUNT-së, të vendosura në godinën e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, së bashku me pajisjet dhe asetet ekzistuese sipas inventarit përkatës, do t’i vihen në dispozicion Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për përdorim të përkohshëm dhe për qëllime kërkimore-shkencore.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e infrastrukturës kërkimore dhe në avancimin e kërkimit shkencor në fushën e bioteknologjisë dhe gjenetikës në Shqipëri.