Nis edicioni i 6-të i konferencës ndërkombëtare “NanoBalkan Conference 2026”
Sot, më 26 tetor 2026, nisën punimet e edicionit të gjashtë të konferencës ndërkombëtare “NanoBalkan Conference 2026”.
Punimet e konferencës u drejtuan nga akad. Arben Merkoçi, drejtues i njësisë kërkimore NanoAlb në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Në fjalën e hapjes ai falënderoi pjesëmarrësit dhe bëri me dije prurjet e këtij edicioni, i cili bëri bashkë 174 kërkues, profesorë e ekspertë nga 19 shtete të botës.
Akad. Merkoçi shprehu mirënjohjen për Akademinë e Shkencave dhe Kryetarin e saj akad. Skënder Gjinushin, për mikpritjen e bashkëorganizimin, duke vlerësuar rolin e NanoAlb-it në lidhjen e shkencëtarëve shqiptarë me komunitetin ndërkombëtar dhe zhvillimin e nanoshkencës në Ballkan. Gjithashtu, ai nënvizoi se programi i Kongresit përmbante seanca plenare, workshop-e të specializuara të bashkëpunimit me Spanjën, Italinë e Japoninë, si dhe një shkollë trajnuese për nanobiosensorët e një forum nga akademikët e rinj.
Konferenca u vlerësua si një platformë kyçe për bashkimin e ekspertizës dhe inovacionit shkencor edhe nga zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Eugena Tomini. Ajo theksoi se përparimet në nanoteknologji dhe nanomjekësi hapin perspektiva të reja për diagnostikimin e hershëm dhe shëndetësi më të qëndrueshme, ndërsa në përfundim falënderoi Akademinë e Shkencave dhe organizatorët, duke u uruar pjesëmarrësve suksese.
Duke folur në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sekretarja shkencore, akad. Anila Hoda, uroi mirëseardhjen e pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare kushtuar nanoshkencës, duke vlerësuar rëndësinë e saj për zhvillimin e bashkëpunimit shkencor në rajon dhe më gjerë.
Pasi çmoi punën e njësisë NanoAlb dhe të komitetit shkencor për organizimin e kësaj veprimtarie dhe bashkimin e studiuesve në Tiranë, akad. Hoda theksoi rolin e qendrave dhe komisioneve të ASHSH-së në nxitjen e kërkimit ndërdisiplinor, si edhe në përfshirjen e studiuesve të rinj dhe të diasporës shkencore përmes mbështetjes së projekteve kërkimore.
Në këtë kontekst, akad. Hoda theksoi se reforma e Akademisë së Shkencave synon të forcojë rolin e saj në organizimin, nxitjen dhe zhvillimin e kërkimit shkencor, duke krijuar hapësira më të mëdha për bashkëpunimin ndërdisiplinor, mbështetjen e studiuesve të rinj dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Më tej, ajo vuri në dukje se ekselenca dhe cilësia shkencore kërkojnë integritet, bashkëpunim dhe hapje ndërkombëtare, duke e lidhur këtë vizion me Strategjinë e Specializimit Inteligjent (S3) dhe me angazhimet e Procesit të Berlinit për forcimin e financimit të qëndrueshëm dhe të autonomisë së kërkimit shkencor.
Në përfundim, akad. Hoda bëri thirrje për rritjen e vëmendjes ndaj studiuesve të rinj dhe për shndërrimin e rezultateve të kërkimit shkencor në zgjidhje e aplikime konkrete në dobi të zhvillimit të shoqërisë, duke u uruar pjesëmarrësve diskutime frytdhënëse dhe suksese në edicionin e gjashtë të konferencës “NanoBalkan 2026”.
Punimet e ditës së parë të konferencës ndërkombëtare “NanoBalkan Conference 2026” vijuan sipas programit me seancat plenare. Gjatë aktivitetit, studiues dhe akademikë të shquar nga vende të ndryshme të botës prezantuan kumtesat e tyre shkencore mbi zhvillimet më të fundit në fushën e nanoteknologjisë, biosensorëve, elektronikës 2D dhe nanomjekësisë dhe diskutime aktive mes pjesëmarrësve në sallë dhe online.
