“Ballkani Perëndimor në Evropë: Njerëzit – Inovacioni – Transformimi”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në Konferencën e 10-të të Procesit të Berlinit
Akademia e Shkencave e Shqipërisë mori pjesë në Konferencën e 10-të të Përbashkët Shkencore të Procesit të Berlinit, të zhvilluar në datat 12-14 tetor 2026 në Podgoricë dhe të koordinuar nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina, në bashkëpunim me akademi dhe institucione të tjera evropiane. Akademia shqiptare u përfaqësua nga zëvendëskryetari, akademik Vasil Tole.
Në përfundim të konferencës, institucionet pjesëmarrëse miratuan një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 21 tetor 2026, në prag të Samitit të 12-të të Ballkanit Perëndimor. Dokumenti thekson rëndësinë e forcimit të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit si shtylla të integrimit evropian dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.
Deklarata u bën thirrje qeverive të rrisin investimet në sektorin e dijes, të garantojnë financim dhe rekrutim mbi bazën e meritës, si dhe të modernizojnë institucionet shkencore dhe universitare. Një vëmendje e veçantë i kushtohet të rinjve, krijimit të mundësive për punësim dhe kërkim shkencor, si dhe masave për të frenuar largimin e talenteve nga Ballkani Perëndimor.
Gjithashtu, dokumenti nënvizon nevojën për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e inovacionit, përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale dhe institucionalizimin e këshillimit të pavarur shkencor, në mënyrë që politikat publike dhe investimet të mbështeten në prova dhe ekspertizë shkencore.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë është ndër institucionet nënshkruese të deklaratës së përbashkët, e cila synon të nxisë modernizimin e sektorit të dijes dhe të forcojë rolin e tij në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Për deklaratën e plotë klikoni këtu.
