Akademia e Shkencave nderon në 90-vjetorin e lindjes anëtarin dhe ish-kryetarin e saj, akademik Myzafer Korkuti

Sot, më 18 maj 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua aktiviteti jubilar kushtuar 90-vjetorit të lindjes së akademikut Myzafer Korkuti. Veprimtaria u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë dhe Komisionin e Përhershëm të Arkeologjisë, me pjesëmarrjen e akademikëve, kolegëve dhe miqve të akad. Korkutit.
Kryetari i SSHSHA, akad. Gëzim Hoxha, vuri në dukje se veprimtaria shkencore për ditëlindjen jubilare të arkeologut të shquar akad. Myzafer Korkuti synon të sjellë në vëmendje kontributin e tij në studimet mbi etnogjenezën e ilirëve, rolin e tij në drejtimin e arkeologjisë shqiptare, si dhe ndikimin e tij në arkeologjinë e Kosovës.
Veprimtarinë e përshëndeti Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi. Fillimisht ai i shprehu akad. Korkutit urimet më të përzemërta në këtë përvjetor, duke i shoqëruar me mirënjohjen më të thellë institucionale për një jetë të tërë të përkushtuar ndaj shkencës, dijes dhe identitetit kulturor të historisë e origjinës së vendit dhe popullit tonë. “Edhe një herë, mirënjohjen tonë më të sinqertë për gjithçka që keni bërë për shkencën shqiptare”, u shpreh ai.
Më tej, Kryetari i Akademisë vlerësoi jetën dhe veprën e profesor Korkutit si një shembull të përkushtimit dhe vizionit shkencor, duke theksuar rolin e tij në themelimin e arkeologjisë prehistorike shqiptare, në drejtimin e ekspeditave të rëndësishme dhe në formimin e brezave të rinj. Ai nënvizoi se “emri dhe vepra e akad. Korkutit do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së Akademisë dhe të shkencës shqiptare”.
Në fund të fjalës së tij, akad. Gjinushi vlerësoi edhe një dimension të veçantë të personalitetit të tij, siç është ai i pedagogut dhe formuesit të brezave. Për dekada me radhë, ai ka qenë një udhërrëfyes i sigurt për studentët dhe studiuesit e rinj, duke përcjellë jo vetëm dije, por edhe metodë, etikë shkencore dhe pasion për kërkimin. Po aq i rëndësishëm është edhe roli i tij si drejtues. Si drejtor i Institutit të Arkeologjisë në disa periudha kyçe, si dhe si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai ka kontribuar në konsolidimin dhe zhvillimin e institucioneve shkencore, duke forcuar rolin e tyre në jetën akademike dhe shoqërore të vendit.
Akad. Gjinushi u shpreh se vlerësimet dhe dekoratat e larta shtetërore e akademike që ai kishte marrë ndër vite ishin dëshmi e një vlerësimi të merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.