Akademia e Shkencave e Shqipërisë pjesë e simpoziumit ndërkombëtar mbi “Inteligjencën Artificiale në Arsimin e Lartë”
Në datat 11–12 maj 2026, në Ankara, Turqi, u zhvillua simpoziumi ndërkombëtar mbi “Inteligjencën Artificiale në Arsimin e Lartë”, i organizuar nga Akademia Turke e Shkencave (TÜBA) dhe Shoqata e Akademive dhe Shoqërive të Shkencave në Azi (AASSA), me mbështetjen e Partneritetit Ndërakademik (IAP), në Universitetin e Shkencave Sociale të Ankarasë (ASBÜ).
Simpoziumi mblodhi së bashku përfaqësues të akademive, ekspertë dhe studiues nga Shqipëria, Azerbajxhani, Bangladeshi, India, Malajzia, Pakistani, Filipinet, Rumania, Serbia dhe Turqia.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë në këtë aktivitet u përfaqësua me akad. Ilirjan Malollari, i cili kontribuoi në diskutimet mbi integrimin e inteligjencës artificiale në arsimin e lartë, me fokus kryesisht në edukimin inxhinierik, kërkimin shkencor dhe inovacionin. Ai ndau gjithashtu njohuri mbi zhvillimet, mundësitë dhe sfidat aktuale në këtë fushë përmes prezantimit të tij me titull: “Artificial Intelligence in Education and Scientific Research: Trends, Challenges, and Opportunities — The Albanian Approach”.
Aktiviteti u përqendrua në diskutimin e rolit transformues të inteligjencës artificiale në arsimin e lartë dhe në vlerësimin e qasjeve bashkëpunuese ndaj sfidave të reja. Simpoziumi theksoi perspektivat ndërdisiplinore dhe bashkëpunimin rajonal për të promovuar përdorimin e përgjegjshëm dhe efektiv të IA-së në universitete dhe në institucione kërkimore. Diskutimet mbuluan një gamë të gjerë temash, duke përfshirë bashkëpunimin akademik në rajonin euromesdhetar, transformimin e sistemeve të arsimit të lartë në Evropë dhe në Azi, rolin e IA-së në shëndetësi, bujqësi, studimet mbi rrezikun dhe mjedisin, si dhe perspektivat e politikave kombëtare mbi integrimin e IA-së në universitete.
Simpoziumi u hap me fjalën përshëndetëse të Presidentit të TÜBA-s, prof. dr. Muzaffer Şeker; të Presidentit të AASSA-s dhe Anëtarit të Plotë të TÜBA-s, prof. dr. Ahmet Nuri Yurdusev.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit u organizuan katër sesione tematike me titujt: “Qeverisja e IA-së, politikat dhe përshtatja strategjike në arsimin e lartë”, “Edukimi i ekspertëve të IA-së për ekonominë e dijes”, “Integrimi i IA-së në universitete: mundësi dhe sfida” dhe “Perspektiva rajonale dhe globale mbi IA-në në arsimin e lartë”.
Ndër prezantimet kryesore u veçuan ato të prof. dr. Muazzam Khattak nga Universiteti Quaid-i-Azam, Pakistan; prof. dr. Mohamed Hadi Habaebi nga Universiteti Ndërkombëtar Islamik i Malajzisë; prof. asoc. dr. Alina Andreica nga Universiteti Babeș-Bolyai, Rumani; dhe prof. dr. Alvin B. Culaba nga Akademia Kombëtare e Shkencës dhe Teknologjisë e Filipineve.
Simpoziumi nxiti me sukses dialogun ndërmjet ekspertëve nga rajone dhe disiplina të ndryshme dhe kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale në arsimin e lartë. Një përmbledhje e abstrakteve të simpoziumit iu shpërnda të gjithë pjesëmarrësve, ndërsa punimet e plota do të botohen në një vëllim të veçantë me status të indeksuar.
