Marrëveshje ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Rrjetit Akademik Shqiptar
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH), më 7 maj 2026, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që përcakton kuadrin institucional të partneritetit në fushën e infrastrukturës digjitale dhe shërbimeve mbështetëse për publikimet akademike.
Marrëveshja u firmos nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi dhe Drejtori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Bordit të RASH-it, dr. Arjan Xhelaj.
Ky bashkëpunim synon krijimin, zhvillimin, mirëmbajtjen, hostimin dhe administrimin teknik të portalit të revistave shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si institucioni më i lartë shkencor në vend, dhe RASH, si struktura përgjegjëse për zhvillimin dhe administrimin e infrastrukturës teknologjike dhe rrjeteve akademike, bashkëpunojnë për të garantuar funksionimin e qëndrueshëm dhe modern të platformës së revistave shkencore dhe rritjen e cilësisë së publikimeve akademike në Republikën e Shqipërisë.
RASH kontribuon gjithashtu në mirëmbajtjen e infrastrukturës digjitale në shërbim të arsimit dhe shkencës, duke siguruar ndërlidhjen e rrjetit akademik shqiptar me rrjetin evropian GÉANT.
Nënshkrimi i këtij akti përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve akademike dhe konsolidimit të infrastrukturës së publikimeve shkencore.
