• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
Resolving Issues

Biblioteka Shkencore

Rreth BASH

Biblioteka shkencore e Akademisë së Shkencave (BASH) është njësia qendrore që ofron informacion dhe mbështetje të specializuar për kërkimin shkencor dhe studimin nëpërmjet burimeve dhe shërbimeve që vë në dispozicion, duke siguruar qasje në literaturën shkencore, studime të specializuara, libra, revista shkencore dhe materiale të tjera akademike. Ajo ofron një gamë shërbimesh për kërkuesit shkencorë, studiuesit dhe studentët, duke përfshirë konsultimin e literaturës, mbështetje në organizimin e hulumtimeve dhe qasje në burime elektronike.

Biblioteka përbëhet nga fondet bibliotekare të instituteve shkencore të Akademisë, të cilat funksionojnë si filiale të saj: Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Qendra e Studimit të Arteve. Këto fonde përbëjnë koleksionin e përbashkët të bibliotekës shkencore dhe janë të integruara në rrjetin kombëtar të informacionit bibliografik COBISS.

Historiku

 

Biblioteka u krijua në vitin 1975, duke trashëguar koleksionet e pasura të ish-Institutit të Studimeve Shqiptare (1940–1944), të Institutit të Studimeve (1946–1948) dhe të Institutit të Shkencave (1948–1957), institucione ku kanë kontribuar dijetarë që kanë lënë gjurmë në historinë e gjuhës shqipe dhe të albanologjisë.

Fillimisht, krahas bibliotekës qendrore, funksiononin edhe katër filiale pranë instituteve shkencore të Akademisë: Biblioteka e Albanologjisë pranë Institutit të Historisë, Biblioteka e Institutit të Kulturës Popullore, Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë dhe ajo e Institutit të Fizikës Bërthamore. Pas vitit 2007, në kuadër të reformës në Akademinë e Shkencave, Biblioteka mbeti si institucion qendror pa filiale.

Në vitin 2024, me riorganizimin e Akademisë së Shkencave dhe bashkimin e saj me institutet shkencore, u bë bashkimi i fondeve bibliotekare të këtyre instituteve në një rrjet të unifikuar. Kështu, Biblioteka Shkencore e ASHSH-së  përfshin sot fondet e Institutit të Historisë, të Gjuhësisë dhe Letërsisë, të Arkeologjisë, të Antropologjisë Kulturore dhe të Qendrës së Studimit të Arteve, të integruara në rrjetin kombëtar të informacionit bibliografik COBISS.

Tashmë Katalogu online i koleksioneve të BASH-së i krijuar në vitin 2012,  është zgjeruar duke përfshirë edhe fondet bibliotekare të instituteve shkencore të Akademisë.

Fondi i përgjithshëm përbëhet nga rreth 180 mijë vepra në disiplina të ndryshme: filologji, histori, shkenca natyrore e inxhinierike, etnografi, arkeologji etj. Koleksioni përmban kryesisht botime në gjuhën shqipe, por edhe në anglisht, frëngjisht, italisht e rusisht.

Biblioteka ka përmirësuar ndjeshëm shërbimet e saj, veçanërisht me pasurimin e burimeve elektronike dhe me ofrimin e qasjes digjitale për kërkuesit shkencorë. Ajo bashkëpunon me institucione shkencore e kulturore brenda dhe jashtë vendit dhe është qendër organizimi për seminare dhe takime shkencore.

Që prej vitit 2017, BASH ka iniciuar procesin e krijimit të bibliografive online të kërkuesve shqiptarë, duke nisur me bibliografinë e historianit Kristo Frashëri e më tej me bibliografitë e personaliteteve : Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Andromaqi Gjergji, Luan Omari etj.

Misioni dhe detyrat

 

Misioni i Bibliotekës shkencore të Akademisë së Shkencave  është të mbështesë kërkimin shkencor dhe zhvillimin e dijes, përmes mbledhjes, ruajtjes, përpunimit dhe shpërndarjes së informacionit shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar.

Detyrat kryesore të bibliotekës janë:

  • Të sigurojë qasje të gjerë dhe të barabartë në burimet shkencore për akademikët, studiuesit dhe publikun e specializuar;
  • Të zhvillojë dhe administrojë fondet bibliotekare dhe digjitale të Akademisë së Shkencave;
  • Të mbështesë shkencën e hapur dhe qasjen e lirë në rezultatet e kërkimit;
  • Të bashkëpunojë me rrjete bibliotekare kombëtare e ndërkombëtare për shkëmbimin e dijes dhe burimeve.

Veprimtaritë kryesore

 

  • Koleksionimi dhe ruajtja e burimeve shkencore
    Biblioteka mbledh, katalogon dhe ruan literaturë shkencore nga fusha të ndryshme, nëpërmjet blerjeve, shkëmbimeve dhe dhuratave. Ajo pasuron fondin e saj, duke siguruar përditësimin dhe cilësinë e koleksioneve.
  • Mbështetje për kërkuesit dhe studiuesit
    Ofron ndihmë të specializuar në kërkimin dhe menaxhimin e literaturës shkencore, përmes katalogëve elektronikë, bibliografive dhe referencave shkencore.
  • Qasje në burime elektronike dhe asistencë
    Siguron akses në databaza dhe platforma digjitale me përmbajtje shkencore të përditësuar. Përdoruesit ndihmohen në kërkimin dhe menaxhimin e artikujve dhe materialeve shkencore.
  • Digjitalizimi i informacionit shkencor
    Kryen digjitalizimin e fondeve bibliotekare dhe të veprimtarisë shkencore të kërkuesve të Akademisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të katalogimit dhe ruajtjes së informacionit përmes sistemit COBISS.
  • Promovimi i dijes dhe veprimtarisë shkencore
    Mbështet promovimin e botimeve dhe aktiviteteve shkencore përmes ekspozitave të librit, prezantimeve, promovimeve dhe veprimtarive që lidhen me dijen dhe kërkimin shkencor.

Shërbimet e bibliotekës

 

Biblioteka ofron shërbime të informacionit dhe asistencë për kërkimin shkencor, me qëllim mbështetjen e punës kërkimore të akademikëve dhe studiuesve.

Përmes bibliotekës ofrohen:

  • Katalogu online i BASH që është pjesë e rrjetit COBISS.AL që përfshin bibliotekat universitare, speciale dhe publike në Shqipëri;   https://plus.cobiss.net/cobiss/al/sq/bib/search?db=bash
  • Katalogët tradicionalë, në formën manuale me skeda, (skedarë sistematikë dhe alfabetikë)
  • Bibliografitë online të kërkuesve shkencorë:

       https://akad.gov.al/bibliografite-shkencore-online/

  • Biblioteka digjitale (Revistat dhe botimet shkencore digjitale të Akademisë së Shkencave, të aksesueshme përmes sistemit COBISS+);

       https://akad.gov.al/biblioteka-digjitale/

  • Qasje në burime elektronike dhe platforma kërkimore të integruara me bibliotekën.

       https://akad.gov.al/burime-online/

       UNPAYWALL: https://plus.cobiss.net/cobiss/al/sq/unpaywall?mode=advanced

 
  • Biblioteka Online që mundëson kërkime, rezervime dhe ndjekje të huazimeve personale;

Anëtarësimi në bibliotekë

 

Anëtarësimi në BASH realizohet përmes Kartës digjitale të anëtarësimit, e cila siguron identifikimin unik të përdoruesit dhe shfrytëzimin e shërbimeve të bibliotekës.

Karta digjitale ofron:

  • huazim librash përmes programit COBISS/Huazimi;
  • qasje në fondet bibliografike dhe burimet elektronike;
  • komunikim dhe njoftime elektronike nga biblioteka.

Përmes kartës, përdoruesit mund të:

  • menaxhojnë materialet e huazuara dhe rezervimet;
  • ndjekin afatet dhe detyrimet në kohë reale;
  • marrin njoftime për publikime të reja;
  • përdorin Biblioteka Online për kërkim, rezervim, shtyrje afatesh dhe orientim në hartë drejt bibliotekës.