Simpoziumi i X Ndërkombëtar "Biodiversiteti, Ruajtja dhe Përdorimi i Qëndrueshëm për Zhvillimin Rural"
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Fushë Krujë dhe Korçë dhe Shoqata “Albagene” në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Kosovë dhe Universitetin e Tetovës, Maqedoni organizuan më 12 dhjetor 2014, për të pestin vit radhazi në Tiranë, Simpoziumin X Ndërkombëtar mbi Biodiversitetin. Ky simpozium u zhvillua në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pas fjalës së hapjes nga prof. dr. Kristaq Kume, si organizatori kryesor i simpoziumit, përshëndetën z. Alban Zusi, zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; prof. dr. Salvatore Bushati, sekretar i Seksionit të shkencave natyrore dhe teknike i Akademisë së Shkencave; prof. Hysen Bytyçi, përfaqësues i Universitetit të Prishtinës, Kosovë; prof. dr. Adrian Maçi, dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe prof. Hazir Pollozhani, dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, në Universitetin e Tetovës, Maqedoni. Seancën plenare të simpoziumit e hapi prof. dr. Kristaq Kume me referatin “Ferma familjare-mundësi reale për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të agrobiodiversitetit. Znj. Uarda Hoti dhe z. Forcim Kola, përfaqësues të F.A.F. sh.a. mbajtën referatin “Mbështetja financiare e bio-fermës. Rasti i FAF sh.a”, ndërsa Z. Ismail Bega, përfaqësues i GIZ-Albania referoi temën “Përdorimi i qëndrueshëm i Agrobiodiversitetit në Alpet e Shqipërisë nëpërmjet agroturizmit, një e ardhme zhvillimi për banorët e zonës. Përvoja nga Projekti i GIZ”. Referati “Institucionet mikrofinanciare dhe ndikimi i aktivitetit të tyre në ruajtjen e biodiversitetit” u mbajt nga z. Bajram Muçaj dhe z. Altin Muçaj. Në punimet në dy seksionet e veçanta (Biodiversiteti në bimë dhe Biodiversiteti në kafshë), u përfshinë rreth 190 kërkues dhe specialistë të fushave të ndryshme të biologjisë, bujqësisë, blegtorisë, ekologjisë etj., kryesisht kërkues të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe të Korçës, si dhe nga të gjitha trevat shqiptare, Kosovë dhe Maqedoni. Programi i simpoziumit u përqendrua në punimet shkencore më të shquara të vitit në fushën e ruajtjes dhe përdorimit të qëndrueshëm të biodiversitetit për zhvillimin rural, si dhe në shkëmbimin e njohurive dhe të përvojës në praktikat e ruajtjes dhe përdorimit të qëndrueshëm bujqësor dhe mjedisor. Qëllimi i simpoziumit u realizua nga paraqitja e rezultateve shkencore: 25 punime mbi biodiversitetin në kafshë dhe 52 punime mbi biodiversitetin në bimë. Në fushën e biodiversitetit dhe të prodhimit shtazor, në vazhdën e punimeve të viteve të fundit u prekën me përparësi problemet e karakterizimit gjenetiko-racor dhe të kushteve të menaxhimit të qëndrueshëm të popullatave të racave autoktone me vlera ekonomike, si të dhisë “Caporja e Dragobisë”, dhisë së Hasit, të Liqenasit, buajve, gjedhit të racës “Busha”, popullata të ruajtura jo vetëm në Shqipëri, por dhe në trevat e Kosovës dhe të Maqedonisë. Në simpozium iu kushtua vëmendje e veçantë rezultateve të studimeve në fushën e prodhimit dhe të cilësisë së mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tij, si për rajone të Shqipërisë, ashtu edhe për Kosovën dhe Maqedoninë, duke u përqendruar në studime jo vetëm mbi bagëtitë e imëta dhe gjedhin, por edhe për popullata specifike si të buajve, për problemet e të ushqyerit të derrave në fermat e derrave etj. Një vend të veçantë zunë problemet e karakterizimit deri në nivel gjenetik të shkaktarëve patogjenë të sëmundjeve të ndryshme në blegtori, tek peshqit etj., duke cekur dhe problemet shqetësuese të kontrollit të infeksioneve në kafshët e shoqërimit, si dhe përvojën në menaxhimin e vaksinimit për sëmundjen e tërbimit tek kafshët e egra. Gjithashtu u prekën problemet e ndotjes në produktet blegtorale, të shkaktuara nga mykotoksinat apo të ndotjes së mjedisit nga të ushqyerit e kafshëve. Në simpozium u paraqitën me përparësi dhe rezultate të përdorimit të teknologjive të ndryshme si optimizimi i performancave riprodhuese, efekti i dietave me zëvendësim qumështi, përdorimi i ushqimeve të balancuara, duke vlerësuar dhe rentabilitetin e fermave që përdorin teknologji të reja. Në seksionin e biodiversitetit dhe të prodhimit bimor, një vëmendje e veçantë iu kushtua problemeve lidhur me ruajtjen dhe vlerësimin e gjermoplazmës së kultivarëve autoktonë të specieve me rëndësi në ekonominë e trojeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, si për popullata autoktone të ullirit, të hardhisë, misrit, patates, bimëve mjekësore si Gentiana lutea, sherbela, lulëkuqja etj. Pikësynimi i programeve europiane për përmirësimin e dietës ushqimore të popullsisë nëpërmjet përfshirjes së lëndëve të veçanta, si antioksidantët, vitaminat etj., kanë motivuar edhe kërkuesit tanë për studimin e specieve frutore me përdorim të paktë si boronica, rrusharusha, hidja etj., me qëllim vlerësimin deri në kultivimin e tyre. Problem kryesor në qendër të studimeve konsiderohet jo vetëm vlerësimi i biodiversitetit dhe monitorimi i tij, por edhe përdorimi i qëndrueshëm i tij me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të eko- dhe agroturizmit. Një pjesë e mirë e kumtimeve paraqitën rezultate të kërkimit për evidentimin e potencialit të zonave të veçanta në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare: në zonën e Rrajcës, në krahinën Lumë-Gorë, në rajonin ndërkufitar të Hasit, në Bjeshkët e Namuna dhe Rrafshin e Dukagjinit, Ishëm, në zona të Sarandës etj. Simpoziumi paraqiti një tablo interesante për arritjet shkencore për ruajtjen dhe përdorimin e biodiversitetit si faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të rajoneve rurale të vendit. Teknologjitë e reja në kultivimin e specieve të veçanta, në luftimin e patogjenëve të ndryshëm shkaktarë të sëmundjeve në speciet frutore apo perimore, treguan mundësitë e metodave të ndryshme për një prodhim jo vetëm sasior, por edhe më cilësor. Diskutimet e kërkuesve dhe specialistëve të ndryshëm shtruan si detyrë të menjëhershme përfshirjen e studimeve për ndikimin e teknologjive të ndryshme agroteknike në ndotjen e mjedisit. Referimet e plota të simpoziumit të përgatitura nga autorët si artikuj shkencorë, do të botohen së afërmi në “Proceedings Book” të këtij simpoziumi. Bashkëngjitur fjala e akad. prof. dr. Salvatore Bushati, si përfaqësues i Akademisë së Shkencave, mbajtur në simpozium.
Lexoni fjalën e akad. prof. dr. Salvatore Bushati…