Akademia e Shkencave do të organizojë më 29 prill veprimtarinë për 130-vjetorin e lindjes së Osman Myderrizit

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ditën e enjte më 29 prill 2021, ora 11.00, do të organizojë veprimtarinë “Në përkujtim të studiuesit të shquar Osman Myderrizi, 130-vjetori i lindjes (1891–1973)”.

Veprimtaria do të mbahet me pjesëmarrje fizike dhe online në sallën “Aleks Buda” dhe do të hapet nga akad. Pëllumb Xhufi Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike.

Do të kumtojnë:

-Prof. Seit Mansaku: Vepra gjuhësore e prof. Osman Myderrizit

– Prof. Ferit Duka: Osman Myderrizi orientalist i shquar shqiptar

– Akad. Albert Doja: Osman Myderrizi, një pionier i harruar i qasjeve shkencore në studimet shqiptare

– Phd. Enika Abazi: Osman Myderrizi, një jetë mes njerëzve të mençëm

Osman Myderrizi ka qenë studiues, mësues e veprimtar politik. Ai lindi në Tiranë ku kreu dhe studimet në shkollën pedagogjike dhe në vitet 1913–1922 ka punuar si mësues e drejtor shkolle.

Në vitin 1920 ka drejtuar gazetën “Zani i ri” që dilte në Tiranë. Dy vjet më vonë u zgjodh deputet i qarkut të Durrësit, ndërsa më 1924-n u zgjodh përfaqësues i Tiranës në Asamblenë Kushtetuese.

Pas një kohe të shkurtër mërgimi, në vitet 1929–1947 ai u rikthye në atdhe dhe punoi me detyra të ndryshme në arsim. Veç shkrimeve me karakter metodiko-mësimor për nevoja të shkollës O.Myderrizi hartoi tekstin “Gramatika e re e shqipes: – fonetikë e morfologji” (1944). Më pas ishte punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, ku mori pjesë në komisionin hartues të “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954) dhe u mor me gjurmimin e letërsisë së shkruar me alfabetin arab, si edhe me studimin e botimin e saj. Këtë punë e vijoi edhe në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë. Ai ka meritën e zbulimit të disa autorëve bejtexhinj dhe të transkriptimit e të studimit të teksteve të tyre. Studimet e tij në këtë fushë u përgjithësuan në monografinë “Letërsia shqipe me alfabet arab”. Vitet e fundit ai u mor me përgatitjen e botimit kritik të teksteve të kësaj letërsie. Në fushën e leksikografisë Osman Myderrizi përgatiti botimin kritik të fjalorit të Hafiz Ali Ulqinakut (1965). Ai ka dhënë ndihmesë edhe në diskutimet për çështje të veçanta të historisë së Shqipërisë.

Për ata që do të ndjekin veprimtarinë online:

Zoom Meeting:

https://us02web.zoom.us/j/84893513579?pwd=aFlyRWtaODZaVDhnRDNCMy9Jei9aQT09

Meeting ID: 848 9351 3579

Passcode: 019873