U zhvillua Asambleja XIII e Përgjithshme e UEAA-së dhe Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar në Tiranë

Më 21 shtator 2026, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u zhvilluan punimet e Asamblesë XIII të Përgjithshme të Unionit të Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA), si dhe mbledhja e Komitetit Drejtues të saj.
Në kuadër të këtij aktiviteti, u zhvillua edhe simpoziumi shkencor ndërkombëtar me temën “Bujqësi e qëndrueshme europiane dhe menaxhim i balancuar i burimeve natyrore”, ku morën pjesë akademikë, profesorë dhe ekspertë nga Shqipëria, Franca, Italia, Bullgaria, Letonia, Rumania, Suedia dhe vende të tjera.

Seanca u hap nga akad. Ilia Mikerezi, kryetar i Komisionit të Bujqësisë dhe Veterinarisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai iu uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve dhe theksoi rëndësinë e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të UEAA-së në Tiranë. Akad. Mikerezi nënvizoi se ky forum shkencor, përmes prezantimit dhe shkëmbimit të ekspertizave në fusha si inteligjenca artificiale në bujqësi, inovacionet agronomike dhe menaxhimi i burimeve natyrore, ka në qendër bujqësinë e qëndrueshme dhe bioekonominë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, në fjalën e tij përshëndetëse e vlerësoi mbajtjen e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Simpoziumit Shkencor të UEAA-së në Tiranë si një ngjarje me rëndësi të veçantë për shkencën shqiptare. Ai u shpreh se mikpritja e këtij aktiviteti përbën një moment krenarie për komunitetin akademik, pasi pritet që Shqipëria të marrë zyrtarisht Presidencën e Unionit, një rol që nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, akad. Gjinushi theksoi se kjo presidencë është një zë mbështetës për vendet e vogla, të cilat kanë specifikat e tyre zhvillimore dhe strukturore, ndërsa rrjeti i ndërtuar nga UEAA gjatë 25 viteve të ekzistencës përbën një bazë solide për rezultate të shkëlqyera në rang evropian. Ai nënvizoi se Akademia e Shkencave të Shqipërisë i jep një rëndësi strategjike bashkëpunimit me organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, duke përmendur përvojën e konsoliduar me ALLEA-n, si dhe duke e parë përfshirjen në UEAA si vijimësi të natyrshme të këtij vizioni.

Në vijim, kryetari rikujtoi reformat e thella strukturore dhe ligjore të ndërmarra nga Akademia gjatë viteve të fundit, të cilat synojnë ta kthejnë institucionin në një qendër aktive dhe koordinuese të kërkimit shkencor në vend, të integruar në hapësirën evropiane të kërkimit. Ai shprehu bindjen se ky simpozium dhe forumet e këtyre ditëve do të ndihmojnë në përfshirjen më aktive të Akademisë dhe instituteve shqiptare në projekte madhore europiane, duke e konsideruar pjesëmarrjen në rrjetet e mëdha të kërkimit si interes jetik për vendin.

Në fund, akad. Gjinushi vuri theksin tek rëndësia e bujqësisë për Shqipërinë, ndërsa e cilësoi atë si një sektor me peshë të madhe në ekonominë kombëtare. Ai theksoi se bujqësia kontribuon me rreth 18 -19% të PBB-së dhe punëson mbi 37% të forcës së punës, shifra që e vendosin Shqipërinë në një kontekst të veçantë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, ku ky tregues është disa herë më i ulët.

Punimet e Asamblesë u përshëndetën edhe nga zv. ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Fatmir Guri, i cili e cilësoi pjesëmarrjen në këtë forum si një privilegj dhe një mundësi për të kontribuar në një debat të përqendruar mbi një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë: ndërtimin e një bujqësie evropiane të qëndrueshme, të mbështetur mbi menaxhimin e balancuar dhe të përgjegjshëm të burimeve natyrore.

Zv. ministrja e Mjedisit, znj. Elda Xhumari, në përshëndetjen e saj theksoi lidhjen e pandashme mes bujqësisë dhe mjedisit. Ajo nënvizoi se tokat e shëndetshme, uji i pastër dhe i mjaftueshëm, pyjet rezistente, biodiversiteti dhe ekosistemet funksionale nuk përbëjnë vetëm pasuri mjedisore, por janë njëkohësisht themeli i bujqësisë së qëndrueshme, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë.

Presidenti i UEAA-së, akad. Ioan Jelev, në emër të akademive europiane, përshëndeti punimet e Asamblesë së XIII të Përgjithshme, të Komitetit Drejtues dhe të Simpoziumit Shkencor, duke e cilësuar si një nder dhe kënaqësi mikpritjen e tyre në Tiranë, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, si edhe në formatin online. Ai rikujtoi fillesat e Unionit, duke u ndalur tek takimi i mbajtur në Bolonjë më 13–14 nëntor 1999, me temën “Akademitë Evropiane të Bujqësisë drejt vitit 2000”, ku gjatë atij aktiviteti, disa institucione evropiane shprehën interesin për të ndërmarrë hapat e parë drejt krijimit të një bashkimi të akademive, ide e zhvilluar prej kohësh nga “Accademia dei Georgofili” e Firences.

Akad. Jelev nënvizoi se ky vizion i hershëm ka marrë formë konkrete në UEAA, e cila sot përfaqëson një rrjet të konsoliduar bashkëpunimi shkencor në fushat e bujqësisë, ushqimit dhe mjedisit, duke e bërë këtë Asamble një moment të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve akademike në nivel europian.

Më tej, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, akad. asoc. Fatbardh Sallaku, shprehu mirënjohjen e tij për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si bashkorganizatore dhe kontribuese kryesore e veprimtarisë, duke theksuar se ky bashkëpunim e vendos Tiranën në qendër të diskutimeve evropiane mbi bujqësinë e qëndrueshme. Ai nënvizoi se organizimi i Asamblesë së Përgjithshme dhe i simpoziumit në Shqipëri është një dëshmi e rolit aktiv që UBT dhe ASHSH luajnë në fushën e kërkimit dhe inovacionit bujqësor, duke e bërë vendin tonë pjesë të rrjeteve më të rëndësishme shkencore në nivel kontinental.

Në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nënkryetari akad. Fejzullah Krasniqi përshëndeti punimet e Asamblesë së XIII të Përgjithshme të UEAA-së, duke përcjellë urimet më të përzemërta të kryetares, akad. Justina Shiroka Pula, për suksesin e këtij takimi. Ai e cilësoi veprimtarinë si një ngjarje të rëndësishme që forcon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike të vendeve evropiane dhe shpreh mirënjohjen për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si organizatore kryesore. Në vijim të përshëndetjeve ndërinstitucionale, u përcoll edhe përshëndetja e Akademisë së Shkencave Bujqësore të Ukrainës nga presidenti i saj, Acad. Ihor Hrynyk, duke sjellë në këtë forum mesazhin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të përvojave shkencore në fushën e bujqësisë.

Gjatë simpoziumit u trajtuan tema të rëndësishme si zhvillimet më të fundit mbi redaktimin e gjeneve në bujqësi në BE, për të cilat referoi akad. Michel Thibier, Francë; inovacionet agronomike për qëndrueshmërinë e sistemeve të prodhimit bimor, të cilat u prezantuan nga Simone Orlandini, Itali; dr. Marieta Nesheva nga Akademia Bujqësore Bullgare solli një kontribut të vyer mbi vlerësimin teknik të kultivarëve të kumbullës evropiane, me fokus në një prodhimtari në përputhje me kërkesat e mjedisit, si dhe tema të tjera, si përdorimi i inteligjencës artificiale në bujqësi nga akad. Baiba Rivža, Letoni; qasjet e bioekonomisë dhe balancimi i mjedisit nga Steliana Rodino, Rumani; bujqësia konservuese në Suedi nga Martin Krokstorp, si dhe gjendja aktuale e sëmundjeve kryesore të kafshëve blegtorale në Shqipëri nga prof. Xhelil Koleci, Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT).

Pas sesioneve shkencore, Asambleja e Përgjithshme e UEAA-së diskutoi raportet institucionale, çështjet strategjike dhe vijon me zhvilloi zgjedhjet e organeve drejtuese për periudhën 2026–2028. Aktiviteti sot do përmbyll me ceremoninë e dorëzimit të medaljeve dhe certifikatave të UEAA-së në Durrës. Programi i ditës së dytë (22 shtator 2026), do të vijojë me vizita teknike në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnjë, si dhe në ferma të rajonit, të shoqëruara me prezantime kërkimore dhe një vizitë kulturore në Ardenicë.