U zhvillua ceremonia për dhënien e certifikatave të mirënjohjes “Nderi i Akademisë” për prof. Munis Dundar dhe prof. Robert Marks

Ceremonia e dhënies së certifikatave të mirënjohjes “Nderi i Akademisë” për prof. Munis Dundar dhe prof. Robert Marks, dy personalitete të shquara ndërkombëtare në fushën e biologjisë dhe bioteknologjisë u zhvillua sot më 25 shtator në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Veprimtaria u parapri nga një takim në zyrë me Kryetarin e Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, ku u diskutua mbi mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit shkencor.
Më tej, aktiviteti u moderua nga prof. dr. Ariola Bacu, Koordinatore Kombëtare dhe anëtare e Komitetit Ekzekutiv të EBTNA-së dhe njëherësh pjesë e Komisionit të Përhershëm të Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë pranë Akademisë së Shkencave, e cila në fjalën e saj të hapjes vlerësoi kontributin e çmuar dhe përkushtimin e vazhdueshëm të dy profesorëve në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Me këtë rast, Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi mbajti fjalën përshëndetëse dhe shprehu kënaqësinë për vlerësimin e dy personaliteteve të shquara, të cilët i quajti tashmë miq të Shqipërisë.
Akad. Gjinushi bëri të ditur vendimin e Jurisë së Akademisë, e cila në mbledhjen e datës 8 korrik 2026, mbështetur në Rregulloren për dhënien e çmimeve dhe titujve të mirënjohjes, vendosi t’u akordojë titullin “Nderi i Akademisë” profesor Munis Dundar dhe profesor Robert Marks.
Ky vlerësim iu dha prof. Munis Dundar për kontributin e tij në krijimin dhe konsolidimin e partneritetit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Komitetit Ekzekutiv të Shoqatës Evropiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë (EBTNA); organizimin e kongreseve, konferencave dhe shkollave ndërkombëtare në Shqipëri; nxitjen e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe rrjeteve akademike; krijimin e mundësive për përfshirjen e studiuesve shqiptarë në iniciativat evropiane të bioteknologjisë; si dhe në forcimin e marrëdhënieve shkencore ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe institucioneve kërkimore ndërkombëtare.

Prof. Robert Marks u nderua për kontributin në zhvillimin e bioteknologjisë, biosensorëve dhe inovacionit; mbështetjen e vazhdueshme në krijimin e partneriteteve strategjike; zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore; organizimin e aktiviteteve shkencore të përbashkëta; si dhe rolin në ndërkombëtarizimin e veprimtarisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi në dobi të zhvillimit të kërkimit shkencor, inovacionit dhe transferimit të teknologjisë.
Fillimisht prof. Munis Dundar President i Komitetit Ekzekutiv të Shoqatës Evropiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Akademisë së Shkencave, duke e cilësuar këtë vlerësim si dëshmi të miqësisë institucionale dhe partneritetit afatgjatë përmes Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë Evropiane.
Më pas, pas marrjes së certifikatës, prof. Robert Marks, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të EBTNA-s dhe lider i grupit të Biosensorëve në Universitetin “Ben-Gurion” të Negevit në Izrael, u shpreh se ndihej i nderuar për këtë çmim dhe vlerësoi lart mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e shkencës dhe inovacionit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.
Ceremonia vijoi me përshëndetjen e dekanes së Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. dr. Eglantina Kalluci, e cila e cilësoi këtë vlerësim si dëshmi të bashkëpunimit të suksesshëm ndërvite ndërmjet Akademisë dhe FSHN-së.
Kryetari i Komisionit të Përhershëm për Biologjinë, Bujqësinë dhe Mjekësinë, akad. Ilia Mikerezi, shprehu krenarinë e komisionit për këtë vlerësim dhe për forcimin e urave të bashkëpunimit në shkencat e jetës.
Në fund, u bë edhe prezantimi i veprimtarive bashkëpunuese me prof. Munis Dundar dhe prof. Robert Marks ndër vite, shoqëruar me një ekspozitë fotografike nga prof. Ariola Bacu.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në vlerësimin e figurave të shquara të shkencës dhe në forcimin e lidhjeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me komunitetin shkencor ndërkombëtar.


