Takimi i parë i redaksive të fushave të shkencave të natyrës
Takimi u mbajt në kuadër të përgatitjes së fjalësit të emrave për të gjitha redaksitë nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe grumbullimin e zërave potencialë që konsiderohen të nevojshëm për t’u përfshirë në kuadër të Enciklopedisë shqiptare, duke u bazuar në rëndësinë që paraqesin ato për dijen në nivel kombëtar për shkencat e sakta.
Më 13 shkurt 2024 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt takimi i parë i redaksive të fushave të shkencave të natyrës.
Në takim morën pjesë akademik Ilirjan Malollari, anëtar i redaksisë vendore të Shqipërisë dhe anëtarë nga të dyja redaksitë e shkencave të natyrës të Tiranës, prof. Besnik Baraj, redaktor për lëmitë e kimisë dhe biologjisë, dhe anëtarët e redaksisë akademik Ilia Mikerezi dhe prof. Mirela Lika, si dhe prof. Fatmir Hoxha, redaktor për lëmitë e matematikës dhe fizikës, akad. Floran Vila dhe akad. asoc. Mimoza Hafizi. Nga redaksia e shkencave të natyrës e Kosovës morën pjesë prof. Fetah Podvorica, redaktor i fushës, dhe anëtarët e redaksisë prof. Qamil Haxhibeqiri, prof. Behxhet Mustafa dhe prof. Sefer Avdiaj.
Takimin e redaksive të fushës së shkencave të natyrës nga Kosova dhe Shqipëria e hapi akademik Ilirjan Malollari. Pasi i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, ai ia dha fjalën akademik Shaban Sinanit, kryeredaktor i redaksisë vendore të Tiranës.
Akad. Shaban Sinani e mirëpriti këtë takim në këtë fazë të hershme midis redaksive të fushës nga Kosova e Shqipëria, që tregon shkallën e lartë të bashkëpunimit midis tyre, dhe më tej dha shkurtimisht informacionet në lidhje me punët e kryera në nivel të redaksisë qendrore dhe të redaksive vendore, si dhe tregoi për dinamikën e procesit që pritet për redaksitë e fushave në kuadër të përgatitjes së fjalësit të emrave për të gjitha redaksitë.
Më tej, prof. Fetah Podvorica përshëndeti të pranishmit në emër të redaksisë së fushës së shkencave të natyrës nga Kosova, ndërsa prof. Fatmir Hoxha dhe prof. Besnik Baraj përshëndetën në emër të redaksive të fushave shkencore nga Shqipëria. Më tej, shumica e anëtarëve të redaksive shtruan pyetje për akad. Shaban Sinanin për vëllimin e zërave që mund të kenë redaksitë e ndryshme në kuadër të “Enciklopedisë shqiptare” me theks të veçantë në shkencat e natyrës, lidhur edhe me rëndësinë që kanë në nivel kombëtar.
Prof. Fatmir Hoxha, prof. Qamil Haxhibeqiri, akad. Floran Vila dhe prof. Mimoza Hafizi spikatën faktin që në Fjalorin enciklopedik të Shqipërisë dhe të Kosovës ka mungesë të theksuar të termave profesionalë shkencorë, sidomos për lëminë e matematikës dhe fizikës, por përjashtim nuk bën as kimia dhe biologjia.
Po ashtu, u diskutua edhe për raportin e zërave që përfshijnë termat profesionalë shkencorë dhe emrat e përveçëm të personaliteteve.
Akad. Shaban Sinani theksoi se, në fazën e tanishme, detyrë e redaksive të fushave është grumbullimi i zërave potencialë që konsiderohen të nevojshëm për t’u përfshirë në kuadër të “Enciklopedisë shqiptare” dhe pastaj të bëhet edhe përzgjedhja e tyre, duke u bazuar në rëndësinë që paraqesin ato për dijen në nivel kombëtar për shkencat e sakta. Sa iu përket emrave të personaliteteve, duhet të merren në konsideratë personalitetet që e kanë përmbushur veprimtarinë e tyre shkencore, rezultatet e të cilëve dëshmojnë një karrierë të jashtëzakonshme.
Akad. Sinani vuri në dukje se fjalësi i paraparë prej 10000 fjalëve është orientues.
Prof.asoc. Marenglen Kasmi theksoi se parimisht, duke patur parasysh numrin e anëtarëve nëpër të gjitha redaksitë e fushave, parashihet që secili anëtar të përfaqësojë rreth 1 % të zërave që propozohen në kuadër të totalit prej 10000 zërave. Kjo vlen edhe për dy redaksitë e fushave në kuadër të shkencave të natyrës në Shqipëri, që kanë 6 anëtarë.
Prof. Fetah Podvorica tha se kemi koncept të njëjtë për vëllimin e zërave në kuadër të redaksive të fushave të shkencave të natyrës dhe ato teknike, ku është theksuar shifra 300 zëra mesatarisht për një redaksi dhe në parim është përmendur që 20 % e këtyre termave të jenë emra të personaliteteve. Ai tregoi për punën që është bërë nga redaksia e fushës në Prishtinë dhe për draftin fillestar të zërave që kanë përgatitur për secilën lëmi, duke u bazuar në fjalorët aktualë enciklopedikë në të dyja vendet, pastaj edhe në enciklopedinë kroate.
Prof. Podvorica theksoi se në disa raste duhet të ketë terma profesionalë shkencorë, të cilët e ndihmojnë kuptimin e koncepteve që përdoren për të bërë përshkrimin e zërave të tjerë.
Prof. Besnik Baraj theksoi se e përkrah këtë qasje për përpilim të fjalësit të emrave për lëminë e kimisë dhe biologjisë, duke u bazuar në konceptin që ka ndjekur redaksia e fushës në Prishtinë.
Për këtë çështje diskutuan edhe prof. Qamil Haxhibeqiri, prof. Behxhet Mustafa, akad.asoc. Mimoza Hafizi dhe akad. Floran Vila.
Akad. Ilirjan Malollari ngriti çështjen e përfshirjes së emrave të personaliteteve, duke theksuar se nevojiten kritere të mirëfillta, mirëpo që dallojnë për personalitetet nëpër kohë të ndryshme, por shumë të rëndësishme të zhvillimit të shkencës shqiptare.
Akademik Floran Vila ngriti çështjen e përfshirjes së personaliteteve të veçanta të shkencës, duke vënë kritere të dallueshme për arritjet shkencore, por në të njëjtën kohë shtroi nevojën e përfshirjes edhe të emrave që kanë dhënë kontribut të pamohueshëm në aspektin edukativ-arsimor. Ai ra dakord me konstatimin e prof. Podvoricës që të ketë edhe zëra sqarues të degëve fondamentale në kuadër të lëmive në shkencat e natyrës dhe njëherësh propozoi që në kuadër të zërave që i përshkruajnë katedrat e veçanta të lëmive të ndryshme të përfshihen në mënyrë të përgjithësuar edhe emrat e personelit që ka kontribuuar në aspektin edukativ-arsimor.
Prof. Besnik Baraj mbështeti këtë propozim dhe tha që zërat që përshkruajnë punën dhe kontributin e katedrave dhe departamenteve të degëve të shkencave të natyrës në përhapjen e dijes të përmbajnë edhe emrat e personelit, ndërsa si zëra të veçantë të përfshihen personat me kontribut shkencor të pamohueshëm. Këtë qasje e përkrahën edhe të pranishmit tjerë.
Anëtarët e redaksive të fushave u ndanë në 4 grupe që përfaqësonin secilën lëmi të fushës. Ata shkëmbyen fjalësin e emrave të deritanishëm për secilën lëmi.
U vu në dukje fakti që javëve në vijim të kompletohet drafti i parë i zërave nëpër lëmitë e ndryshme, ku parashihet numri i rreth 150 zërave për secilën syresh.
Takimi u vlerësua shumë i rëndësishëm, sepse mundëson koordinimin e redaksive prej fillimit në përpilimin e listave të zërave me konsensus të plotë. Zërat e personaliteteve, si dhe zërat shkencorë që kanë të bëjnë me specifikat regjionale do të shkruhen në parim prej anëtarëve redaksive të fushave vendore, ndërsa fjalësi me terma shkencorë profesionalë të përgjithshëm do të ndahet në mënyrë proporcionale.