Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt mbledhja vjetore e Asamblesë, e para pas bashkimit me institutet e albanologjisë
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi mbajti raportin përmbledhës për veprimtarinë e Akademisë së Shkencave gjatë periudhës 2019 -2023 dhe programin kryesor për vitin 2024.
Akad. Skënder Gjinushi:
Viti 2023 përbën vitin përmbyllës të katërvjeçarit 2019-2023, periudhë e realizimit të fazës së parë të reformës, të asaj të vetëreformimit të ASHSH, për të kaluar në fazën e dytë të saj: reformimit në vazhdimësi të vetë sistemit të kërkimit shkencor në Shqipëri.
Programi i vitit 2024 përmban programin e veprimtarive, rreth 97 të tilla: konferenca, forume, etj; programin e botimeve, 60 tituj e 17 periodikë; programin e projekteve shkencore rreth 30 të tillë, si dhe programet e veçanta të instituteve të arkeologjisë, historisë, gjuhësisë e studimeve letrare, antropologjisë, qendrës së studimit për artet e të QBEA-së, si dhe zërat kryesorë të buxhetit.
Gjatë vitit 2024 mbyllet hartimi i “Historisë së shqiptarëve” dhe “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”.
Mbledhja u mbajt me pjesëmarrjen e anëtarëve të Asamblesë, anëtarëve të komisioneve të përhershme dhe kryetarëve të komisioneve, anëtarëve të këshillave shkencorë të instituteve dhe drejtuesit e tyre.
Në raportin përmbledhës, akad. Skënder Gjinushi vuri në dukje se viti 2023 përbën vitin përmbyllës të katërvjeçarit 2019-2023.
Detyra e synimi kryesor që kjo Asamble i vinte vetes e Kryesisë së ASHSH, katër vjet më parë, ishte kthimi i saj në institucionin më të lartë të kërkimit, promovimit e koordinimit të vetë sistemit të kërkimit, nëpërmjet: rifreskimit të vetë Asamblesë; ngritjes së strukturave të reja ligjore; e më tej të vendosjes pranë saj të qendrave e njësive kryesore me ndikim kombëtar, me qëllim vendosjen e balancave të duhura midis arsimit të lartë e shkencës dhe arritjen e standardeve të rajonit në kërkimin shkencor, për të synuar më tej standardet europiane.
Sot mund të pohojmë se kjo fazë u përmbyll, e synimet tonat gjatë saj u realizuan.-tha akad. Gjinushi.
Akad. Gjinushi e vuri theksin edhe në bazën ligjore të reformës së ndërmarrë në rolin e Asamblesë në hartimin e miratimin e saj e të akteve nënligjore.
Hartimi i projektligjit nga Asambleja e miratimi i tij nga Kuvendi; mbështetja dhe vlerësimi që ai mori nga institucioni më prestigjioz akademik europian ALLEA – bashkimi i akademive europiane; zgjedhja pa ekuivok e tij nga institucionet e komuniteti shkencor, në raport me alternativat që tentonin rithemelim të Akademisë, duke shkelur hapur autonominë e liritë akademike, krijuan bindjen se Akademia e kishte vullnetin e aftësinë për vetëreformim, pa ndërhyrje të njëanshme politike; se kjo Asamble nuk qe pjesë e problemit, por e zgjidhjes së tij. -tha akad. Gjinushi.
Akad. Gjinushi tha ndër të tjera se në bazë të Ligjit 53/2019 dhe të Statutit të ri:
– U rifreskua përbërja e Asamblesë së Akademisë dhe iu rikthye asaj legjitimiteti i munguar.
– se përcaktimi në ligj i statusit të anëtarit të jashtëm për shqiptarët e suksesshëm në fushën e dijes dhe shkencës me veprimtari e banim jashtë vendit mundësoi pranimin e anëtarëve të rinj nga diaspora shkencore, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e nga bota akademike arbëreshe.
-u ngritën dhe funksionojnë 9 komisione të përhershme shkencore, sipas fushave a grup fushave kryesore të dijes, dhe u krijuan dhe ushtrojnë aktivitetin 10 njësi të kërkim-studimit e dy instituteve virtuale
– u ndërmorën rreth 30 projekte shkencore e studime, krahas tre projekteve madhore në albanologji, te cilat u shtrinë në fusha të ndryshme, kryesisht në atë të nanoshkencës dhe bioteknologjisë, në arkeologji, për studime në botën arbëreshe, në energjetikë, duke shërbyer si mjet nxitës për krijimin e fuqizimin e grupeve kërkimore, me synim aplikimin në projekte madhore ndërkombëtare.
Deri me tani janë realizuar 14 projekte e janë në proces 17 projekte të mbështetura nga ASHSH ose nga AKKSHI -tha akad. Gjinushi.
Akademia e Shkencave ka organizuar rreth 100 aktivitete në vit, me pjesëmarrjen e mijëra kërkuesve e studiuesve, ku kanë referuar qindra profesorë e specialistë të vendit e të huaj, si kuvendi ndërkombëtar i studimeve albanologjike, tri konferenca ndërkombëtare për nanoshkencën; shumë veprimtari të ngjashme në bioshkencë, për pandeminë e tërmetet, për probleme të bujqësisë, tokës e ujërave, si dhe konferenca për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit
Akad. Gjinushi theksoi se ndërmarrja shkencore strategjike më e rëndësishme dhe më me përgjegjësi ishte ideimi dhe fillimi i punës zbatuese për tre projektet madhore në albanologji dhe se zgjerimi i marrëdhënieve te jashtme dhe bashkëpunimi me akademitë simotra në ALLEA, veçanërisht me akademinë gjermane Leopoldina kulmoi me bashkorganizimin në Tiranë të samitit të shtatë të akademive të rajonit të Ballkanit e më gjerë, në kuadër të nismës europiane të Procesit të Berlinit, organizuar në tetor 2023, në prag të Samitit ndërqeveritar të të njëjtit proces, rekomandimet e të cilit u adaptuan edhe nga samiti i qeverive;
Përmbledhtas, në përmbyllje të kësaj faze, Asambleja e ASHSH ka sot 54 anëtarë, të gjithë me të drejtë vote; 18 anëtarë të jashtëm; 16 anëtarë nderi; 9 komisione të përhershëm me 133 anëtarë, nga të cilët 80 janë joanëtarë të Asamblesë; mbi 160 anëtarë e bashkëpunëtorë njësish; mbi 200 bashkëpunëtorë aktivë në projektet shkencore e ato albanologjike e së fundi Akademisë iu bashkuan natyrshëm pesë institute e qendra të përhershme me rreth 100 punonjës kërkimorë-shkencorë e ndihmës-tekniko-shkencorë, ndërkohë që 4 vjet më parë kishte vetëm një Asamble me 43 anëtarë, nga të cilët 17 pa të drejtë vote, e pa asnjë strukture ndihmëse. – tha akad Gjinushi.
Në raportin e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave, paraqiti edhe buxhetin e ASHSH ndër vite.
Më pas, akad. Gjinushi paraqiti edhe synimet për fazën e dytë të reformës 2023-2027, dhe programin për vitin 2024, ku që nga janari i vitit 2024 Akademia e Shkencave ka nisur punë së bashku me institutet.
Rezultatet e fazës së parë të reformës krijuan kushtet për kalimin në fazën e dytë në 4 vitet e ardhshme, që është faza e riorganizimit të sistemit tonë shkencor, bazuar kjo në strategjinë kombëtare për shkencën (2023-2030) dhe ligjit të ri për shkencën, që pritet të miratohet; si një masë e domosdoshme për ngritjen në një nivel më të lartë të realizimit të misionit e përgjegjësisë së ASHSH që i jep ligji, me synime kryesore:
1.Rritjen e mbështetjes e të financimit të kërkimit shkencor në Shqipëri, parë kjo në lidhje e bashkëpunim me atë në Kosovë, me objektiv të qartë atë të përcaktuar në konkluzionet e samitit të shtatë të akademive dhe IAL-ve publike të Ballkanit zhvilluar vjet në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, që financimi për kërkimin shkencor të ngrihet në nivelin e 1 për qind të GDP-së, me synim kalimin gradual në 2 për qind.
- Kthimin e ASHSH dhe të instituteve të reja pranë saj në qendrën kryesore të kërkimit e studimit në shkencat albanologjike, zgjerimin e rrjetit të instituteve e qendrave kërkimore afatgjata pranë ASHSH në fushat kryesore të shkencave shoqërore e natyrore-teknike.
Akad. Gjinushi e vuri theksin tek realizimin me sukses të tri projekteve madhore në albanologji: hartimi i Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, i Historisë së shqiptarëve (gjate vitit 2024) dhe i Enciklopedisë së shqiptarëve gjate periudhës 4- vjeçare.
Ai tha ndër se: Për sa synohet të realizojmë, për vitin 2024 – kësaj Asambleje i është paraqitur programi i veprimtarive kryesore, ku propozohen rreth 97 të tilla; programi i botimeve, ku propozohen 60 tituj e 17 periodikë; programi i projekteve rreth 30 te tille; si dhe programet e veçanta të instituteve të arkeologjisë, historisë, gjuhësisë e studimeve letrare, antropologjisë, qendrës së studimit për artet e të QBEA-së, si dhe zërat kryesorë të buxhetit.
Synimi ynë do të jetë që ASHSH të financojë vetëm projekte që lidhen me objektin e punës së çdo njësie a komisioni për studime të mirëfillta shkencore që ndërmerren për herë të parë apo që kërkojnë një koordinim midis disa njësive ose që janë projekte pararendëse të një studimi madhor në të ardhmen.
Sfidë e vëmendje të veçantë përbën nxitja e mbështetja për një politikë më të mirë shkencore në hartimin e programeve të njësive të përhershme Instituteve e qendrave albanologjike dhe riorganizimit të brendshëm te tyre.
Pas paraqitjes së raportit nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Adrian Civici foli për çështjet që lidhen me ecurinë për ngritjen e Akademisë së të rinjve.
Gjatë mbledhjes diskutuan anëtarë të Asamblesë, drejtuesit e instituteve, qendrave dhe njësive shkencore, kryetar të komisioneve: akad. Adem Bunguri, akad. Arben Merkoçi, prof. Neritan Ceka, prof. Fatbardh Sallaku, akad. Hamit Kaba, akad. Ilirjan Malollari, dr. Olsi Lelaj, akad. Jorgaq Kaçani, akad. Bensik Baraj, akad. Valter Memishaj, akad. Rrapo Ormëni, për çështjet specifike në drejtimin e instituteve dhe qendrave përkatëse, ndërsa shprehën në fund të fjalës së tyre edhe mirënjohjen për mbështetjen e Akademisë së Shkencave dhe Kryesisë së saj në gjithë zhvillimin e veprimtarisë së tyre.