Prezantohen 5 projektet e Njësinë kërkimore “Pasuritë ujore” (pranë ASHSH) në sektorin e ujërave në Shqipëri

Workshop-i “Maksimizimi i veprimtarisë së komunitetit shkencor për t’iu përgjigjur sfidave të menaxhimit të integruar të ujërave në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Në workshop-in me temë: “Maksimizimi i veprimtarisë së komunitetit shkencor për t’iu përgjigjur sfidave të menaxhimit të integruar të ujërave në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, që u mbajt më 29 shkurt 2024 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e rreth 40 kërkuesve, anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të njësisë kërkimore “Pasuritë ujore” pranë ASHSH, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përfaqësuesve të universiteteve publike dhe jopublike dhe instituteve me status kërkimor, që zhvillojnë aktivitetin kërkimor në fushën e ujërave, u prezantuan ndër të tjera edhe 5 projektet e Njësisë kërkimore “Pasuritë ujore” pranë ASHSH, në sektorin e ujërave në Shqipëri.

Projektet që u prezantuan në seancën e parë të workshop-it nga organizatorët akad. Besnik Baraj dhe prof. Roza Allabashi (Njësia “Pasuritë ujore” pranë ASHSH) janë:

1-“Water Resources and Irrigation Project (WRIP)”

Ky projekt është përgatitur në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë suedeze me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim [Swedish International Development Agency (SIDA)] dhe bashkëfinancuar nga qeveria suedeze dhe Banka Botërore. Shtrirja kohore e projektit: prill 2018- nëntor 2020.

Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte i fokusuar në ngritjen e një strategjie të menaxhimit të integruar të burimeve ujore, planin e menaxhimit të dy baseneve lumore dhe përgatitjen e një kadastre të Burimeve Ujore Kombëtare.

Rezultatet që priten të arrihen nga ky projekt janë ngritja e kadastrës së Burimeve Ujore Kombëtare, ku parashtrohet detyra e koordinimit të rreth 20 institucioneve që kanë objektiv burimet ujore; përgatitja e planeve të menaxhimit të baseneve të lumenjve Drin-Buna dhe Seman dhe hartimi i strategjisë kombëtare të burimeve ujore.

2-“Establishment of institutional and regulatory platform for governance and functioning of the national Water Resources Cadastre in Albania”

Ky projekt është përgatitur në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë suedeze me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim [Swedish International Development Agency (SIDA)], në periudhën 2018-2019 dhe financuar nga qeveria suedeze dhe Banka Botërore, WB/SIDA në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Burimeve Ujore. Shtrirja kohore e projektit: maj 2018- maj 2019.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të sigurojë mbështetje dhe shërbime konsultimi në sektorin e burimeve ujore në Shqipëri.

Rezultatet janë përcaktimi i një platforme rregulluese për të siguruar funksionimin e tri shtyllave kryesore të operimit të kadastrës së burimeve kombëtare ujore; gjenerimi i të dhënave; përpunim, analizim dhe vlerësim i të dhënave; aksesi dhe publikimi i të dhënave.

3-“Programme for Improving the National Early warning system and Flood Prevention in Albania – PRONEWS”.

Ky projekt është përgatitur në bashkëpunim me CIMA-Italian Institute for flooding Monitoring dhe financuar nga Bashkimi Europian. Shtrirja kohore e projektit: janar 2017- shtator 2021.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është t’u sigurojë mbështetje institucioneve shqiptare në menaxhimin e mbrojtjes ndaj përmbytjeve.

Rezultatet nga ky projekt janë hartimi i hartave të vlerësimit të rrezikut nga përmbytjet (në fazën e parë do të mbulohen gjashtë basenet lumore të Shqipërisë), ndërsa përgatitja e hartave të rrezikut nga përmbytjet do të realizohet për basene të caktuara lumore.

4-“SANE 27, Supporting Albanian Negotiations in Environment”

Ky projekt është implementuar nga SEPA (Swedish Environmental Protection Agency). Shtrirja kohore e projektit: janar 2018 e në vazhdim.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të sigurojë mbështetje për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit në procesin e negocimit të kapitullit 27 me BE, referuar legjislacionit aktual në lidhje me çështjet mjedisore dhe përafrimit të tij me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Priten të zhvillohen përqasjet e Shqipërisë në përgatitjen e negociatave me BE, në lidhje me kapitullin 27-Mjedisi.

5-“Supporting the Albanian Water Sector on the Way to the European Union”

Ky projekt është përgatitur nga BOKU-University of Natural Resources and Life Sciences-Vienna, dhe financuar nga Agjensia Austriake për Edukimin dhe Internacionalizimin (OEAD) dhe Agjencia Shqiptare për Kërkimin, Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin (AKSHI). Shtrirja kohore e projektit: 2019-2022.

Qëllimi: Forcimi i bashkëpunimit me Universitetin Bujqësor të Tiranës për të trajtuar problematikën e formimit të specialistëve në sektorin e ujërave në Shqipëri: edukimin universitar e pasuniversitar dhe arsimimin e vazhdueshëm të personelit operativ.