Takimi i parë i Akademisë së të Rinjve

Takimi i parë i Akademisë së të Rinjve Në vijim të vendimit nr.14, dt 7 qershor 2017 “Për Krijimin e Akademisë së të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë” më datë 22 qershor 2017, në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua takimi i parë i anëtarëve të Akademisë së të Rinjve. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i hapave që do të ndiqen për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Akademisë së të Rinjve, për anëtarësimin e saj në Global Youth Academies, për promovimin e Akademisë përmes një veprimtarie promovuese, një konference të parë dhe për përgatitjen e botimit të revistës së Akademikëve të Rinj.

Nga ky takim i parë u ra dakord njëzëri dhe u ndërtuan grupet e punës, të cilët morën detyrat e nevojshme për t’u kryer. Takimi i radhës do të zhvillohet më datë 12 korrik 2017 ku do të diskutohet dhe do të caktohen konkretisht boshtet tematike të Konferencës së Parë Shkencore të Akademisë së të Rinjve, e cila do të zhvillohet paralelisht me festimet e 45-vjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në muajt tetor–nëntor të këtij viti. Në vijim do të propozohen dhe do të caktohen koordinatorët e konferencës dhe bordi i revistës shkencore të Akademikëve të Rinj.