Përfundime për konferencën e parë shkencore të Akademisë së të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me temë “Metodologjia dhe kërkimi shkencor: traditë dhe risi”

Pas mbajtjes së konferencës së parë mbarëkombëtare shkencore të Akademisë së të Rinjve (AR), të mbajtur pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Tiranë, më 4 dhjetor 2017, mund të arrijmë në disa përfundime mbi këtë ngjarje shkencore.

Dita e mbajtjes së konferencës shkencore “Metodologjia dhe kërkimi shkencor: traditë dhe risi” ishte mjaft intensive. Mjaft prej prezantimeve përbënin interes të veçantë dhe diskutimet që i shoqëruan ishin një ndër pikat më të vlefshme të kësaj konference, duke ditur shumëllojshmërinë e disiplinave të kërkuesve, që ishin pjesëmarrës në konferencë. Ky organizim ishte njëherësh edhe veprimtaria e parë përuruese e Akademisë së të Rinjve, e cila është një organ kolegjial i Akademisë se Shkencave të Shqipërisë, i ngritur në qershor 2017, si një komision i përhershëm novacioni me kërkues të rinj të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Shkencave Natyrore dhe Teknike.

Na duhet t’u kthehemi objektivave të konferencës: Së pari, njohja e opinionit publik, posaçërisht atij shkencor me Akademinë e të Rinjve, si një organizëm i ri kërkimor-shkencor në vendin tonë. Së dyti, paraqitja e metodologjive shkencore të përdorura në disiplina të ndryshme, si edhe përfshirja në diskutimin për nevojën për rinovimin e metodologjive shkencore të përdorura; llojet e metodologjive në varësi të konteksteve të ndryshme, si edhe trajtimin e raportit midis metodologjive të konsideruara si pjesë e traditës me prurjet e reja. Kemi kërkuar që tematikat dhe disiplinat e referuesve të jenë sa më të shumëllojshme, për të nxitur, kështu, multidisiplinaritetin dhe mundësinë e shkëmbimeve të përvojave të ndryshme ndërmjet kërkuesve të rinj. Gjithashtu, përqendrimi i kësaj konference posaçërisht tek kërkuesit e rinj, duke qenë se ishte e para në llojin e vet në vendin tonë, përbënte një sfidë më vete.

Interesi i komunitetit shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar, i funksionarëve të lartë të lidhur ngushtë me hartimin e politikave dhe strategjisë për kërkimin shkencor, ishte i shprehur. Përfaqësuesja e Global YoungAcademy (GYA) në këtë organizim, znj. ConnieNshemereirwe, ka shprehur qëndrimin mbështetës të Akademisë Globale ndaj akademive kombëtare dhe konkretisht ndaj AR-së. Qëndrimi i saj se konferenca ishte e organizuar mjaft mirë dhe e ndjekur është shprehur edhe në faqen zyrtare të GYA-s. Në fjalën e saj përshëndetëse për themelimin dhe përurimin e një organizmi kaq të rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit, znj. Nshemereirwe u shpreh entuziaste për forcimin e rolit të të rinjve përmes ndikimit që shkenca gjithnjë e më shumë ka në faktorët vendimtarë politikë dhe shoqërorë për zhvillimin e vendit.

Seanca plenare u çel me fjalën përshëndetëse të bashkëkryetarëve të Akademisë së të Rinjve, z. Andi Rëmbecit dhe z. Rigers Bakiut, të cilët vlerësuan rëndësinë e themelimit të saj si mbështetje e shkencëtarëve të rinj shqiptarë në përpjekjet e tyre në rrugëtimin e vështirë të shkencës në Shqipëri, duke mbështetur kështu kërkimin shkencor cilësor dhe impaktin pozitiv të shkencës në shoqërinë tonë. Ata u ndalën edhe në rëndësinë e që ka debati për metodologjinë dhe kërkimin shkencor, një çështje kaq gjithëpërfshirëse dhe aktuale për kërkimin shkencor në Shqipëri. Nuk ka munguar mbështetja e vazhdueshme e Akademisë së Shkencave, përmes akademikëve të shumtë dhe përmes fjalës së Sekretarit Shkencor, akademik VasilToles. Kryetari i Akademisë Europiane të të Rinjve (YAE), z. Marcel Swart, në përshëndetjen e tij për konferencën, përgëzoi përurimin e AR-së, shprehu besimin e tij në lidhje me këtë organizëm të ri dhe theksoi se “Ky është një hap i rëndësishëm përpara për ndryshimin e situatës së shkencës dhe edukimit në vendin tuaj dhe për të zgjeruar mundësitë e kërkuesve të rinj për të vijuar punën e tyre në një mjedis pune pozitiv dhe konstruktiv.” Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Mynyr Koni, në fjalën e tij mbështetëse për akademikët e rinj, u ndal si në rëndësinë e një organizimi të tillë, i cili do të mbledhë, nxisë dhe promovojë kërkuesit e rinj, ashtu edhe në vlerat e konferencës lidhur me metodologjinë e kërkimit shkencor. Gjithashtu, rektori Koni shprehu mendimin se suksesi i akademikëve që kanë studiuar apo që janë pjesë e stafit akademik të UT-së janë një shembull frymëzues për studentët e këtij universiteti. Ndërsa në fjalën e saj, ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla, shprehu se një organizim i tillë është në koherencë me vizionin që qeveria ka për procesin e Ballkanit Perëndimor dhe me sugjerimet e samiteve të mbajtura për këtë proces. Ajo, gjithashtu, shprehu se do të mbështesë nismën e akademikëve të rinj, në terma afatgjatë.

U ndalëm në kontekstin e konferencës së AR-së, si mundësi promovimi e këtij organizmi të ri shkencor në vendin tonë, pasi lidhur me kontekstin e zhvillimeve shkencore, por edhe në politikat e kërkimit shkencor në vendin tonë, kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë. Duhet theksuar se serioziteti me të cilin u konsiderua nga komuniteti shkencor një konferencë posaçërisht për kërkuesit e tij, përbën një sukses më vete për këtë konferencë. Pas seancës plenare, konferenca e akademikëve të rinj ka zhvilluar seancat e saj shkencore për shkencat shoqërore dhe ato natyrore e teknike. Shumëllojshmëria e kumtesave, ku secili studiues solli përvojat, kompetencat, ekspertizën e vet, ndikoi në mundësi më të mira për shkëmbime midis përvojave të ndryshme. Vështrimi kritik ndaj metodologjive të së kaluarës, por edhe krijimi i një perspektive për ndryshime pozitive, ishte një nga përfundimet më të rëndësishme të kësaj konference.

Fushat e veprimtarive kërkimore të pjesëmarrësve në konferencë, sikurse e vumë në pah edhe më parë, ishin nga më të ndryshmet, duke krijuar larmi në prurjet shkencore. Po ashtu, institucionet ku kërkuesit zhvillojnë veprimtarinë e tyre shkencore ishin të ndryshme dhe të përhapura në gjeografinë e vendit. Prezantimet e panelit të shkencave shoqërore, varionin nga historia, gjuhësia, letërsia, antropologjia, shkencat politike-juridike, muzikologjia, arti, kultura, filologjia etj, ndërsa paneli i shkencave natyrore dhe teknike kishte punime prej disiplinave, si bioteknologjitë e bimëve, teknologjitë e integruara në sektorin e energjetikës, akuakultura dhe biologjia detare, tekstili dhe moda, teknologjia e informacionit, studimet hartografike dhe demografike, biologji etj. Disa prej fushave kishin disa referues, duke nxitur edhe debatin shkencor midis disiplinave përkatëse, të tilla si në punime nga bioteknologjia, studimet historike, studimet letrare dhe gjuhësia.

Nxitja e ndërdisiplinaritetit ka qenë një nga objektivat e konferencës dhe besojmë se një konferencë me shumëllojshmëri të tillë të fushave të ekspertizës së kërkuesve të rinj është një nga rastet e rralla të mënyrës së konceptimit të një konference në vendin tonë. Shkëmbimi i përvojave të ndryshme kërkimore, i metodologjive të përdorura, solli diskutime konstruktive, të cilat edhe në rastin kur nuk sjellin një produkt konkret shkencor, hapin perspektiva të reja për marrëdhënie të reja mes disiplinave, pasi diskutimi çliron edhe këndvështrime të reja për të parë dukuri ku mund të bashkëveprojnë metodologji dhe fusha të ndryshme ekspertize. Mund të japim një shembull, ku nga gjuhësia, psikologjia, teknologjia e informacionit dhe studimet letrare, mjaft prej metodologjive të reja që u përmendën lidhen me sfida që vijnë nga këndvështrimi ndërdisiplinar, duke nisur nga gjuhësia kompjuterike, narratologjia komputacionale, stilistika konjitive etj. Kërkuesit e rinj dhe pjesëmarrësit në konferencë, kërkues pranë institucioneve të ndryshme kërkimore, apo edhe studentë, u përfshinë në këtë debat, që e konsiderojmë me vlerë për arsye të ideve dhe mundësive të reja që nxiti.

Një prej përfundimeve më të rëndësishme ka të bëjë me standardin shkencor me të cilin është punuar në këtë konferencë, duke nisur nga puna e komisionit shkencor dhe atij organizativ, e deri tek serioziteti në konceptimin e vetë prezantimeve të tyre, si përgjegjësi e secilit referues, që u kujdes për integritetin e punës së vet shkencore. Komisioni shkencor ka vendosur që, në bazë të vendimeve të grupeve të punës që mund të ngrihen mbështetur në disiplinat shkencore, të botojë vetëm ato punime që edhe pas prezantimit në konferencë, si dhe në punimet e dorëzuara, tregojnë rigorozitet shkencor, kanë prurje të reja, të vlefshme për fushat e tyre dhe metodologjinë e kërkimit shkencor në to dhe përputhen me standardet etike të Akademisë së të Rinjve.

Kjo konferencë e parë e AR-së ka shtruar një rrugë të mirë të kërkimit shkencor në një fushë ku prurjet e reja metodologjike kishin krijuar deri diku një kakofoni mes metodologjive të vjetra dhe atyre të reja. Edhe në përfundimet e formuluara në fund të konferencës nga bashkëkryetarët, z. Andi Rëmbeci dhe z. RigersBakiu, u theksua se më me vlerë për kërkimin shkencor, është të vlerësojmë më të mirën e metodologjive apo edhe të prurjeve shkencore të traditës, për të sjellë ndryshime, reformime të shëndetshme, mbështetur në etikën shkencore dhe integritetin që kërkojmë si individë, por edhe posaçërisht si organizëm kërkimor-shkencor në vend. Shpresojmë të nxisim sa më shumë kërkues të rinj, që të kërkojnë rritjen e vizibilitetit shkencor në shoqëri, ndikimin e shkencës në politikëbërje dhe në zhvillimin e shoqërisë.

Belfjore Qose
Akademia e të Rinjve