“Ndikimi vjen nga të qenit i dobishëm në momentin e duhur” Nazim S. Gruda

Revista evropiane The European Scientist ka publikuar pjesën e parë të intervistës me Akademikun Nazim S. Gruda, pas zgjedhjes së tij si President i Unionit të Akademive Evropiane për Shkencat e Aplikuara në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA) për periudhën 2026–2028.
Në këtë intervistë trajtohen çështje me rëndësi për të ardhmen e bujqësisë evropiane, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet akademive, rolin e shkencës në politikëbërje dhe përfshirjen aktive të studiuesve të rinj në proceset vendimmarrëse.
Akademiku Gruda thekson rëndësinë e shndërrimit të ekspertizës shkencore në rekomandime konkrete, të bazuara në prova, të cilat mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, ushqimit dhe menaxhimit të burimeve natyrore.
Kjo intervistë përbën një mundësi për të njohur më nga afër vizionin dhe prioritetet e tij për forcimin e bashkëpunimit shkencor evropian dhe rritjen e ndikimit të shkencës në politikat publike.
 

Revista prestigjioze evropiane “The European Scientist” ka botuar pjesën e dytë të intervistës me akademikun e njohur shqiptar, Prof. Dr. Nazim S. Gruda. Në këtë pjesë të dytë të bisedës, fokusi zhvendoset te roli i munguar ose i vonuar i institucioneve shkencore në debatet e mprehta publike lidhur me bujqësinë, sigurinë ushqimore, përdorimin e pesticideve, redaktimin gjenetik (gene editing) dhe inteligjencën artificiale. Akademiku Gruda thekson se debati aktual publik shpesh udhëhiqet nga frika dhe dogmat politike, e jo nga faktet e vërtetuara shkencore. Sipas tij, akademitë dhe shkencëtarët nuk duhet të mbrojnë idenë se “faktet flasin vetë për veten e tyre”, por duhet të dalin në skenë më herët dhe të përfshihen në dialog të hapur me qytetarët, fermerët dhe gazetarët.