Fjala e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në nderim të akademik Luan Omarit, në emër të Kryesisë
Të dashur familjarë të akademik Luan Omarit
Të nderuar akademikë, profesorë, përfaqësues të institucioneve, kolegë dhe miq,
Ka njerëz që, me ndarjen e tyre nga jeta, lënë pas jo vetëm kujtimin e një personaliteti e njeriu të shquar, por edhe boshllëkun e mungesës së Tij, që kontributi i tyre nuk matet me vitet që jetuan, por me dijen që krijuan, me institucionet që ndihmuan të ndërtohen dhe forcohen, si dhe me vlerat që u trashëgojnë brezave sot e në të ardhmen.
I tillë ishte akademik Luan Omari, figurë emblematike e akademizmit shqiptar. Si një ndër anëtarët themeltarë të Akademisë së Shkencave, si një prej drejtuesve më jetëgjatë të saj me personalitetin, profesionalizmin dhe vlerat e tij intelektuale e njerëzore, profesori bëri që emri i tij të njehsohet me vetë Akademinë e Shkencave e botën akademike shqiptare e në tërësi të renditet krah emrave më të shquar të saj, të Budës, Çabejit, Radovickës, si një prej përfaqësuesve më të spikatur të asaj plejade të ndritur, që hodhi themelet dhe lartësoi këtë institucion në nivelin e kohës.
Me ndarjen e tij nga jeta, shkenca shqiptare, mendimi juridik shqiptar dhe Akademia e Shkencave humbasin një nga figurat e tyre më mbresëlënëse, pasi vepra, mendimi dhe personaliteti i tij janë pjesë e pandashme e historisë sonë akademike dhe institucionale.
Prof. Luani i përkiste një brezi që e kuptoi dijen jo thjesht si profesion, por si përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe vendit. I lindur në një familje të njohur gjirokastrite, më 10 qershor 1925, pas formimit të tij si jurist në shkolla të konsoliduara në Beograd e Sofje arriti të ndërtojë një jetë të gjatë e të përkushtuar në fushën e jurisprudencës, duke u bërë një nga emrat e rëndësishëm të shkencës juridike shqiptare, të arsimit universitar dhe të jetës institucionale të vendit.
Në historinë e tij personale u ndërthurën historia e një intelektuali me historinë e institucioneve shqiptare. Për dekada me radhë, ai i shërbeu dijes, së drejtës dhe formimit të brezave te rinj, duke drejtuar si dekan me kompetencë e përkushtim Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës e punuar me pasion e kompetencë shembullore si profesor e lektor, në Tiranë e Prishtinë, i Teorisë së shtetit e të së drejtës dhe i së Drejtës publike.
Në auditorët ku ligjëroi, në institucionet ku shërbeu dhe në veprimtarinë e tij shkencore, ai la gjurmë që kapërcejnë kufijtë e një karriere individuale. Studentët dhe kolegët gjetën tek ai jo vetëm një njohës të thellë të së drejtës, por edhe një intelektual dhe patriot që e lidhte dijen me përgjegjësinë dhe profesionin me etikën.
Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, akademik Luan Omari është vetë historia e saj nga themelimi deri më sot. Roli e kontributi i profesorit në tërë këtë rrugëtim 54-vjeçar ka qenë përcaktues e i nevojshëm në çdo fazë të tij. Akademia ka kaluar periudha të ndryshme, kohë zhvillimi dhe kohë vështirësish, por ka ruajtur misionin e saj falë njerëzve që e kanë konsideruar shërbimin ndaj saj një detyrim shkencor dhe qytetar. Luan Omari ishte një prej tyre.
Si sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave për 18 vjet me radhë, si bashkëpunëtori më i ngushte i prof. Budës, së bashku e në krah të tij, bënë që Akademia e Shkencave të kthehej në një kohë të shkurtër në një institucion të vërtetë të kërkimit e mendimit shkencor, në promovuese të shkencës shqiptare dhe qendrën kryesore të zhvillimit të shkencave albanologjike e shkencës shqiptare në tërësi.
Profesori, pavarësisht nga mosha, me të njëjtin pasion e përkushtim, i qëndroi pranë dhe qe nxitësi e mbështetësi kryesor së bashku me prof. Golemin e prof. Korkutin për reformimin e Akademisë, me dëshirën që ajo të ringrihej në nivelin e kërkesave të kohës, duke kontribuuar edhe drejtpërdrejt me përvojën e tij.
Veprimtaria e trashëgimia e profesor Omarit nuk kufizohet vetëm brenda historisë së Akademisë e Universitetit si jurist i shquar, studiues dhe pedagog, ai kontribuoi në zhvillimin e mendimit juridik dhe në forcimin e kulturës së ligjit, në shoqërinë shqiptare e institucionet e vendit nëpërmjet dhjetëra studimeve e monografive e pjesëmarrjes në të gjitha proceset e debatet kushtetuese për hartimin e kushtetutës e ligjeve organike pas vitit 1990. Për të, e drejta nuk ishte vetëm një fushë studimi, por një nga themelet mbi të cilat ngrihet shteti dhe organizohet jeta e shoqërisë. Në një vend që ka kaluar ndryshime të mëdha politike, shoqërore dhe institucionale, përkushtimi ndaj ligjit dhe serioziteti i mendimit juridik kanë qenë pjesë thelbësore e kontributit të prof. Luanit.
Në historinë e shkencës dhe të kulturës shqiptare, emrat e mëdhenj nuk formësohen e qëndrojnë vetëm për shkak të veprave që kanë shkruar e detyrave që kanë ushtruar. Ata mbeten edhe përmes mënyrës se si kanë jetuar, se si i janë përkushtuar profesionit e veçanërisht si silleshin e komunikonin me njerëzit, nga kolegët deri te studentët, marrëdhënie e cila do të përmblidhej në togfjalëshin “të mësoje e të punoje me prof. Luanin ishte nderim”.
Një jetë e emër i tillë u ndërtua në harkun e 100 vjetëve përmes dekadash pune, përkushtimi dhe qëndrueshmërie. Prandaj, kur sot flasim për akademik Luan Omarin, nuk flasim vetëm për atë që ai përfaqësoi në kohën e vet, por edhe për atë që figura e tij si shkencëtar e emri si njeri do të vazhdojnë të përfaqësojnë për brezat që vijnë.
Në kujtesën e përbashkët e në të ardhmen, emri i tij do të qëndrojë pranë atyre personaliteteve që ndërtuan traditën e mendimit shkencor shqiptar dhe i dhanë institucionit përmasën e një vlere dhe përgjegjësie kombëtare e më gjerë.
Shteti dhe institucionet shqiptare e kanë vlerësuar në vijimësi kontributin e tij. Në vitin 2016, Akademia e Shkencave i akordoi çmimin më të lartë “Çmimin e Karrierës Akademike”, e duke vlerësuar rolin e tij si anëtar bashkëthemelues, kontributin në përurimin dhe drejtimin e saj institucional, përfaqësimin dinjitoz në botën akademike evropiane, pranë Komisionit të Venecias dhe veprimtarinë e gjerë arsimore e shkencore, për më shumë se gjashtë dekada. Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për merita të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin si themelues i institucioneve të dijes, ndërsa më 16 qershor 2025, në 100-vjetorin e tij, iu dha titulli “Ylli i Artë i veteranit të LANÇ”, në vlerësim të kontributit në lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare në periudhën ’42-‘44 e po atë vit Universiteti i Tiranës i dha titullin “profesor emeritus”.
Sot, këto vlerësime marrin një domethënie tjetër: ato bëhen pjesë e dëshmisë institucionale për një jetë të tërë në shërbim të dijes dhe të shkencës shqiptare për këtë ikonë të jurisprudencës shqiptare.
Të nderuar të pranishëm,
Ndarja nga jeta e një personaliteti të tillë na bën të ndiejmë më fort kalimin e kohës, por njëkohësisht na kujton se harresa nuk vepron për disa. Njerëzit si profesori largohen, por institucionet që kanë ndërtuar e brezat që kanë formuar vazhdojnë të jetojnë e ta kujtojnë, duke i qenë gjithnjë mirënjohës e duke e pasur shembull e simbol për t’u ndjekur.
Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për tërë kolegët e miqtë e profesorit këtu do të jetë gjithnjë një vlerë e krenari institucionale e personale që profesor Omari ka qenë anëtar i saj.
Të nderuar familjarë,
Në këtë çast të trishtë për të gjithë ne, dëshirojmë t’ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Humbja e një prej njerëzve më të dashur është një dhimbje që nuk mund të zëvendësohet me fjalë, por kur jeta e tij ka qenë njëkohësisht pjesë e jetës së një institucioni dhe e historisë së një vendi, kujtimi i tij bëhet një trashëgimi e përbashkët e hidhërimi ndahet.
Sot jemi këtu për t’i dhënë lamtumirën ju njeriut tuaj të dashur; ne kolegët, mikut dhe bashkëpunëtorit të vyer; Akademia, një prej figurave themeluese të saj; ndërsa shoqëria shqiptare, një intelektuali të shquar që i kushtoi jetën dijes, së drejtës dhe institucioneve.
Në emër të Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, shprehim nderimin e mirënjohjen tonë të thellë për akademik Luan Omarin, për veprën dhe emrin e tij të lidhur me një epokë, të cilat do të mbeten pjesë e kujtesës sonë akademike, të shënuar në Librin e artë të ASH-së.
Me dhimbje e përulje ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të emrit e veprës së akademik, Luan Omarit.
I përjetshëm kujtimi i tij! Lamtumirë, profesor!
