Nderohet në Akademi Theofan Popa, shpëtuesi, kataloguesi, mbrojtësi dhe studiuesi i trashëgimisë kishtare të Shqipërisë
Sot, më 3 maj 2024, në sallën “Aleks Buda” në Akademinë Shkencave të Shqipërisë u zhvillua ceremonia e dhënies së certifikatës dhe diplomës “Nderi i Akademisë” studiuesit të mirënjohur të dorëshkrimeve, mbishkrimeve, ikonografisë dhe trashëgimisë kishtare në përgjithësi Theofan Popa.
Zhvillimi i kësaj ceremonie u drejtua nga prof. Neritan Ceka, kryetar i komisionit të përhershëm të historisë dhe arkeologjisë, i cili ftoi Kryetarin e Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushin për të dorëzuar certifikatën dhe diplomën “Nderi i Akademisë”.
Akad. Gjinushi tha se i jepet diploma e mirënjohjes “Nderi i Akademisë” studiuesit Theofan Popa (pas vdekjes) me motivacionin:
“Për meritat e tij të jashtëzakonshme, të vlerësuara brenda dhe jashtë vendit, në shkallë rajonale, si mbledhës, përshkrues dhe katalogues i dorëshkrimeve kishtare të ruajtura në Shqipëri gjatë shekujve VI-XVII; si studiues epigraf, kopjues, transkriptues dhe përkthyes i mbishkrimeve kishtare e laike-historike mesjetare; si koleksionues e shpëtues i fondit ikonografik të vendit, që u mbijetoi rreziqeve për zhdukje në kohëra të vështira; personalitet me kontribute të papërsëritshme në të gjitha fushat ku u përfshi, me një vullnet e dedikim të pakufishëm, që e ktheu mbrojtjen dhe studimin e trashëgimisë kulturore shqiptare të kërcënuar për shkak të ateizmit në qëllimin e jetës së tij”.
Z. Dhimitër Popa, i cili përshëndeti në emër të trashëgimtarëve, shprehu falënderime të përzemërta për mirënjohjen e lartë që iu akordua babait të tij Theofan Popa për punën dhe kontributin, jo vetëm në ikonografinë shqiptare, por edhe më gjerë, në rrafshin e trashëgimisë kulturore.
“Ne fëmijët e Theofanit jemi të befasuar, në një farë mënyre, dhe kjo vëmendje e ky nderim i sotëm ndoshta ngjan si surreale; por do t’ju pohonim se në familjen tonë, i vetmi që e dinte, i vetmi që nuk kishte pikën e dyshimit se kjo ditë e njohjes së kontributit të tij në shkencën e ikonografisë shqiptare do të vinte, është pikërisht munguesi kryesor sot në këtë sallë, Theofan Popa. “Puna ime do të njihet në të ardhmen na thoshte”, por ne qeshnim. Ne fëmijët e Theofanit e dinim se siç kishim lindur ashtu dhe do të vdisnim në atë sistem që nuk lejonte kisha dhe as besimin në Zot, dhe nuk mund të shihnim atë që shihte babai. Sot pyesim veten e ndonjëherë edhe njëri-tjetrin e pyesim se ç’dinte babai ynë, ç’shikonte ai përtej që ne nuk arrinim ta shihnim. Këtë ne ende nuk e dimë, por dimë që babai shikonte me sytë e besimit”.
Në fund të fjalës së tij, ai kujtoi punën dhe kontributet që dha Theofan Popa si profesor, redaktor e studiues:
“Babanë e mbajmë mend si një shqiptar të mirë, si një elbasanlli të devotshëm nga lagja “Kala”, që e deshi atdheun pa e ngatërruar asnjëherë me regjimin 50-vjeçar. A e deshi Theofani Shqipërinë, po aq sa Perëndinë?, – mund të pyesë dikush. Ne fëmijët e tij përgjigjemi: “Patjetër që po”.
Më pas, me rastin e këtij nderimi, u bë përurimi i librit “Theofan Popa, martir i shkencës”, përmbledhje studimesh e autorëve Pirro Thomo, Aleksandër Meksi, Kostandinos Giakoumis, Sokol Çunga, Andi Rëmbeci, Era Xhaferaj; përgatitur për botim nga Pirro Thomo dhe Anisa Ymeri; përgatitur për botim nga Pirro Thomo e Anisa Ymeri.
Dr. Anisa Ymeri, pasi falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e këtij libri, shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për veprën e Theofan Popës, jeta e të cilit qëndron midis besimit dhe shkencës.
Prof. Pirro Thomo shprehu mirënjohjen për Akademinë e Shkencave, që i akordoi Theofan Popës vlerësimin e lartë “Nderi i Akademisë” dhe në vijim vuri në dukje meritat e tij si njohës i gjuhëve të huaja (greqishtes bizantine dhe sllavishtes) dhe mbi të gjitha si një studiues cilësor i paleografisë; një objekti studimi me pasoja të rrezikshme për ideologjinë e periudhës së para viteve 1990.
Theofan Popa ishte themelues e vijues i traditës së studimeve në fushën e epigrafisë, tha prof. Thomo.
Ai kujtoi se në një periudhë shumë të vështirë, si specialist i Institutit të Monumenteve, Theofan Popa u caktua për të mbledhur mbishkrimet e kishave të Shqipërisë, por bëri shumë më tepër se aq. Shkoi në çdo skaj të Shqipërisë dhe regjistroi e koleksionoi të gjitha objektet me vlerë dhe mbishkrimet kishtare.
Prof. Thomo, përmes ilustrimeve me fotografi të rralla, mes të cilave ishte edhe një foto me Migjenin, rrëfeu kontributet e Theofan Popës dhe vuri në dukje se vepra e tij është vlerësuar nga studiues shqiptarë, profesorë të universitetit të Vjenës dhe specialistë të njohur në Europë.
Në fjalën e tij prof. Aleksandër Meksi rrëfeu kujtimet në lidhjet zyrtare dhe ato miqësore gjatë viteve të bashkëpunimit si koleg me Theofan Popën për studimin, skedimin, koleksionimin, klasifikimin dhe ruajtjen e monumenteve kishtare. “Theofani kishte një punë të vështirë në të gjitha aspektet dhe ka punuar pa rezerva dhe me përkushtim, – tha prof. Meksi. Ai sugjeroi që dy veprat e Theofan Popës për mbishkrimet dhe pikturën kishtare, të botuara para dy dekadash e më shumë nga Akademia e Shkencave, të ribotohen prej saj me një redaktim shkencor më cilësor dhe të përkthyera anglisht.
Prof. Konstantinos Giakoumis përgëzoi Akademinë e Shkencave për vlerësimin e nderimin e figurës së Theofan Popës. Pasi foli për kontributin e madh që ka Theofan Popa në epigrafikën bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri. Prof. Giakoumis tha se kontributi i Theofan Popës në studimin e historisë së artit kishtar, bizantin dhe pasbizantin ishte po aq i çmuar, sa dhe kontributi i tij në epigrafinë e kishave dhe ikonave të Shqipërisë. Theofan Popa ishte i pari në Shqipëri që, së bashku me Viktori Puzanovën dhe më vonë Dhorka Dhamon, e vendosën ikonografinë e artit kishtar në Shqipëri në kuadër të studimeve ndërkombëtare të fushës, edhe pse studimi i tyre qe shumë më i koklavitur për ideologjinë komuniste sesa ne fushat e tjera të arkeologjisë, arkitekturës dhe të arteve.
Dr. Andi Rembeci tha se Theofan Popa ia kushtoi jetën studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Ai e vlerësoi mes të tjerash Theofan Popën si protagonist të shpëtimit të shumë monumenteve kulturore në Shqipëri, por edhe si një studiues nismëtar të artit të krishterë në vend, me një vepër voluminoze, ku ai punoi pa u lodhur për gjurmimin, studimin dhe mbrojtjen e pasurive kulturore.
Më tej Rëmbeci foli për punën kolosale të Theofanit si mbledhës i 10 mijë ikonave. Ai tha se puna e Popës konsistonte në hartimin e skedave përmbledhëse për dokumentet e shkruara në greqisht, në mënyrë që këto t’i përdornin, më pas, arkivistët gjatë procesit të përpunimit tekniko- shkencor të dokumenteve dhe për hartimin e mjeteve të informimit. Pa njohjet gjuhësore të Popës dhe ekspertizën e tij teologjike dhe historike, do të kishte qenë i pamundur përpunimi tekniko- shkencor i një pjese të madhe të dokumenteve të AQSH shkruar në greqisht, – tha Rëmbeci, – dhe theksoi se artikujt e Theofan Popës kanë hedhur dritë për piktorët dhe familjet e piktorëve që kishin kryer veprimtaritë e tyre artistike në monumentet e vendit tonë, duke shkruar artikuj për Onufrin dhe Nikollën, Joanin dhe Onufër Qipriotin, David Selenicën dhe vëllezërit korçarë Kostandin dhe Athanas Zografn, Kostandinin nga Shpati dhe Çetirët nga Grabova, si dhe për shumë piktorë të tjerë.