Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Qendra e Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e historisë së fotografisë shqiptare
Më 5 mars 2025 u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e historisë së fotografisë shqiptare mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Qendrës së Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Marrëveshja u nënshkrua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nga drejtuesit e këtyre institucioneve, përkatësisht dr. Luçjan Bedeni, znj. Valbona Zhupa dhe akad. asoc. Stefan Çapaliku.
Marrëveshja konsiston në realizimin e projektit shkencor “Antologjia e fotografisë shqiptare”, e iniciuar nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, me synim që të promovojë trashëgiminë fotografike shqiptare.
Drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve, akad. asoc. Stefan Çapaliku çeli ceremoninë duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin në përpilimin e kësaj antologjie të parë retrospektive të fotografisë shqiptare. Ai tha se fotografia, fatkeqësisht, nuk ka qenë në fokus të studimeve të QSA-së.
Arkivi më i madh i fotografisë shqiptare gjendet në Muzeun “Marubi” në Shkodër, por edhe pranë ATSH-së ka një arkiv mjaft të pasur të fotografisë. Me këto dy burime dhe të tjera të ndërsjella që do të vijnë nga kërkimet tona si Qendër e Studimit të Arteve, do të mund t’ia dalim që brenda një kohe dyvjeçare të kemi këtë vepër shumë të rëndësishme.
Drejtori i Muzeut “Marubi”, dr. Bedeni, e vlerësoi bashkëpunimin mes palëve dhe u shpreh se pas arkivit të “Marubit”, arkivi më i rëndësishëm është ai i ATSH-së, që dokumenton kryesisht historinë e realizmit socialist shqiptar.
Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, znj. Valbona Zhupa, tha se, ndonëse kjo antologji është e vonuar, do të risjellë në kujtesë emrat e fotografëve, si dhe dëshminë e punës së tyre të çmuar.
Ajo u shpreh më tej se Agjencia Telegrafike Shqiptare është agjencia e vetme zyrtare në vend, që daton nga viti 1912. Arkivi i saj është jashtëzakonisht i pasur, me mbi 260 mijë fotografi dhe negativë, të cilat aktualisht janë në proces digjitalizimi.
Znj. Zhupa e vuri theksin edhe te kontributi i institucionit që ajo drejton, në përgatitjen e këtij botimi të veçantë për promovimin e studimit të fotografisë, si një narrativë e plotë dhe autentike për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, në kuadër të realizimit të projektit shkencor “Antologjia e fotografisë shqiptare”, do të organizohen vizita dhe takime në institucione të cilat kanë si pasuri arkiva fotografikë, ku do të mund të hulumtohen imazhet e përshtatshme për botimin. Në vijim të punës do të planifikohen takime të përbashkëta për të diskutuar strukturën që do të ketë botimi dhe përmbajtja e ti. Gjithashtu, takime të hapura për publikun do të organizohen bashkërisht me qëllim që të njihet dhe promovohet botimi.