Konstituohet Njësia e kërkimeve gjeografike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Sot më 5 mars 2025 në Akademinë Shkencave të Shqipërisë u mbajt mbledhja për konstituimin e Njësisë së kërkimeve gjeografike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Veprimtarinë e çeli gjeografi i njohur prof. dr. Vasil Kristo. Ai u shpreh se është një ditë e shënuar për gjeografët ngritja e Njësisë së kërkimeve gjeografike pranë Akademisë së Shkencave. Ngritja e një njësie si dikur do t’i japë zhvillim shkencës në studimin e gjeografisë së Shqipërisë dhe do të zgjerojë bashkëpunimet që kanë qenë deri në 2007-n midis Qendrës së Studimeve Gjeografike, departamenteve dhe gjeografëve të Kosovës.

Pas fjalës përshëndetëse drejtuesi i Njësisë së kërkimeve gjeografike, prof. dr. Qiriazi falënderoi në mënyrë të veçantë kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushin për mbështetjen që ka dhënë në ngritjen e kësaj njësie, me dëshirën e madhe për ta kthyer në institut të kërkimeve gjeografike.
Prof. dr. Qiriazi i njohu të pranishmit me vendimin për konstituimin e Njësisë së kërkimeve gjeografike pranë ASHSH-së. Mbështetur në nenin 4, pika 6 dhe në nenin 19 të ligjit nr.53/2019 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë dhe në nenin 44 të statutit të saj me nismën dhe kërkesën e një grupi studiuesish të gjeografisë së Shqipërisë, kryesia e ASHSH-së krijoi Njësinë e përkohshme të kërkimeve gjeografike, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai argumentoi më tej domosdoshmërinë e krijimit të njësisë së kërkimeve gjeografike.
Prof. dr. Qiriazi tha se mbyllja e Qendrës së Studimeve Gjeografike në vitin 2007 rezultoi veprim tepër i gabuar. Si rrjedhojë, departamentet e gjeografisë në universitetet e vendit nuk mundën të drejtojnë dhe të realizojnë studime të thelluara dhe përgjithësuese gjeografike në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky problem është bërë më i mprehtë kohët fundit, kur po zvogëlohet vazhdimisht numri i studentëve të degëve të gjeografisë. Më tej, ai foli për vlerat e studimeve gjeografike, ku ndër të tjera theksoi se stadi aktual i zhvillimit përballet me sfida të mëdha, zgjidhja e të cilave kërkon edhe ndihmesën e studimeve gjeografike, ndër të cilat veçoi humbjen e kapitalit njerëzor për shkak të emigrimit, dëmtimin e ekosistemeve dhe biodiversitetit, që nxisin nevojën urgjente të ekuilibrit midis zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës, si dhe ndërveprimit me shkencat e tjera, si historia, albanologjia etj.

Më pas ai përcaktoi një sërë detyrash të Njësisë së studimeve gjeografike, duke filluar me njohjen dhe promovimin e drejtimeve të metodologjisë dhe metodave të reja të studimeve të sotme gjeografike në botë, sigurimin e mbështetjes dhe oponencës shkencore për hartimin e artikujve të shumtë gjeografikë të Enciklopedisë shqiptare etj.
Disa nga studimet gjeografike me vlera albanologjike, në të cilat do të fokusohet aktiviteti shkencor i Njësisë janë përditësimi me informacion dhe trajtim të ri të monografisë “Gjeografia fizike”, e para vepër kapitale kolektive e përgatitur dhe botuar rreth 40 vjet më parë nga Qendra e Studimeve Gjeografike.
Më tej ai e vuri theksin te përgatitja dhe drejtimi i disa projekteve, si: “Studimi i vendbanimeve të Shqipërisë e i urbanizmit në vendin tonë dhe ndikimi në ekosistemet vendore e kombëtare”; botimi i monografisë “Qendrat e banuara të Shqipërisë”; “Studimi kompleks regjional gjeografik i Shqipërisë”; drejtimi dhe përgatitja e projektit “Popullsia e Shqipërisë”; projekti “Studim i integruar i trashëgimisë natyrore dhe kulturore”; projekti “Studime mbi vlerësimin e potencialeve natyrore dhe humane për zhvillimin vendor e rajonal, si bazë e strategjisë së këtij zhvillimi”; “Shqiptarët në mjedisin e tyre”; “Peizazhi ynë natyror e kulturor gjeografik, degradimi e shkretizimi mi dhe strategjitë e programet e mbrojtjes e vitalizmit të tij”; “Studime për gjeografinë e turizmit të Shqipërisë” etj.

Në vijim të veprimtarisë u prezantua projektrregullorja e brendshme për funksionimin e Njësisë, platforma e veprimtarisë shkencore dhe programi i punës për vitin 2025-2026 i përgatitur nga bordi drejtues i kësaj njësie.
Në fund, u bënë diskutime dhe propozime, ku folësit shprehën vlerësimin e tyre për ngjitjen e Njësisë së studimeve gjeografike dhe rëndësinë që ka për t’ua çelur rrugën studimeve të thelluara gjeografike në shërbim të albanologjisë dhe të zgjidhjes së sfidave apo krizave të mëdha me të cilat po përballemi tani ose në të ardhmen.
Njësia kërkimore gjeografike, sipas vendimit të Kryesisë së ASHSH-së, ka një mandat dyvjeçar më të drejtë zgjatjen e këtij mandati edhe dy vite të tjera ose kthimin e saj në institut të kërkimeve gjeografike, në rast se e justifikon këtë me sukseset dhe me studimet e veta shkencore dhe hap perspektivë për të ardhmen.