Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e përfaqësuar nga delegacioni i kryesuar nga Kryetari i ASHSH-së akad. Skënder Gjinushi, i shoqëruar nga akad. Anastas Angjeli, Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe prof. asoc. dr. Elda Zotaj, përgjegjëse e Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Azerbajxhan, ku në qendër të agjendës ishte forcimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale.
Momenti kryesor i kësaj vizite ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim Shkencor ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit (ANAS). Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë anëtarë të presidiumit dhe drejtorët e instituteve të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit.
Ky dokument shënon një gur themeli në marrëdhëniet mes dy akademive dhe vendos kornizën për një bashkëpunim të gjerë shkencor, ku palët kanë shprehur vullnetin për të bashkëpunuar veçanërisht në disiplinat e Shkencave Sociale, Shkencave Humane, Sizmologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.
Firmosja e këtij dokumenti hap rrugë për përpjekje të përbashkëta në zhvillimin dhe zbatimin e projekteve kërkimore, aplikimin për projekte bilaterale dhe multilaterale, si dhe lehtësimin e shkëmbimit të personelit dhe ekspertëve. Gjithashtu, memorandumi parasheh organizimin e përbashkët të konferencave, seminareve dhe simpoziumeve shkencore, si dhe shkëmbimin e informacionit shkencor dhe publikimeve akademike ndërmjet dy institucioneve.
Ky akt institucional konfirmon angazhimin e palëve për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve shkencore në nivel ndërkombëtar, duke i dhënë një hov të ri bashkëpunimit mes dy institucioneve.


