Mbylli punimet konferenca e 4-t ndërkombëtare për shëndetin publik dhe mjedisin

Sot, më 23 qershor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë mbylli punimet konferenca e 4-t ndërkombëtare për shëndetin publik dhe mjedisin. Veprimtaria dyditore u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nëpërmjet Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës dhe Njësisë Kërkimore “Pasuritë Ujore”, në bashkëpunim me Universitetin George Mason (SHBA) dhe Collegium Ramazzini (Itali).

Konferenca shërbeu si një platformë ndërkombëtare shkëmbimi për ekspertë të shëndetit publik, biologë, mjekë, specialistë të mjedisit dhe politikëbërës, duke vënë në qendër qasjen “One Health”, e cila thekson ndërlidhjen mes shëndetit të njeriut, kafshëve dhe ekosistemeve.

Gjatë dy ditëve të konferencës, mbi 100 kërkues shkencorë nga Shqipëria dhe vende të tjera prezantuan studime dhe rezultate kërkimore mbi cilësinë e ajrit, ujit dhe ushqimit, si dhe ndikimin e tyre në shëndetin publik. Dita e parë e konferencës u hap me fjalët përshëndetëse të drejtuesve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të institucioneve shkencore e publike. (Shih linkun: https://www.facebook.com/61553652170380/posts/nisi-punimet-konferenca-e-4-t-nd%C3%ABrkomb%C3%ABtare-p%C3%ABr-sh%C3%ABndetin-publik-dhe-mjedisin-as/122262273140121739/)

Ligjërata kryesore u mbajt nga prof. Daniele Mandrioli, në emër të Collegium Ramazzini. Sesioni i parë iu kushtua shëndetit të popullatës dhe politikave shëndetësore, duke trajtuar tema aktuale si hezitimi ndaj vaksinave, sistemet e informacionit për sëmundjet jo të transmetueshme, imuniteti kundër SARS-CoV-2, përvoja nga shpërthimi i chikungunya-s në Itali, ndikimi mjedisor i dializës, problematika të ortodoncisë, si dhe lidhja ndërmjet gjelbërimit urban dhe rrezikut për sklerozën laterale amiotrofike. Diskutimet u mbyllën me analizën e sistemit të survejancës sindromike për gripin.

Në ditën e dytë, sesionet u përqendruan në cilësinë dhe sigurinë ushqimore, si dhe në cilësinë e ujit. U prezantuan studime mbi ndikimin e mikro- dhe nanoplastikës në ekosistemet ujore, sigurinë e produkteve të peshkimit, përdorimin e sensorëve të avancuar për monitorimin e ndotësve, si dhe efektet e ndryshimeve klimatike në sigurinë ushqimore.
Prof. dr. Melissa J. Perry, dekane e Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin George Mason, mbajti ligjëratën kryesore mbi rolin e inteligjencës artificiale në kërkimin mjedisor dhe përgjegjësitë etike që lidhen me përdorimin e saj në shëndetin publik. Në sesionin përmbyllës, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e kërkimit multidisiplinar për përballimin e sfidave globale që lidhen me ndotjen, ndryshimet klimatike dhe sëmundjet e reja.

Punimet e prezantuara mbuluan një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me shëndetin publik dhe cilësinë e mjedisit. Diskutimet nxorën në pah ndikimin e ndotjes urbane në jetën e përditshme, sfidat e menaxhimit të mbetjeve dhe riciklimit, politikat e energjisë së pastër, si dhe nevojën për ruajtjen e biodiversitetit. U theksua gjithashtu roli i institucioneve akademike në ndërgjegjësimin e publikut dhe u analizuan sfidat e reja të shëndetit publik, përfshirë efektet e ndryshimeve klimatike mbi komunitetet.

Në përfundim, punimet dhe diskutimet e zhvilluara nxorën në pah praktikat më të mira për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rëndësinë e politikave të qëndrueshme për të ardhmen. Organizatorët njoftuan se rezultatet e konferencës do të publikohen në një libër proceedings (vëllim të veçantë) me ISBN, duke dokumentuar kontributet shkencore të pjesëmarrësve dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e dialogut shkencor ndërkombëtar për shëndetin publik dhe mjedisin.

Konferenca u mbyll me mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe me angazhimin për vijimin e bashkëpunimeve kërkimore në kuadër të projekteve të përbashkëta ndërinstitucionale.