Mbi takimin e zhvilluar me Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, me anëtarët e Kryesisë, drejtues të instituteve dhe qendrave të përhershme të ASHSH-së dhe të sektorëve të administratës

Në takimin e realizuar më 24 janar 2025 me Kryeministrin Edi Rama, Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, në fjalën e tij falënderoi Kryeministrin për mundësinë dhe kohën për të diskutuar disa çështje me rëndësi të madhe për institucionin.
Në hyrje të takimit, Kryetari Gjinushi parashtroi një informacion të përmbledhur mbi veprimtarinë e Akademisë së Shkencave, e posaçërisht, mbi ecurinë e tri projekteve të albanologjisë e ngritjen e Qendrës së biogjenetikës, si dhe e njohu Kryeministrin me ristrukturimin e riorganizimin e instituteve të albanologjisë, e të qendrave të përhershme dhe njësitë e përkohëshme, duke theksuar se pranë ASHSH-së janë të aktivizuar si punonjës kërkimorë e bashkëpunëtorë rreth 500 specialistë të lartë.
Kryetari Gjinushi, duke falënderuar Kryeministrin për mbështetjen e dhënë në fazën e parë të reformës, kërkoi që kjo të vijojë edhe për fazën e dytë të reformës së Akademisë së Shkencave.
Ndër çështjet kryesore të përmendura prej kryetarit Gjinushi, për të cilat kërkohet mbështetje prej Këshillit të Ministrave dhe institucioneve qendrore ishin:
Së pari: Mjediset për muzetë, arkivat, institutet, qendrat dhe veprimtarinë akademike.
– Në kushtet aktuale, nevojat për mjedise për muzetë e arkeologjisë dhe etnografisë janë emergjente pasi fondet e tyre sot janë 80% të paekspozuara e në kushte magazinimi të papërshtatshme, deri në degradim.
– Nevojitet mbështetje për gjetjen e mjediseve për hapësira muzeale, si edhe hapësira për ambiente zyrash të punonjësve të Instituteve të Albanologjisë.
Kryeministri u informua se aktualisht Muzeu Arkeologjik ka potencialisht 2.200 objekte arkeologjike të ekspozuara dhe 15.000 të tjera në ruajtje.
Muzeu Etnografik nuk ka ambiente ekspozimi, ndërkohë, ka qindra objekte me vlerë si: flamuj kombëtarë të ngjarjeve më të rëndësishme historike, kostume popullore të të gjitha krahinave, objekte ari e argjendi, fond fotografish e disqesh, etj.
– Nevoja e rikonstruktimit të godinës së Akademisë së Shkencave dhe e Librit Akademik, si dhe ajo e dublimit të sallës së mbledhjeve.
– Kalimi i godinës së re pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) , për të cilën është rënë dakord në parim, në dispozicion të Njësisë Nano-Alb e përkohësisht të disa mjediseve të UBT-së, sipas propozimit të ministres së Arsimit.
Së dyti: Masat per rritjen e kapaciteteve në kërkimin shkencor sipas strategjisë për shkencën 2023-2030.
– Domosdoshmëria për një vendim të Këshillit të Ministrave në të cilin të specifikohen hapat konkretë në ngritjen e Qendrës Nano-Alb, ku të përcaktohen fazat, mjediset, detyrat ndaj Akademisë së Shkencave, Bashkisë etj.
– Mbështetja e rritjes në perspektivë e kapaciteteve të Qendrës së biogjenetikës, instituteve të albanologjisë, sipas strategjisë për shkencën, si dhe konsultimi i statusit të Institutit të Fizikës Bërthamore e atij të Gjeo-Shkencave.
– PBA në të ardhmen të parashikojë mbështetjen e realizimit të ngritjes së strukturave të reja e të zgjerimit të kapaciteteve e të trajtimit financiar të instituteve të albanologjisë e qendrave të përhershme.
-Fondet për kërkimin shkencor në nivel kombëtar mbeten ende në nivele shumë të ulëta, nevojitet planifikimi financiar, ku të parashikohet që mbështetja me fondet buxhetore të shkojë të paktën në 1- 2% të GDP-së, si dhe mundësia për një rishikim të pagave të punonjësve kërkimorë-shkencorë që punojnë në institutet e ASHSH-së per t’u njësuar realisht me ato të institucioneve të arsimit të lartë.
Së treti: U trajtua problemi i kontributit të ASHSH-së në evidentimin e zgjidhjen e disa problemeve e përpilimin e strategjive në sektorë të rëndësishëm të arsimit, bujqësisë e ekonomisë në tërësi.
– Institutet e ASHSH-së bazuar në studime konkrete e gjithëpërfshirëse vlerësojnë se është i nevojshëm rishikimi i programeve shkollore në arsimin parauniversitar, posaçërisht në matematikë, fizikë e gjuhë shqipe, si dhe në shkencat natyrore në tërësi. Për dy të parat janë hartuar raportet e rekomandimet konkrete.
Kryeministri u informua se njësitë e ASHSH-së kanë punuar me programin e teksteve shkollore për lëndët matematikë-fizikë, pasi ka një handikap në sistemin e arsimit parauniversitar; kemi një vit boshllëk, dhe nxënësit e shkollave të mesme sot nuk janë në nivelin e formimin e duhur.
Edhe programet e gjuhës shqipe kanë nevojë për ndryshime; që të jenë më të kapshëm, më harmonik e më të pëlqyeshme nga nxënësit, që të dalim nga gjendja e sotme ku pëlqehet më shumë mësimi i gjuhës angleze, se ai i gjuhës shqipe.
Këto studime janë ndërmarrë edhe me nxitjen e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave dhe me ministren e Arsimit e është rënë dakord për hedhjen e hapave konkretë në këto drejtime.
– Siç dihet, pranë Akademisë së Shkencave funksionojnë disa njësi kërkimore të përkohshme e komisione të përhershme, pranë të cilave ka specialistë nga të gjitha institucionet arsimore-shkencore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, e këtu lipset të institucionalizohet e koordinohet më mirë bashkëpunimi midis tyre e institucioneve ekzekutive e ministrive përkatëse për zbatimin e rekomandimeve të tyre.
Së katërti: U prekën çështje të marrëdhënieve me disa ministri, ku bashkëpunimi i ASHSH-së me to është i veçantë.
– Me Ministrinë e Arsimit, në zbatim të ligjit të ri për shkencën duhet të përcaktojmë statusin e posaçëm të instituteve të albanologjisë e qendrave të ASHSH-së për pjesëmarrje e bashkëpunim në programet e doktoraturës për fusha specifike.
– Nxjerrja e akteve nënligjore në zbatim të ligjit për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë.
– Lipset t’i jepet hapësira ligjore e duhur të drejtës së instituteve kërkimore-shkencore për të kryer shërbime fitimprurëse.
– Është i nevojshëm përcaktimi i rolit e statusit të Institutit të Arkeologjisë në hulumtimet arkeologjike e në organizimin e siteve arkeologjike, bashkëpunimi i tyre me strukturat ekzekutive, duke filluar nga rregullimi i kuadrit ligjor, pasi Ligji për Trashëgiminë është i hartuar keq, ngatërrohet kërkimi shkencor me administrimin e organizimin e siteve arkeologjike.
Kryeministri Rama, pasi ndoqi me vëmendje gjithë çështjet e shtruara për diskutim në takim dhe vlerësoi rezultatet e reformës dhe punën e deritanishme të Akademisë së Shkencave, kërkoi në radhë të parë të njihej me raportin e Institutit të Arkeologjisë me muzetë në vend, më konkretisht lidhjen që ka Instituti i Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave me Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Kryeministri Rama premtoi që do ta ndjekë me kujdes këtë problem, duke u konsultuar edhe me ministrin aktual të MEKI-t. Sa i takon ligjit për trashëgiminë dhe problematikave që ka shkaktuar zbatimi i tij, kryeministri Rama kërkoi nga Akademia dhe ekspertët e saj amendimet konkrete dhe një draft për ndërhyrjet në ligj.
Kryeministri Rama ndau idenë që me rikonstruksionin dhe riideimin e funksionimit të Muzeut Historik Kombëtar, fonde të muzeut të arkeologjisë dhe muzeut të etnografisë të bëhen pjesë e MHK, ndarë në linja muzeale, në të cilën ai propozoi të përfshihej edhe gjuha shqipe, duke mirëkuptuar edhe kërkesën e ASHSH-së për të patur muze autonom me fondet e instituteve që janë dhe objekt i punës studimore.
Në lidhje me kërkesën për rritjen e fondeve për kërkimin shkencor kryeministri Rama garantoi mbështetje, por mbi bazën e studimeve konkrete dhe domosdoshmërinë e një harte të qartë se ku mund të jenë përfitimet në fushën e kërkimit shkencor. Lidhur me pagat e punonjësve të instituteve, kryeministri deklaroi se duhen parë, pasi sipas tij nuk ka kuptim që institutet që kanë nivelin më të lartë të kërkimit shkencor të kenë paga më të ulëta se universitetet.
Në lidhje me kalimin e njësisë kërkimore NANO-ALB në një qendër kërkimore të përhershme dhe vendosja e saj në ambientet e korpusit të UBT-së, sipas kryeministrit ishte një zgjidhje perfekt.
Kryeministri preku edhe mundësinë për hartimin e një strategjie, ku të ndërthuret bashkëpunimi midis qendrave dhe njësive kërkimore shkencore të ASHSH-së, ministrive të linjës dhe privatit për ofrimin e ekspertizës përmes certifikimit të produkteve si formë për gjenerimin e të ardhurave.
Kryeministri garantoi mbështetje të plotë të tij dhe të qeverisë që drejton për mbarëvajtjen dhe inkurajimin e mëtejshëm të nismave të ndërmarra për rritjen e nivelit të kërkimit shkencor në vend dhe ra dakord që takime të kësaj natyre janë të domosdoshme për nxitjen e rezultateve dhe përpjekjeve për të çuar përpara nismat e ndërmarra.