Drejtuar: Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë,
Sinodit të Shenjtë, Tiranë

Të nderuar hirësi,

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ju shpreh ngushëllimet më të thella, për fjetjen në Zotin të Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Janullatos!

Ndarja e Tij nga jeta fizike, përveçse një humbje e dhimbje për Ju dhe për mbarë komunitetin orthodhoks në Shqipëri, është gjithashtu një humbje edhe për botën akademike.

Si figurë e shquar e akademizmit në fushën e religjionit e teologjisë (antar nderi i Akademisë së Athinës, profesor emeritus i Universitetit Kapodistrian, doktor nderi në 19 universitete të ndryshme të botës etj), Ai njihet dhe vlerësohet edhe për 24 librat e përkthyera në mbi 17 gjuhë të botës si dhe përmbi 240 studime dhe artikuj teologjikë dhe fetarë në shkencën e Historisë së Feve, dialogun ndërfetar dhe bashkekzistencën paqësore të popujve dhe feve.

Tek personaliteti i Tij unik gërshetoheshin kleriku i përkushtuar me njeriun e dashur, profesori e studiuesi me drejtuesin e institucioneve religjoze, intelektuali me vizionarin që punoi për dashurinë dhe për paqen mes njerëzve.

E paharruar trashëgimia e Tij në të mirë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë!

Kryesia
Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Tiranë më 25 janar 2025

www.akad.gov.al