Akademik Prof. Dr Andrea Pieroni, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zv. rektor i Universitetit të Gastronomisë së Torinos mbajti seminarin “New wine in old wine flasks? Of the importance of documenting traditional plant uses in Albania”, me ekspertë dhe pasuniversitarë të përzgjedhur nga universitetet, institucionet dhe qendrat shkencore në Shqipëri, që janë të interesuar për studime të këtij lloji. Seminari u zhvillua në mjediset e Akademisë së Shkencave më 2 Qershor 2016. Aktiviteti u organizua nga Akad. S. Bushati dhe Akad. As. E. Kongjika.
Kërkimet e Akad. Pieronit fokusohen në etnobotanikën gastronomike dhe mjekësore në hapësirën Mesdhetare, Ballkan dhe midis komuniteteve të emigrantëve në Europën Perëndimore. Etnobiologjia është një fushë ndërdisiplinore dhe ndërkulturore, që kombinon shkenca të ndryshme, të tilla si bujqësia tradicionale dhe ekologjike, antropologjia, arkeologjia, botanika, ekologjia, gjeografia, gjuhësia, mjekësia dhe veterinaria, farmakologjia, sociologjia, zoologjia dhe fushat e lidhura me të.
Pasi shpjegoi konceptet kryesore të etnobiologjisë, Prof. Pieroni theksoi qëllimin e etnobotanikës në veçanti, që është studimi se si dhe pse njerëzit përdorin dhe konceptojnë bimët në mjediset e tyre lokale. Nëpërmjet rasteve studimore të paraqitura nga zonat e Kelmendit, Shalës dhe nga Gora si dhe nga Peshteku (fshat në Serbinë Juglindore, në zonën e Sanxhakut) vuri theksin mbi veçoritë e krijimit të identitetit dhe komunikimit me fqinjët.
Gjithashtu, lektori u përqendrua në rëndësinë e studimeve etnobiologjike mbi strategjitë e bazuara në komunitetin e bio-ruajtjes, zhvillimin rural lokal (ekoturizmi), produktet ushqimore specifike, trashëgiminë bio-kulturore lokale (Eko-muze, kopshte etnobiologjike), sigurinë e ushqimit dhe politikat e shëndetit publik dhe të ushqyerit, si dhe në drejtimet e tjera të reja për studimet e të ushqyerit.
Në fund të seminarit, Akademiku i Nderit A. Pieroni dhe Akad. Asoc. E. Kongjika shpërndanë certifikata për pjesëmarrësit, në më të shumtën studentë të Universitetit të Tiranës dhe atij Bujqësor të Tiranës, të cilët shprehën entuziazmin dhe interesimin e tyre për këtë degë të shkencës dhe shprehën kërkesën për më tepër organizime të kësaj natyre.