LEKSION I HAPUR

“THE INNOVATIVE TECHNOLOGY ON THE ENVIRONMENT QUALITY USING THE MOSS SURVEY” Teknologjia inovative për cilësinë e mjedisit përmes studimit të myshqeve

Akademia e Shkencave, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës organizoi në kuadër të programit “Edukimi në Shkencë” më 4 korrik 2017 në mjediset e Akademisë së Shkencave leksionin e hapur “The innovative technology on the environment quality using the moss survey”. Leksioni u mbajt nga i ftuari i nderit i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Emeritus prof. dr. Eiliv Steinnes, anëtar i Akademisë së Shkencave Teknike të Norvegjisë, i cili është një ndër themeluesit e teknikës së monitorimit të ajrit me anë të myshqeve, si bioindikator, dhe që prej vitit 2015 bashkëpunon me grupin e kërkuesve shqiptarë nga Universiteti i Tiranës dhe ai i Vlorës në monitorimin e cilësisë së ajrit me anë të kësaj metode. Gjithashtu, në vazhdim, nga grupi i bashkëpunëtorëve të tij në Shqipëri, prof. Pranvera Lazo, nga departamenti i kimisë në FSHN, referoi mbi rezultatet e këtij projekti në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj veprimtarie ishte njohja e pjesëmarrësve të interesuar me teknikën e monitorimit të ndotësve të ajrit me anë të myshqeve si bioindikatorë, si dhe me rezultatet e deritanishme të grupit të studiuesve shqiptarë. Pikërisht nivelet e larta të disa prej metaleve të rënda në mostrat e myshqeve të vendit tonë u bënë bazë e punës së vizitës së prof. Eiliv Steinnes në Shqipëri, i cili gjatë vizitës së tij 5-ditore në Shqipëri u njoh me laboratorët e departamentit të kimisë, ku kryhen një pjesë e analizave të mostrave të myshqeve, si dhe me disa pika monitorimi në jug të vendit.


Prof. Steinnes referoi për punën e kryer në kuadër të Programit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit mbi efektet e ndotjes atmosferike te bimët natyrale dhe drithërat (The International Cooperative Programme on Effects of Air Pollution on Natural Vegetation and Crops, ICP Vegetation), që i ka fillimet në vitet 1980. Programi “ICP Vegetation” u krijua më 1987 si një program ndërkombëtar kërkimi shkencor, i cili vëzhgon ndikimin e ndotësve të ajrit në vegjetacion. Aktualisht në këtë program janë të përfshira rreth 35 vende dhe mbi 200 shkencëtarë nga Europa, Azia, Amerika Qendrore, Kanadaja dhe Afrika e Jugut. Që prej vitit 2014 e në vijim Programi drejtohet nga prof. asoc. dr. Marina Frontasyeva, (Joint Institute of Nuclear Physic – JINR, Dubna, Rusi). Programi ka si objektiv studimin e efektit të ndotësve të ndryshëm të ajrit ndaj mjedisit (vegjetacioni bimor, pyjet, ujërat), si dhe ndikimet në shëndet. Studimi i monitorimit të efektit të metaleve të rënda me anë të myshqeve si bioindikatorë zhvillohet çdo pesë vjet. Gjithashtu në vitin 2010 me anë të një projekti-pilot filloi dhe studimi i ndikimit të disa ndotësve organikë të qëndrueshëm (POPs) me anë të myshqeve. Kjo metodë bën të mundur studimin e shpërndarjes në hapësirë dhe në kohë të ndotësve atmosferikë. Me anë të të dhënave të secilit parametër të raportuar nga çdo vend pjesëmarrës, ndërtohet për secilin parametër harta e shpërndarjes së tyre në Europë, përcaktohen zonat më problematike, dhe me anë të përpunimit statistikor të rezultateve realizohet vlerësimi mjedisor i ndotjes, si dhe origjina e emetimit të tyre në ajër.


Aplikimi i kësaj metode në Shqipëri ka filluar në vitin 2010, kur me iniciativën e prof. Pranvera Lazos u krijua grupi shqiptar i monitorimit të ajrit me anë të myshqeve si bioindikatorë pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, departamenti i kimisë. Ky grup i ri iu bashkëngjit programit “ICP Vegetation” për studimin e metaleve të rënda si ndotës të ajrit. Në këtë kuadër janë ndërmarrë disa studime doktorature pranë Universitetit të Tiranës, të udhëhequra prej prof. dr. Pranvera Lazo. Falë kontakteve dhe bashkëpunimit me Universitetin e Shkupit, Maqedoni dhe Institutin e Fizikës Bërthamore, Dubna, Rusi, është bërë e mundur të analizohen 64 mostra të marra nga i gjithë territori i Shqipërisë dhe të grumbullohen të dhëna mjaft të plota mbi praninë e 46 elementeve gjurmë në myshqe. Grupi shqiptar në bashkëpunim me biologun dr. Jani Marka, specialist në fushën e briofiteve, ku bëjnë pjesë dhe myshqet, ka bërë të mundur kampionimin e mostrave të myshqeve në të gjithë territorin e Shqipërisë. Me studimin e kryer është arritur që grupi i studiuesve shqiptarë t’i bashkohet me dinjitet grupit të madh të studiuesve Europianë apo “Familjes së Myshqeve”. Aktualisht, si drejtues të grupit të studiuesve shqiptarë janë prof. dr Pranvera Lazo dhe prof. asoc. dr. Flora Qarri, Universiteti i Vlorës, Fakulteti i Shkencave Teknike, departamenti i kimisë.


Nga rezultatet e deritanishme nëpërmjet studimit në shkallë Europiane të ndotësve të metaleve gjurmë në ajër, është demonstruar se vlerat e medianes së përqendrimit të metaleve të rënda në myshqe për periudhën 1990–2010 janë zvogëluar në masën 21% deri 77% për elemente Pb, V, Cd, Cr, Zn, Ni, Fe dhe As. Për periudhën e monitorimeve 2005 dhe 2010, ulja e nivelit të Cu dhe Pb është përkatësisht 6% dhe 36%, ndërkohë që në Europën Juglindore dhe vendet e Ballkanit perëndimor vërehen nivele të larta në trajtën e “Hot spoteve”. Nivelet e metaleve të rënda pësojnë një rritje të ndjeshme duke kaluar nga Europa Veriperëndimore në atë Juglindore. Nivele mjaft të larta të Al, Fe, V; Ni dhe Cr janë evidentuar në Rumani, Maqedoni, Shqipëri, Ukrainë dhe Bullgari. Për sa i përket nivelit të merkurit, Hg, nivele mjaft të larta janë gjetur në Shqipëri dhe Maqedoni, dhe më pas në Itali (rajoni i Bolzanos), Poloni dhe Francë.
Në veçanti, për Shqipërinë, nivele të larta të metaleve të rënda hasen në myshqet në pjesën lindore të vendit, që është nën ndikimin e emetimeve të këtyre metaleve nga metalurgjia, industria minerare dhe vendburimet metalifere të kësaj hapësire. Përmbajtja e metaleve të rënda te myshqet ulet dukshëm duke shkuar drejt perëndimit duke arritur vlerat më të ulëta në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë. Ky gradient zbritës nga lindja në perëndim konsiderohet në përputhje me vendburimet gjeokimike në Shqipëri.


Pjesëmarrja e gjerë në auditor e specialistëve të interesuar të fushës, pedagogë dhe studentë pasuniversitarë të nivelit “master” dhe “doktoraturë” nga Fakulteti i Shkencave Natyrore (departamenti i kimisë dhe biologjisë), nga Universiteti i Vlorës, nga Universiteti Politeknik i Tiranës (Fakulteti i Gjeologjisë dhe Fakulteti i Mjedisit), nga Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti Mesdhetar e gjallëroi këtë veprimtari me pyetje dhe debate interesante shkencore.