Kryeministri Edi Rama zhvillon një takim pune në mjediset e instituteve të albanologjisë pranë ASHSH-së, me drejtuesit e saj e të instituteve e qendrave kërkimore të përhershme
Para takimit kryeministri vizitoi mjediset e Muzeut Arkeologjik, i shoqëruar nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari, akad. Vasil Tole, drejtori Institutit të Arkeologjisë e përgjegjësi i muzeut.
Kryeministri Rama u njoh nga afër me fondin prej 100 mijë eksponantësh, dëshmi e patjetërsueshme e rrugëtimit mijëravjeçar të historisë së shqiptarëve.
Gjatë takimit akad.Gjinushi e njohu Kryeministrin me ecurinë e reformës në Akademinë e Shkencave, rezultatet kryesore të arritura, duke theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit me Këshillin e Ministrave për zbatimin e Ligjit për Shkencën, për reformimin e sistemit të kërkimit, si dhe për nevojën e bashkëpunimit me institucionet qendrore për dhënien e ekspertizës për çështje të rëndësishme të zhvillimit të vendit si në arsim, bujqësi, energjetikë etj., në mënyrë që frutet e punës kërkimore të gjejnë zbatueshmëri.
Kryeministri Rama, duke vlerësuar punën e deritanishme të Akademisë së Shkencave, në drejtimin e akad.Skënder Gjinushit, garantoi mbështetje të plotë të tij dhe Qeverisë që drejton për mbarëvajtjen dhe inkurajimin e mëtejshëm të nismave të ndërmarra për rritjen e nivelit të kërkimit shkencor në vend, duke shprehur mirëkuptim për çështjet e ngritura.