U zhvillua sesioni shkencor me temën “Prurje dhe qasje të reja metodologjike në studimet e sotme albanologjike”

Veprimtaria u zhvillua sot, më 9 korrik 2026, nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesioni u hap nga prof. dr. Tomorr Plangarica, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe vlerësoi kontributin e organizatorëve dhe të gjithë të pranishmëve në këtë sipërmarrje shkencore.

Veprimtarinë e përshëndeti akad. Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, i cili e vlerësoi si një nismë të rëndësishme për të evidentuar zhvillimet më të fundit në albanologji dhe për të krijuar një hapësirë dialogu ndërmjet studiuesve, duke nënvizuar se ky sesion është dëshmi e ndërthurjes së përvojës së konsoliduar me qasjet e reja metodologjike dhe se gjuha mbetet një nga shtyllat themelore të albanologjisë, por e lidhur ngushtë me fushat e tjera ndërdisiplinore që ndërtojnë tablonë e identitetit kulturor e historik të shqiptarëve.

Akad. Hoxha e vlerësoi edhe programin e veprimtarisë për pasurinë tematike nga stilistika, analiza e diskursit, sintaksa, semantika e frazeologjia, deri te leksikografia, teoria e komunikimit, etnolingusitika dhe didaktika e gjuhës, duke vënë në qendër të vëmendjes edhe veprat më të reja shkencore, të cilat i nënshtrohen analizës kritike dhe debatit akademik, çka është tregues i vitalitetit të kërkimit shkencor në fushën e albanologjisë.

Prof. dr. Artur Lama hapi sesionin shkencor me ligjëratën mbi prurjet dhe qasjet e reja në studimet gjuhësore shqiptare, nëpërmjet një studimi te zgjeruar të zhvillimeve më të fundit në këtë fushë. Ai solli në vëmendje korpusin e veprave të botuara në vitet e fundit – monografi, përmbledhje studimore, fjalorë të specializuar dhe krestomaci – të cilat dëshmojnë se gjuhësia shqiptare po hyn në një fazë të re metodologjike. Lama evidentoi kontributet e autorëve të këtyre veprave, duke i parë si pjesë të një strategjie të konsoliduar për pasurimin e studimeve gjuhësore.

Prof. dr. Lama u ndal veçanërisht te leksikografia, duke e parë si një fushë ku është arritur një progres i dukshëm nga konferenca e parë kombëtare e vitit 2004 deri te botimi i “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” në vitin 2025, të cilin e cilësoi si një arritje historike dhe si “regjistrin e parë” të pasurisë leksikore e frazeologjike të shqipes. Ai theksoi se ky zhvillim është shoqëruar edhe me vetëkritikë konstruktive, duke identifikuar boshllëqe të tilla si mungesa e fjalorëve për fëmijë e nxënës, mungesa e fjalorëve të huazimeve pas viteve ’90, si dhe nevoja për fjalorë të specializuar në fusha të ndryshme. Në vijim, ai trajtoi çështjen e liberalizmit leksikor dhe purizmit, duke sjellë shembuj nga fjalorët e rinj si Fjalë ari (2024), që ruan proverba dhe njësi frazeologjike të folklorit, dhe Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës (2023), që pasuron gjuhën letrare me trashëgiminë e Mjedës. Ai vuri në dukje se huazimet, sidomos anglicizmat, janë një fushë ku shqipja duhet të ruajë ekuilibrin mes pasurimit dhe normës, duke përmendur si shembull Fjalorin e anglicizmave (2025), pjesë e projektit ndërkombëtar GLAD.

Në fund të ligjëratës, Lama formuloi disa rekomandime të qarta si: nevoja për hartimin e fjalorëve etimologjikë, historikë e terminologjikë si program shtetëror; përgatitja e brezit të ri të studiuesve për gjuhësinë e aplikuar përmes programeve doktorale; sistemimi i trashëgimisë albanologjike të huaj, si në rastin e Dozonit dhe arkivave franceze e gjermane, si dhe forcimi i bashkëpunimit me diasporën shkencore përmes mekanizmave të qëndrueshëm. Seanca seanca e parë, u drejtua nga prof. dr. Tomorr Plangarica, prof.asoc. dr. Orjeta Baja dhe dr. Aurela Basha.

Studiues të fushës si prof. dr. Tomorr Plangarica, prof. dr. Artan Haxhi, dr. Rozana Rushiti dhe prof. dr. Tefë Topalli, prof.asoc.dr. Orjeta Baja, dr. Resul Telhaj, prof. dr. Artur Lama, dr. Behar Hoxha trajtuan vështrime stilistike në gjuhësinë e diskursit, trashëgiminë e prof. Tomorr Osmanit, dimensionin shkencor të veprës së prof. Tefë Topallit, semantikën e njësive frazeologjike në veprën e Lumit Aleksandër Sirdani, kontributin e prof. Mehmet Çelikut në sintaksën e shqipes, karakterizimin e diskursit letrar shqip dhe figurën e August Dozonit si albanologu i parë francez që trajtoi gjuhën shqipe etj.

Seanca e dytë, e drejtuar nga prof. dr. Juliana Kume, dr. Dhimitër Bello dhe dr. Teuta Toska, solli referime nga studiues të fushës si prof. dr. Valter Memisha, dr. Mimoza Kore, dr. Dhimitër Bello, prof. dr. Erzen Koperaj dhe dr. Zamira Shkreli, prof. dr. Juliana Kume, dr. Aurela Basha, dr. Teuta Toska dhe dr. Rafaela Marteta. Në kumtesat e tyre u trajtuan ecuria shkencore e teorisë dhe praktikës leksikografike, fjalori i anglicizmave si prurje e re në leksikografinë e huazimeve, trajtimi leksikografik i homonimeve leksikore, fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës si dëshmi e kontributit letrar e gjuhësor, konceptet teorike të komunikimit në veprën e prof. Agron Duros, shkolla si hapësirë diskursive, korpusi albanologjik si gur themeli për studime etnolinguiste dhe ditarët hulumtues mbi përvetësimin e gjuhës në fëmijëri.
Veprimtaria vijoi me diskutime dhe reflektime mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërbrezor për studimet e ardhshme albanologjike dhe për konsolidimin e metodologjive bashkëkohore në kërkimin shkencor, ku u nënvizua hapja ndaj metodologjive bashkëkohore dhe sfidave të reja. Sesioni shkencor u mbyll me vlerësime të përvojës së konsoliduar dhe trashëgimisë albanologjike dhe u nxorën konkluzionet.