Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë uron anëtarët e sapozgjedhur të Akademisë së të Rinjve

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi zhvilloi një takim me anëtarët e sapozgjedhur të Akademisë së të Rinjve. Në takim morën pjesë zëvendëskryetari i ASHSH-së akad. Vasil Tole, sekretarja shkencore akad. Anila Hoda, si dhe anëtarët aktualë të Akademisë së të Rinjve.
Takimi erdhi menjëherë pas mbledhjes së komisionit të ngritur nga Akademia e Shkencave, i cili një ditë më parë përfundoi procesin e konkursit për pranimin e anëtarëve të rinj. Në përputhje me kriteret e Statutit të Akademisë së Shkencave dhe “Kartës Themelore të ALLEA-s”, komisioni përzgjodhi kandidatët fitues, të cilët tashmë janë bërë pjesë e Akademisë së të Rinjve.
Anëtarët e rinj të Akademisë së të Rinjve janë: Ervisa Ndoka, Blisard Zani, Elona Shehu, Morena Breshanaj, Enxhia Sala, Xhilda Dhamo, Marjol Meço, Andi Hida, Xhon Skënderi, Olta Qejvani, Ermiona Braholli dhe Irena Myzeqari. Akademisë së të Rinjve iu bashkuan gjithashtu edhe dy anëtarë nga jashtë vendit Xhoela Bame dhe Andi Rroku.
Gjatë takimit, anëtarët e rinj u njohën me misionin dhe veprimtarinë e Akademisë së të Rinjve, me të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga anëtarësimi, si dhe me mundësitë që ofron kjo platformë për zhvillimin profesional dhe shkencor.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, pasi u uroi mirëseardhjen anëtarëve të rinj, theksoi se Akademia e të Rinjve merr një rëndësi të veçantë në kushtet e fenomenit të njohur si “ikja e trurit”, duke sqaruar se kjo nuk nënkupton se largohen vetëm më të zgjuarit, por se ndër më të mirët ka më shumë mundësi dhe oferta, sidomos për ata që kryejnë studimet e larta jashtë vendit. Ai nënvizoi se një nga synimet e Akademisë është të krijojë mundësi që studiuesit shqiptarë, pavarësisht se ku ndodhen, të vijojnë të japin kontributin e tyre në zhvillimin e shkencës dhe arsimit në Shqipëri. Sipas tij, Akademia përpiqet që në njësitë dhe komisionet e ngritura të përfshijë edhe kolegët që jetojnë jashtë vendit, duke vlerësuar se tashmë Shqipëria ka profesorë dhe studiues të suksesshëm në të gjitha fushat dhe se nuk ekziston më perceptimi i viteve të mëparshme se suksesi shkencor për shqiptarët ishte një mision i pamundur.
Duke u ndalur te sfidat e kërkimit shkencor, akad. Gjinushi u shpreh se kushtet për zhvillimin e tij duhet të përmirësohen, pasi Shqipëria mbetet ende pas jo vetëm në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian, por edhe me vendet e rajonit, si për sa i përket infrastrukturës laboratorike ashtu edhe ambienteve të tjera kërkimore. Ai vuri në dukje se financimi për kërkimin shkencor është ende i pamjaftueshëm, ndërkohë që Evropa synon investimin e 3% të PBB-së në këtë sektor. Sipas tij, Akademia e Shkencave ka propozuar që Shqipëria të arrijë të paktën nivelin minimal prej 1% të investimeve për kërkimin shkencor, të cilin e konsideroi jetik për zhvillimin e këtij sektori.



Kryetari i ASHSH-së u ndal edhe te prioriteti për ngritjen e dy qendrave të reja, atë të nanoteknologjisë dhe të shkencave të jetës, të cilat, sipas tij, do të zhvillohen në bashkëpunim me universitetet, ndërsa personeli kryesor do të mbështetet edhe te bashkëpunëtorët nga jashtë vendit. Ai bëri të ditur se Akademia numëron 178 anëtarë të komisioneve, prej të cilëve 52 janë akademikë, ndërsa pjesa tjetër përfaqëson hapësirën akademike dhe institucionet e arsimit të lartë.
Në përfundim, akad. Gjinushi theksoi se Akademia e Shkencave synon të luajë rolin e promotorit të kërkimit shkencor në vend dhe të mbetet oponenca kryesore ndaj qeverisë për rritjen e investimeve dhe ndërmarrjen e reformave të nevojshme, me qëllim afrimin e Shqipërisë me standardet logjistike dhe kapacitetet njerëzore të institucioneve homologe ndërkombëtare.
Anëtarët e rinj të Akademisë së të Rinjve u përshëndetën edhe nga zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Vasil Tole dhe sekretarja shkencore, akad. Anila Hoda. Ata vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në veprimtarinë shkencore dhe u uruan anëtarëve të rinj sukses në rrugëtimin e tyre akademik, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit të tyre në zhvillimin e shkencës.
