Fjala e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi në konferencën kushtuar 75-vjetorit të arkeologjisë shqiptare

Të nderuar të pranishëm në këtë konferencë, që i kushtohet 75-vjetorit të arkeologjisë shqiptare; akademikë e profesorë, arkeologë e historianë; kërkues shkencor e studentë;

 

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë veprimtari jubilare, në të cilën për herë të parë do të bëhet një vlerësim tërësor i arritjeve e sfidave të arkeologjisë në gjithë hapësirën tonë historike: në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut.

Arkeologjia shqiptare ka një parahistori të lavdërueshme. Fillimet e saj janë të njëkohshme me shkrimet e shekujve të humanizmit europian, me Marin Barletin dhe njoftimet e tij për kështjellat më të mëdha të Arbërisë në Mesjetë dhe për kalorësin dhe hipodromin e Durrësit, me amfiteatrin e qytetit-tavernë të Adriatikut, siç e quante ai.

Në oborrin e Ali pashë Tepelenës do të krijohej koleksioni i parë arkeologjik me gjetje të lashta ndërsa rilindësit, pasionantë siç ishin për zbulimin e lashtësisë së popullit tonë, ngritjen e një muzeu arkeologjik e vlerësonin thuajse njësoj me ngritjen e një universiteti. Një nga vendimet e rëndësishme që mori Kongresi i Manastirit (1908) qe ngritja e një muzeu arkeologjik, që do të dëshmonte qytetërimin ilir, para e protoilir.

Në këtë klimë u themeluan dhe u pasuruan koleksionet e njohura të kulturës arkeologjike: nga Àt Shtjefën Gjeçovi e Àt Gjergj Fishta në veri e nga familja Vlora në jug, koleksioni i Bushatllinjve të Shkodrës dhe ai i muzeut arkeologjik të ngritur nga Leon Rey në Vlorë, të cilët fatkeqesisht u grabitën ose u zhdukën gjatë luftërave.

Paralelisht me arkeologjinë e dijetarëve vullnetmirë, në gjysmën e parë të shekullit XX në hapësirën shqiptare nisi gërmimi sistematik për zbulimin e kulturës materiale në sitet kryesore që lidheshin me periudhën prehistorike parailire, si kulturat e Maliqit dhe Matit; me periudhën e qytetërimit ilir si qytetet Amantia, Bylis, Lissus, Shkodra etj.; me periudhat romake e antike të vonë; dhe me mesjetën arbërore. Shkolla italiane e arkeologjisë, me Luigi Ugolinin e Domenico Mustilli-n; shkolla franceze, me Leon Rey-n; shkolla austriake me Karl Patch-in, Camillo Praschniker-in dhe me baronin Franz Nopsca, megjithëse me një mendësi neokolonialiste, bënë zbulime të rëndësishme arkeologjike sidomos në faqen bregdetare të vendit, duke i kapërcyer metodat dhe sjelljet e shekullit të romantizmit, kur vëmendja europiane ndaj historisë dhe traditave të popujve të vegjël u shtua.

Arkeologjia shqiptare u institucionalizua si kërkim i specializuar me mbështetje shtetërore në vitin 1948, me ngritjen e të parit muze arkeologjik të vendit, që shenjon edhe kthimin e saj në vendin e vet. Me këtë vendim arkeologjia shqiptare u shndërrua në një shkencë të vërtetë dhe brenda dy dekadash u kapërcyen si romantizmi shkencor nga njëra anë, ashtu dhe shfrytëzimi i nëntokës shqiptare për të pasuruar muzet e vendeve të mëdha, siç kishte ndodhur më parë me kulturën greke, egjiptiane, hebreje dhe hetite. Mbështetja e interesimi për institucionalizimin e kërkimeve arkeologjike u rrit më tej me ngritjen e institutit, bashkimin e institutive të albanologjisë e formimin e Akademisë së Shkencave.

Brezi i parë e i ndritur i themeluesve të arkeologjisë shqiptare, me Hasan Cekën, Selim Islamin, Frano Prendin e Skënder Anamalin, ka meritën historike që jo vetëm e mori në duart e veta zbulimin e qytetërimeve të lashta, por, siç u vlerësua prej studiuesve të huaj të ftuar në konferencën e dytë albanologjike kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit (1968), me arritjet e veta, bëri që arkeologjia shqiptare të hynte në shkencën arkeologjike europiane nga porta e madhe.

Ndërsa Eqrem Çabej, në Kuvendin I të Studimeve Ilire (1972), do të pohonte se arritja më e madhe e atij kuvendi ishte që u provua se arkeologjia e re shqiptare po ofronte me sukses argumente bindëse në favor të vërtetimit të tezave të mbrojtura në gjuhësi për lashtësinë e shqipes, burimin ilir të saj dhe vazhdimësinë historike-territoriale të pandërprerë këtu ku jemi.

Brezi i dytë i arkeologëve, me personalitete të tillë si Muzafer Korkuti, Bep Jubani, Neritan Ceka, Aleksandra Mano, Aleksandër Dhima, Apollon Baçe e Aleksandër Meksi, ka meritën që jo vetëm e lartësoi me tej arkeologjinë si dije, si shkencë konkurruese me albanologjinë që zhvillohej në Botë, e njëherësh si promovuese të vlerave të qytetërimit iliro-shqiptar jashtë vendit në një kohë izolimi, por, edhe, që ia ndërroi vendin e rolin arkeologjisë në kuadër të disiplinave të tjera albanologjike. Tashmë arkeologjia nuk është thjesht një mbështetëse e tezave me bazë gjuhësore për etnogjenezën e shqiptarëve e identitetin e tyre apo një argumentuese e rolit dhënës të kulturës së tyre, por ka shkuar qartazi në drejtimin e ndryshimit të hierarkisë mes tyre, duke marre edhe rol pararendës, pasi arkeologjia shkon shpesh edhe atje ku gjuha nuk arrin të shkojë.

Një brez i tretë i arkeologëve shqiptar, i formuar e i vetëformuar me kërkesa akademike europiane, me lidhje të jashtme bashkëpunimi me jashtë dhe me teknologji të reja zbulimi, është duke e shpërfaqur në mënyrë të argumentuar në tërësi hartën arkeologjike të vendit, duke e shndërruar gjithnjë e më shumë hinterlandin, deri vonë disi të harruar, në përparësi të kërkimit.

Këta tre breza, që përbëjnë historinë e arkeologjisë, do të nderohen në çdo jubile, sot e në të ardhmen, do të nderohen edhe prej brezave që vijnë, të cilëve do t’u duhet më shumë vullnet e formim për të kapërcyer arritjet e tyre. Sot, që në shkencat e lashtësisë kanë hyrë metoda të reja dhe sidomos teknologji të reja, që mbështeten në antropogjenetikë dhe analizat e ADN-së, në filogjenetikë dhe inteligjencë artificiale dhe që synojnë të shkojnë deri në burim të qytetërimeve, gjuhëve dhe kulturave; vlerësimi i kësaj përvoje, përvetësimi i saj dhe përditësimi me dijet bashkëkohore, është kusht për të mos mbetur prapa. Kjo konferencë me siguri do të parashtrojë pyetje e zgjidhje edhe për këtë realitet të ri.

Përmbledhtas, pavarësisht nga problemet që ka pasur e ka kërkimi shkencor tek ne, qoftë prej kufizimeve ideologjike apo nga labirinthet e tranzicionit, në këtë 75-vjetor mund të themi me bindje të plotë se ky kontribut dhjetëravjeçar i Institutit të Arkeologjisë e i arkeologëve të të gjitha brezave, në bashkëpunim edhe me qendra nga më të njohurat dhe specialistë po aq të vlerësuar të arkeologjisë europiane, ka bërë që shkenca shqiptare jo thjesht të dëshirojë e të pohojë vjetërsinë e lashtësinë mijëravjeçare të origjinës së popullit shqiptar, por t’i bazojë e vërtetojë ato me fakte e artifakte shkencore, në vend të afirmimeve entuziaste e amplifikuese amatoreske; ka bërë që të dominojnë argumentet shkencore të bazuara mbi gjetjet shumëvjeçare arkeologjike për tërë periudhat: që nga ato prehistorike; për vazhdimësinë e lidhjet midis tyre që nga parailirët, ilirët e arbërit deri tek shqiptarët; duke i kthyer në argumente të pakontestuara e të pranuara gjithnjë e më gjerë nga albanologjia botërore. Janë këto arritje, veçanërisht ato përgjatë 10-vjeçarëve të fundit, që përbëjnë burimin e risive shkencore, njëherësh dhe shkakun e nevojën për hartimin e një historie të sintetizuar të shqiptarëve nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim të ngushtë me institutet e albanologjisë e departamentet e shkollave të larta.

Më lejoni ta mbyll këtu këtë fjalë hyrëse, duke përgëzuar komitetin e përbashkët shkencor-organizues, të drejtuar nga prof. Ceka; si dhe t’u uroj gjithë referuesve suksese të merituara.