“Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan”, libri që krijon profilin real të qytetit të Voskopojës në periudhën e lulëzimit, shek. XVII-XVIII

U mbajt konferenca përuruese nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në kuadër të iniciativave për Vitin e Akademizmit Shqiptar

Në kuadrin e iniciativave që ka marrë Akademia e Shkencave të Shqipërisë me rastin e Vitit të Akademizmit Shqiptar, sot më 15 prill 2022 u zhvillua në sallën “Aleks Buda” të këtij institucioni, konferenca përuruese për botimin me titull “Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan”. 

Ky botim përmbledh të gjitha referatet e mbajtura në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të organizuar më 2017-n nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Në konferencë referuan akad. Matteo Mandalà, akad. Pëllumb Xhufi, prof.dr. Aleksandër Meksi, prof. dr. Irakli Koçollari, prof.dr. Dhori Qirjazi, prof. asoc. dr. Evalda Paci.

Ishin të pranishëm Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi si dhe mjaft akademikë dhe të ftuar të tjerë.

Prof. dr. Irakli Koçollari dhe akad. Pëllumb Xhufi moderuan konferencën.

Konferenca u çel nga akad. Matteo Mandalà, Itali, ( online). Akad. Mandalà përshëndeti nga Hora e Arbëreshëve Akademinë e Shkencave dhe e uroi për 50-vjetorin e saj.

Akad. Mandalà tha se në shek. XVIII që frymëzim kishte epokën e iluminizmit,  fenomeni Voskopojë ka qenë përpjekja në shumë aspekte për të asimiluar në pjesën më kryesore të zhvillimit kulturor dhe ideologjik europian, në një çast kyç të historisë së këtij kontinenti. 

Ishin lidhjet me Venecian. Bota e librave me gjithë rrjetin e prodhimit të tyre me gjithë arsenalin e zejeve, të teknologjisë që ajo përfshinte, si makinat e shtypit, prerja e shkronjave, prodhim i letrës, si dhe ushtria e zejtarëve, artistëve, shtypshkruesve, libralidhësve, ilustruesve e të tjerë përbënte një realitet që ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e kulturës.

Mua si arbëresh më pëlqen të kujtoj se ishte ai vizion iluminist që u dha një kthesë historike arbëreshëve me krijimin e kolegjeve në Shën Mitër Korone dhe në Palermo që luajtën një rol themelor në formimin e shumë brezave të studiuesve, shumë prej të cilëve qenë autorë veprash me rëndësi vendimtare.

Voskopoja është një simbol konkret i bashkëjetës paqësore të popujve që kishin mësuar të jetonin në një simbiozë të përkryer, gjë që duhet të jetë edhe model i punës së studiuesve tanë, – tha akad. Mandalà. 

Akad.  Pëllumb Xhufi e vlerësoi botimin e ASH “Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan” si një përpjekje për t’i hyrë studimit të historisë komplekse të Voskopojës përtej paragjykimeve nacionaliste dhe fetare rajonale që kanë penguar studimin e vërtetë të origjinës së qytetërimit të Voskopojës, ku edhe Kodiku i Voskopojës është mohuar sistematikisht nga studiues të ndryshëm për qëllime nacionaliste.

Akad. Xhufi tha se konferenca e ASH e vitit 2017 duket e çliruar nga obsesioni nacionalist. Ajo mblodhi studiues; historianë, gjuhëtarë, studiues të letrave dhe të filozofisë, arkitektë dhe historianë të artit kristianë nga Shqipëria, Greqia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Italia, të cilët në fushë-shikime të ndryshme u munduan të përvijojnë profilin real të qytetit të Voskopojës në periudhën e lulëzimit, shek. XVII-XVIII.

Depërtimi në dokumentet veneciane ka bërë që studiuesit të depërtojnë në historinë e vërtetë të Voskopojës, tha akad. Xhufi dhe vlerësoi tezat e autorëve të këtij botimi për nga karakteri gjithëpërfshirës  e rreptësisht shkencor i materialeve të paraqitura.

Prof. asoc. dr. Evalda Paci tha se aktet e kumtimeve të pëmbledhur në këtë libër janë dëshmi e gjallë e një pune që u evidentua në një moment tubimi shkencor, për që për pjesën më të madhe të pjesëmarrësve përbënte një mundësi për të bërë me dije reflektime kërkimesh afatgjata, projekte gjurmimesh që kishin të përfshirë dhe objektin e kësaj konference, por dhe një përgjegjësi për të rinënvizuar që një traditë serioze studimore e kishte përfshirë Voskopojën në një sërë gjurmimesh ndërdisiplinore, me orientim nga historia e artit kishtar dhe prirjet konkrete në monumentet e kultit në të, në rëndësinë e thellimit të njohurive mbi një dokumentacion historiografik në të cilin bëhet fjalë rreth saj, por dhe jo pak reflektime mbi zhvillime të afërta në kohë, që gjejnë bashkëpërkim dhe në arealin voskopojar. Dijetarë që për nga prejardhja apo funksione konkrete që përmbushnin, ishin të lidhur me këtë areal, janë përfshirë në korpuse serioze të enciklopedisë së kohës, duke bërë të mundur kësisoj të jenë pjesë e kujtese afatgjatë, që sot përforcohet dhe falë botimit të akteve që kemi në dorë.

Prof.dr. Aleksandër Meksi foli për rëndësinë e monumenteve të Voskopojës si një qendër e rëndësishme për kulturën mesjetare të Shqipërisë që shquhej për të shkruar, për librat dhe studimet, por edhe për nivele të tjera të qytetërimit në Voskopojë dhe mjeshtëritë e ndërtimeve arkitekturore.

Prof.dr. Aleksandër Meksi falënderoi kryesinë e ASH për këtë botim me rëndësi, ndërsa tërhoqi vëmendjen që institiucioneve t’ju kërkohet për të bërë sa më parë restaurime në Voskopojë, sepse gjuha dokumentare e  pikturave dhe arkitekturës rrezikon të zhduket.

Prof.dr. Irakli Koçollari prezantoi disa dokumente të panjohura të zbuluara në fondin e dokumenteve dhe dorëshkrimeve të Ali Pashë Tepelenës. Ai tha se janë rreth 13 dokumente që ose në mënyrë specifike ose tagent përmendin Voskopojën. Duke iu referuar një dokumenti konkret ( me nr. 104 i vitit 1801), prof.dr. Koçollari zbardhi dëshmi të shkruara për influencën e Ali Pashë Tepelenës në Voskopojë dhe në zonat përreth saj, ku dërgohen forca ushtarake që i japin infomacion Ali Pashës se Voskopoja dhe fshatrat e Oparit janë nën influencën e pushtetit të tij.  Prof. dr. Koçollari e quajti një arkivë me vlerë në pritje të thellimit të kërkimeve të mëtejeshme.

Prof.dr. Dhori Qirjazi e vlerësoi botimin e ASH “Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan” si një vëllim të rëndësishëm me vlera dhe kapërcen kufijtë  e trajtimit nacionalist.

Vetë Voskopoja si dukuri e kompleksikon çështjen, e të detyron ta shohësh tej kujfijve të ngushtë nacionalë, duke qenë  një produkt i periudhës paranacionale të Ballkanit.

Në shkrimin tim modest “Thëngjijtë e pashuar të Voskopojës: grishje për rilexim” unë bëja fjalë për ato thëngjij që grishin, por një nga mendjet e ndriçuara , Ilo Mitkë Qafezei e quan Vokopojën një zjarrishte të madhe, tha prof.dr. Dhori Qirjazi. 

Pasi përmendi disa nga dijetarët që i referohen Voskopojës, prof.dr. Qirjazi tha se Voskopoja duhet vështruar në kuadër të një rrjeti takimesh, kontaktesh e këmbimesh, se vetëm atëherë mund të jetë i plotë imazhi për sa i përket kontributit të saj… Prodhimi intelektual i Voskopjës është i lidhur pazgjdhshmërisht me greqishten. Duhet të kemi njerëz që duhet ta njohin greqishten, duhet ta kapërcejnë stepjen se greqishtja i përket një bote tjetër. Në greqisht janë shprehur shumë nga njerëzit e shquar të asaj kohe, që nuk kanë qenë domosdo grekë, -tha prof.dr. Dhori Qirjazi.

Gjatë kësaj konference referuesit vlerësuan edhe një herë kontributin e rëndësishëm të kërkimeve dhe studimeve të deritanishme, kryer nga studiues vendas dhe të huaj, për këtë qendër të rëndësishme dhe pararendëse të iluminizmit ndër trevat jo vetëm shqiptare, por edhe ato ballkanase në tërësi.

Voskopoja e këtij shekulli (XVIII) është dhe mbetet një shembull rrezatues i përhapjes të dijes, kulturës, jetesës dhe bashkejtesës së etnive të ndryshme në harmoni dhe progres unik. Pikërisht ky komunikim, ky bashkëveprim dhe këmbim i lirë i kulturave, ideve, mendimeve, filozofive dhe gjuhëve diverse i dha shtysë atij zhvillimi ekonomik, kulturor, arsimor, tregëtar, etj., duke e kthyer shumë shpejt këtë qytezë në një prej qëndrave urbane më të lulëzuara dhe rrezatuese në Ballkan.

Referatet e studiuesve Saramandu-Rumani, Vitaliotis-Greqi, Altimari-Itali, Cvetkovski-Maqedoni e Veriut, Karanasios-Greqi, akademik Xhufi, profesor Plasari, profesoreshë Omari, profesor Lloshi, etj., që renditen në faqet e këtij botimi janë një prurje me vlerë dhe interes të veçantë që do të ndriçojnë edhe më tej profilin, historinë dhe kontributet e mëdha të Voskopojës, kësaj qendre të rëndësishme të civilizimit dhe të iluminizmit në Ballkan.