Kadare fiton çmimin prestigjioz "JERUSALEM PRIZE" 2015

Jerusalem, 8 shkurt 2015 – Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, mori në një ceremoni “Gala” çmimin e madh “Jerusalem Prize 2015”, në ditën e parë të Panairit të Librit të hapur në kryeqytetin e Izraelit.Çmimin Kadaresë ia dorëzoi kryetari i Bashkisë së Jerusalemit, Nik Barkat, ndërkohë që ishin të pranishëm përfaqësues nga 22 vende të botës.
I pranishëm ishte edhe presidenti i Shtetit të Izraelit, Reuven Rivlin, i cili tha: “Kadare nuk është vetëm një shkrimtar i talentuar, por ai gjithashtu shkruan më kurajë të madhe për ekzistencën tonë moderne. Kur unë lexoj librat e Kadaresë, edhe pse ai shkruan për vendin e tij, Shqipërinë, unë e ndjej se lexoj gjëra që kanë ndodhur dhe ndodhin në realitetin tim, në të gjithëve prej nesh”.
“Stili i të shkruarit të Kadaresë është poetik dhe tepër unik”, tha Dan Meridot, kryetari i Jurisë që zgjodhi Kadarenë si fitues i “Jerusalem Prize 2015”. “Kadareja përshkruan perspektiva të ndryshme, që vendos realitetin kompleks kundër imagjinatës”.
Kryetari i Bashkisë së Jerusalemit, Nik Barkat, tha pas dorëzimi të çmimit shkrimtarit të shquar shqiptar: “Çmimi i është dhënë Kadaresë në respekt dhe vlerësim të gjuhës së tij të të shkruarit, lirisë së tij të të shkruarit. Ai jep mesazhe kundër terrorizimit. Jerusalemi ka ngritur flamurin e lirisë së të shkruarit dhe të shprehjes së opinionit” Kadareja bashkohet kështu me fitues të mëparshëm prestigjiozë, midis të tjerëve Bertrand Russell (fituesi i patë), Mario Vargas Llosa, Milan Kundera, Simone de Beauvoir, Susan Sontag, Arthur Miller, Haruki Murakami, Ian McEwan dhe të tjerë.
Pasi mori çmimin për të falënderuar organizatorët, Kadareja mbajti një fjalim në gjuhën shqipe dhe foli për Holokaustin, duke theksuar se është e rëndësishme që të rinjtë ta shohin botën në një dritë të ndryshme, të re. “Njerëzit kanë nevojë të mbrojnë të tjerët, pasi duke bërë kështu ata mbrojnë veten e tyre”, tha ai.
Librat e Kadaresë janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të ndryshme dhe janë botuar në 40 vende të botës. Librat e tij të përkthyera në hebraisht janë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, etj.